Politikë Nga Liqenas në Pustec, PD rikthen propozimin e katër viteve më parë

Nga Liqenas në Pustec, PD rikthen propozimin e katër viteve më parë

63
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e banorëve të Komunës Liqenas me komunitet maqedonas në Qarkun e Korçës për t’i rikthyer emrin nga Liqenas në Pustec. Nisma e riprezantuar pas katër vitesh nga deputeti i PD-së, Edmond Spaho, nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të opozitës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. “Kërkohet konsensusi i palëve për ligjin për ndarjen territoriale, duke shtuar se duhet bërë edhe një reformë e plotë. Këto janë ligje të rëndësishme dhe kërkohet reformë territoriale, jemi dy muaj para zgjedhjeve. Ndryshimi i emrit të komunës nuk mund të bëhet në fund të mandatit, do të krijohej precedent. Ky propozim mund të kthehej në një çështje referendumi lokal”, tha në fjalën e tij socialisti Bashkim Fino. Iniciuesi i këtij ndryshimi, demokrati Spaho, hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke theksuar se një ndryshim i tillë nuk vjen për shkak se ai realizohet në fund të mandatit të Kuvendit të Shqipërisë. Ndryshimi i këtij drafti nuk mund të realizohet pa 84 votat e deputetëve, pasi kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend. Komuna Liqenas ka rreth 3500 banorë të kombësisë maqedonase. Banorët e kësaj komune për shumë vite kanë kërkuar ndryshimin e emrit, madje kanë bërë edhe një peticion në vitin 2008. Në vitin 2009, Kuvendit iu paraqit kjo kërkesë, por nuk mori kuorumin e mjaftueshëm. Kryetari i kësaj komune, Edmond Themelko, u shpreh se minoriteti maqedonas kërkon rikthimin e toponimit të vjetër të kësaj zone të përdorur deri në vitin ‘70, Pustec.