Foto ilustruese

Foto ilustruese


Policia e Vlorës ka mundur të shkatërrojë një nga grupet kriminale të narko-trafikut në rajonin Sarandë-Delvinë. Burimet zyrtare policore kanë sqaruar se ditën e djeshme, pas 6 muaj hetimesh, është finalizuar me sukses operacioni anti-drogë i koduar “BISTRICA”, fal së cilit janë arrestuar pesë persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër.


“Si rezultat i këtij operacioni është shkatërruar një grup kriminal me tendencë trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të shteteve të Bashkimit Europian ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Jakup Mezan Mehmeti, 47 vjeç, Robert Rexhep Xhaferri, 45 vjeç, Agim Edmond Çuçi, 29 vjeç, Mihal Foti Koçikori, 26 vjeç dhe Panajot Foti Koçikori, 23 vjeç. Ndërkohë është shpallur në kërkim 42-vjeçari Artur Shpëtim Goro. Të gjithë këta shtetas janë  lindur dhe banues në qytetin e Delvinës”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Mësohet se 42-vjeçari Goro është “kapoja” e grupit dhe siguronte lëndën narkotike në Lazarat. Ai realizonte transportimin e saj nga Lazarati,në Malin e Sopotit, Manastir – Delvinë dhe më pas nëpërmjet lidhjeve të tij bentë trafikimin drejt Greqisë dhe Italisë.


“Këtij grupi kriminal në bashkëpunim me agjencitë ligjëzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian i janë sekuestruar edhe disa ngarkesa të tjera lëndë narkotike në kuadër të këtij hetimi.


Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 135 kg lënde narkotike canabis sattiva, të cilët shtetasit e mësipërm pasi e kishin siguruar në fshatin Lazarat po e transportonin në drejtim të kufirit me Greqinë për ta trafikuar në vendet e BE për llogari të grupeve kriminale të narko-trafikut. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 4 automjete dhe 33 telefona celularë”, thuhet më tej në njoftim.


14 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)