TË RINJTË, POLITIKA DHE OFIÇINAT PARTIAKE

ZAMIRA ÇAVO

Zamira CavoRaporti mes rinisë dhe politikës duket sikur ka humbur çdo lloj reference. Të rinjtë duket të jenë pothuaj të distancuar nga veprimtaria politike. Në bisedat e tyre nuk gjen pothuaj asnjëherë argumente politike, nuk debatohet për veprime të qeverisë apo gjëra të tjera që i interesojnë opinionit publik. Të rinjtë e sotëm interesohen për internetin, për muzikën, sportin dhe ndonjë argument pjesor të jetës. Për një vend si Shqipëria, që pjesën dërrmuese të popullsisë e ka rini, është vërtet shumë e rëndësishme të merret në konsideratë kjo sjellje.

Po të pyesësh të rinjtë për këtë distancim nga politika, të thonë se politika është vendi i korrupsionit, i intrigave, i të “fortëve”. Pra ky është një imazh që ata kanë për politikën. Dhe këtu përgjegjëse është vetë politika. Por si shpjegohet pjesëmarrja kaq e gjerë e të rinjve në forumet politike partiake? Si shpjegohet që të rinjtë mbushin sallat e mitingjeve? Ku qëndron kontradikta mes këtyre dy qasjeve? Ka disa arsye për ta shpjeguar. Po ndalem vetëm në disa:

Së pari: Partitë politike mbushin forumet e tyre rinore me të rinj jo me strategjinë për t’i përgatitur këta të rinj për të ardhmen sipas vizonit të tyre programor, por për vrull mitingjesh dhe ngjitës parullash. Sigurisht që nuk është e lehtë të mbledhsh të rinjtë për t’i organizuar në këtë formë. Atëherë gjendet një “shteg”; afrohen të rinj gjimnazistë, të cilët preferojnë të kalojnë orë jashtë klasave dhe të justifikohen me “forumet partiake” ku bëjnë pjesë. Ndaj mund të gjesh me dhjetëra të rinj që janë njëkohësisht në disa forume partiake rinore. Madje ka parti, që për t’i joshur të rinjtë që të mbushin sallat e asambleve të tyre, që të mbushin Pallatin e Kongreseve, u ofrojnë dëfrime, mbrëmje, udhëtime, pushime në plazhet më të bukura. Dhe asnjë prej të rinjve nuk pyet se nga dolën këto para që shpenzohen fare pa motiv në këtë formë dhe mbi të gjitha, pse shpenzohen. Sigurisht, janë të rinj dhe përfitimet e çastit janë ato që vlerësohen më shpejt. Por dhe kaq nuk mjafton.

Së dyti: Partitë u bëjnë të rinjve të tyre premtime “tmerrësisht” tunduese për këto mosha p.sh: u premtojnë studime falas dhe “kujdes” për të mbaruar shkëlqyeshëm shkollën. Por edhe kjo nuk mjafton. Të rinjtë shqiptarë gjithnjë e më shumë po dembelosen. I janë larguar dëshirës për punë. Askush nuk dëshiron të mësojë një profesion. Askush nuk dëshiron të lodhet fizikisht. Të rinjtë preferojnë të rrinë orë të tëra në bare e lokale, duke folur ose mos folur për asgjë e mbi asgjë. Prandaj hyn në veprim teoria tjetër: “gjetja e një vendi pune”. Forumet rinore partiake po shndërrohen kështu në ofiçina ku farkëtohet ideja; “Punoni me ne, se ne dhe vetëm ne, do t’ju bëjmë doganierë, drejtorë, shefa, konsuj…”. Është e padiskutueshme që nga kjo lloj ofiçine do të dalin nesër gjethet e reja të korrupsionit. Kjo politikë është me pasoja të pallogaritshme në modelin e së ardhmes. Të rinjtë mësohen të kërkojnë një vend pune që të fitojnë para, pa punuar. Politikat e këtyre partive i çmësojnë të rinjtë nga puna, duke u treguar se burimi i “parasë së madhe” janë vendet në politikë dhe administratën publike. Kjo është një mënyrë joshjeje mjaft efikase për momentin, por shumë e rrezikshme për të ardhmen. Mendoni një armatë të rinjsh që “punësohen” në parti me synimin e zënies së një vendi të favorshëm! Ky është modeli më i keq që mund të ofrojë një parti politike e cila, më mirë se kushdo tjetër, duhet ta dijë se, pa punë efektive nuk mund të ketë model zhvillimi ekonomik.

Së treti: Nga gjithë të rinjtë që mbështesin forumet partiake, vetëm pak mbeten aktivë. Këta të rinj janë ata që në ofiçinën e partisë së tyre kanë bërë “gjithçka” u është kërkuar, ndaj dhe janë privilegjuar. Këta politikanë të rinj, që dalin nga këto ofiçina, janë shpesh një fotokopje e keqe e modelit të kryetarit apo dhe një modeli miks, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me rininë e moshës së vet. Ndaj dhe besimi tek ata është pothuaj inekzistent dhe shpesh zhgënjimi mbetet më i thellë se mungesa e besimit.

Me të tilla politika ndaj rinisë, Shqipëria e ka të humbur bastin me të ardhmen e vet, sepse të rinjtë nuk shikojnë më tek partitë politike programet e tyre, nuk shikojnë mundësitë e tyre për të ardhmen, por shikojnë vetëm gjetjen e mundësive personale për të fituar lehtësisht atë që fitohet me shumë punë e mund.

Në programet e tyre elektorale, partitë politike sigurisht do kenë dhe problemet e rinisë. Por mbi të gjitha, këto programe kanë nevojë të mbështesin dashurinë për punën, duhet të mbështesin jo thjesht për demagogji krijimin e vendeve të punës, por realisht mundësinë e krijimit të këtyre vendeve të punës, duke ua bërë të qartë të gjithëve se vendi ka nevojë për të gjithë, ka nevojë për punë. Modeli qeverisës i këtyre tetë viteve ka sjellë modelin më të keq që mund t’u jepej të rinjve: ke një mik, gjen një punë, edhe pse nuk ke shkollë e të duhet një diplomë, ne të japin një mundësi të gjesh edhe diplomën! Kjo lloj politike e ka mpakur rininë shqiptare, e ka tkurrur veprimtarinë e saj. Rinia është ajo që bën revolucionin, që ndërton të ardhmen e që krijon zhvillimin. Rinia jonë ka nevojë të çlirohet nga boshllëku ku ka rënë, nga pesimizmi, nga dëshira për të ikur nga sytë këmbët nga ky vend. Që të arrihet kjo, partitë politike duhet detyrimisht të ndryshojnë modelin e qasjeve të tyre ndaj të rinjve. Mbi të gjitha të promovojnë vlera për të cilat ata kanë nevojë t’i shohin si shembuj.

Autor te 16 Mars 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry