5 vjet nga Gërdeci


Familjarët përkujtojnë ditën e tragjedisë me 26 të vdekur


Durda kritikon kryetarin e Gjykatës së Apelit, për vendimin qesharak, siç e cilëson ajo, për fajtorët


Silvana Muça


RAMA--GERDEC--MBULIM---15_4


Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë përkujtuar paraditen e së premtes 5-vjetorin e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën rëndë. Me lot në sy dhe kurora me lule në duar, ata i janë drejtuar kraterit ku ndodhi shpërthimi dhe më pas varrezave ku prehen 26 viktimat. Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, i cili nuk ka preferuar që të japë komente në lidhje me çështjen. Zamira Durda, e cila ka humbur djalin e vogël vetëm 6 vjeç në këtë shpërthim, u shpreh se nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesa për të marrë drejtësi dhe për të dënuar, ashtu siç duhet fajtorët. Me lot në sy, për humbjen e vogëlushit të saj dhe për vonesën e drejtësisë, ajo thotë se prej 5 vjetësh rendet dyerve të gjykatave për drejtësi, por askush nuk e dëgjon dhe askush nuk denjon që t’i japë rrugëzgjidhje pretendimit të saj. Ajo ka kritikuar kryetarin e Gjykatës së Apelit, për vendimin qesharak siç e cilëson ajo, për fajtorët. “Nuk mund ta duroj një gjë të tillë. Qëndrimi i gjykatës është i tmerrshëm dhe kjo nuk mund të durohet. Haram i qoftë buka që ha dhe paga që merr. Do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se nuk kam shpresë. Nuk dua dëmshpërblim, dua drejtësi, dua të di pse nuk jeton më djali im”, shprehet Durda mjaft e zhgënjyer për sistemin e drejtësisë. Ajo madje pretendon se do të zbardhë korrupsionin e gjykatësve dhe thotë që do nxjerrë fytyrat e palara të tyre. Këtë akuzë e ngre për gjykatësit e Apelit dhe asaj të Shkalës së Parë.


Ndërsa Shoqëria Civile Shqiptare ka reaguar me forcë ndaj asaj që e cilëson shkelje sistematike të të drejtave të familjarëve të viktimave, për të pasur një proces të rregullt ligjor. Ata kanë kritikuar ashpër vendimet e gjykatave për tragjedinë e Gërdecit dhe çështjen e “21 janarit”. Mungesën e aksesit të familjarëve në dosjet hetimore, në të dy rastet, e kanë cilësuar si shkelje flagrante të ligjit. Ndër të tjera, Shoqëria Civile thotë se disa prej përgjegjësve kanë përfituar nga amnistia e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, duke përmendur këtu ish-ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. “Vendimet e gjykatës hapën rrugë për përsëritje të ngjarjeve kaq tragjike edhe në të ardhmen, duke u dhënë garanci funksionarëve shtetërorë për pandëshkueshmëri edhe në rastet e humbjes së jetës së njerëzve. Vendimet gjyqësore të dhëna nuk iu përgjigjën shkallës së tragjedisë së Gërdecit dhe ngjarjes së 21 janarit dhe përgjegjësive përkatëse për to, duke lënë pa autorë, ose duke dënuar relativisht lehtë shkaktarët e vdekjes së 30 viktimave të pafajshme”, thuhet në deklaratë.


 


PS, Tahiri: “Para drejtësisë, Mediu dhe djali i kryeministrit”


“100 ditët e Berishës, 100 arsye që s’duhet të qeverisë”


Partia Socialiste ka nisur një fushatë të re, duke e lidhur me 100 ditët nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia më e madhe e opozitës do t’i ofrojë shqiptarëve 100 arsye se pse Berisha dhe partia e tij s’duhet të jenë më në pushtet. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, e lidhi një nga 100 arsyet me tragjedinë e Gërdecit 5 vite më parë. “Qeveria e Sali Berishës, për një rastësi fatkeqe, mbush 100 ditët e saj të fundit, në 5-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Dhe 100 arsyet për të mos votuar Saliun fillojnë me Gërdecin, këtë tragjedi që vështirë së do të shlyhet ndonjëherë nga kujtesa e shqiptarëve. Plot 5 vjet më parë, më 15 mars 2008, shpërthyen në Gërdec, vetëm 13 kilometra nga kryeqyteti shqiptar plot 400 tonë municione. Fajtorët e vërtetë janë të lirë. Njëri është ende Ministër me 26 të vdekur në kurriz, ndërkohë që tjetri vazhdon të kapardiset rrugëve të Tiranës me titullin ‘djali i Kryeministrit’ bashkë me bizneset e veta. Kryeministri që di çdo thashethem që qarkullon rrugëve të Tiranës, që nuk ka skrupull të hyjë në çdo skutë të shtëpive tona, nuk dinte se nga shtëpia e tij, kishte baxhanakun që mbante inventarin e armëve që mblidheshin në Gërdec për demontim”, tha Tahiri. Sipas opozitës, sot pas 5 vjetësh, fajtorët e vërtetë për tragjedinë e Gërdecit janë të lirë, ndërkohë që ekzekutorët, kanë marrë ‘dënime përkëdhelëse’ nga gjykata. “Kjo çështje, bashkë me autorët e saj, për ne mbetet një çështje e hapur dhe për të cilën do angazhohemi se do bëjmë gjithçka është e mundur që duke filluar nga ideatorët, djali kryeministrit më i pari, tek ekzekutorët, ministri Mediu në krye të listës, të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari”, theksoi Tahiri.