Fushata


Shkaku, disiplina dhe shkurtimi i vendit të punës. Humbja e dyfishtë financiare


Vitin 2012, Tatimet e mbyllën negativisht, duke realizuar 3 miliardë lekë më pak se 2011-a


ARD KOLA


Police tatimoreAdministrata tatimore vijon t’i shkaktojë buxhetit të shtetit humbje të dyfishtë. E para lidhet me punën e dobët, aq sa në vitin 2012 tatimet mblodhën 3.1 miliardë lekë më pak nga taksat në raport me 2011, kurse me planin rezultati ishte akoma e më i rëndë. E dyta, me shkarkimet e pajustifikuara dhe të pabazuara në ligj, ku pjesa dërrmuese janë kundërshtuar nga gjykatat, duke i dhënë të drejtë të larguarit për t’u rikthyer në punë. Tatimet nuk e zbatojnë vendimin e gjykatës, pasi preferojnë ta mbajnë në liste pritje duke e paguar, në një kohë që vendi i punës është zënë ma pa të drejtë, i cili edhe ai paguhet. Llogaritet një dëm që arrin 1 milion euro, para të paguara nga buxheti për vendimet e gjykatave të humbura nga tatimet sa u takon shkarkimeve të padrejta.


Fenomeni i shkarkimeve vijon ende. Në muajin shkurt janë larguar nga puna rreth 50 punonjës të administratës tatimore, një pjesë në nivel drejtuesi dhe ku priten të tjera largime. Motivacioni? Shkrirja e pozicionit të punës dhe disiplina, janë ndër shkaqet kryesore. Të larguar janë ankuar te Komisioni i Shërbimit Civil, por ka të tjerë që duan të presin afatin 30 ditë të ankimimit, me shpresën se do të rikthehen.


Në janar të vitit të kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve miratoi strukturën e re, e cila nisi reformën në muajt e verës me largimin e dhjetëra punonjësve, duke mos kursyer edhe “kokat”.


Preteksti i shkrirjes së postit të punës është përdorur edhe herë të tjera, por nuk ka vonuar gjatë për realizimin e emërimeve të reja. Nuk mund të thuhet me saktësi se shkarkimet e fundit dhe ato që priten kanë lidhje me fushatën elektorale, vendosjen në punë të militantëve, për çështje nderesh dhe angazhimesh në politikë, por një gjë është e sigurt se spastrimet vijnë në një kohë tensioni për krerët e këtij institucioni, me rezultate të dobëta në punë etj. Administrata tatimore numëron rreth 1600 punonjës dhe reforma më radikale e kryer, sa u takon spastrimeve u takon viteve 2006-2007, me rreth 500 punonjës të larguar.


Për arsye objektive apo subjektive, administrata tatimore nuk ka mundur të mbledhë më shumë të ardhura se viti 2011, madje rezultati paraqitet më i dobët, afro 3.1 miliardë lekë. Themi subjektive për vetë faktin se nga muaji tetor i vitit të kaluar, akciza, taksa me peshë në totalin e të ardhurave nuk vilet më nga tatimet, por nga doganat. Megjithatë, në dy taksat e tjera, TVSH dhe tatimi mbi fitimin rezultojnë më humbje, respektivisht 1.5 dhe 2.7 miliardë lekë, ndërsa “performanca më e mirë” vjen nga zëri “taksat nacionale dhe të tjera”, ku te “të tjerat” përfshihen edhe gjobat, në vlerë totale mbi 5 miliardë lekë.


Komisioni i Shërbimit Civil, institucioni i lartë kushtetues dhe i pavarur e ka monitoruar plot herë të tjera administratën tatimore, nga ku ka konstatuar shkelje të rënda të zbatimit të ligjit. Detyra e KSHC është të shqyrtojë mënyrën ligjore të rekrutimeve në administratë, si zbatohen rekomandimet e lëna etj.


Për vitet 2010-2011, KSHC kishte analizuar dosjen e 30 punonjësve, të cilët kishin fituar të drejtën nga gjykata për t’u rikthyer në punë, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk e kishte zbatuar. Jo vetëm nuk janë zbatuar vullnetarisht vendimet e KSHC, si mundësi ligjore e përcaktuar nga ligji për shërbimin civil, por edhe pasi disa prej këtyre vendimeve janë lënë në fuqi nga gjykata, vazhdon e njëjta situatë. Pra, edhe kur gjykata i jep të drejtë punonjësit të larguar për t’u rikthyer në punë, sërish tatimet nuk e zbatojnë, duke preferuar ta paguajnë, në rast se qëndron në listë pritjeje, apo kur i shkarkuari me pa të drejtë e fiton rrogën me ndihmën e përmbarimit, pasi ka një vendim gjykate. “Mosveprimi në këtë rast ka sjellë dëme të pariparueshme financiare në buxhetin e shtetit, pasi, ndërkohë që ka punonjës të emëruar me kontratë të përkohshme, është vepruar me pagesën e dy personave njëkohësisht, për një pozicion pune, ku njëri është paguar në zbatim të mjetit të njohur nga ligji, kontratës së punës, sipas të cilës punonjësit paguhen sipas detyrimeve kontraktuale dhe tjetri do të paguhet në zbatim të detyrimit ligjor të ekzekutimit të vendimit gjyqësor”, thotë KSHC.


 


Struktura 


1606 punonjës


Në administratën tatimore janë të punësuar 1606 punonjës, 1264 nga të cilët janë në pozicione pune që përfshihen në shërbimin civil, 334 nëpunës që rregullohen me Kodin e Punës, 7 nëpunës janë emërtesë e ministrit të Financave dhe 1 nëpunës emërtesë e Kryeministrit