Motra


Zana Prenjasi: Na e nxiu faqen, të varet në mes të Tiranës 


MOTRA DHE VËLLAI I ARDIAN PRENJASITZana është motra e madhe e Ardianit. Ajo është martuar në të njëjtin qytet dhe tashmë po kujdeset për nënën e saj të sëmurë. Mjaft e tronditur për gjithçka ka ndodhur thotë se ai nuk ka qenë më vëllai i tyre qysh prej dhjetë vjetësh. Ajo rrëfen momentet e vështira që po kalon pas publikimit të lajmit për vëllain e saj, ndërkohë që kujton sesi e kanë dëbuar nga shtëpia në vitin 2004 dhe vëllezërit nuk e lejuan të merrte pjesë as në varrimin e të atit, kur ai u rishfaq si i penduar. Në një intervistë për “Shqip”, ajo ka rrëfyer marrëdhëniet me vëllain dhe sesi ndihet familja e saj pas lajmit shokues.


Prej sa kohësh nuk e shihni më vëllain tuaj?


U bënë më shumë se dhjetë vjet. Ai nuk ishte më vëllai ynë për gjithçka kishte bërë në Greqi dhe këtu. Nuk mund ta pranonim të vinte në shtëpi më. Nuk e pranuam as kur vdiq babai. Ai erdhi dhe ne ia mbyllëm derën. Ishte vëllai ynë, por për ato që kishte bërë nuk mund të ishte më. Na ka detyruar të mos dalim më në dritë të diellit për ato që ka bërë. Nuk dinim asgjë se ku ndodhej, mendonim se ishte jashtë vendit, vetëm kur u dha lajmi i kobshëm.


Çfarë menduat pasi e morët vesh për atë çfarë kishte bërë?


Çfarë të mendoj. Na e nxiu faqen. Do ia puth dorën dhe këmbën atij që do ta vrasë atë njeri që s’mund të quhet vëlla më. I bëfshim gropën se na shkatërroi jetën me veprimet e tij. Vareni në mes në Tiranës. Vëreni në litar dhe vareni. Ose na e sillni për pak minuta në banesë se e vrasim vetë. Nuk meriton të jetojë. Le të dënohemi ne, por ai mos të jetojë më.


Po nëna e tij si e mësoi ngjarjen?


Nëna është 76 vjeçe, pësoi parainfarkt nga dhimbja. Ka më shumë se dhjetë vjet që nuk e sheh. Qysh kur ka vdekur babai as nuk e kemi ftuar dhe nuk ia kemi hapur derën. Ai jetonte në Tiranë vitet e fundit. Ne nuk kemi komunikuar fare, menduam se kishte ikur sërish në Greqi. Herën e parë kur iku në Greqi dhe ra në burg i humbëm lidhjet. Kur erdhi, pasi ishte dënuar, nuk e futëm në shtëpi. Kishte fjalë këtu për të, por ne nuk donim ta besonim. Tani që ka vrarë një njeri duam vetëm ta vrasim me duart tona.


Ka abuzuar me fëmijë këtu. Keni dëgjuar gjë?


Para disa vitesh ka ndodhur një gjë e tillë, por atëherë ai u largua dhe nuk e mora vesh. Ka qëndruar larg zonës sonë. Nuk kemi dashur të mësojmë asgjë për të pasi e kemi dëbuar. Nuk ishte më biri i kësaj shtëpie. B. Nergjoni


 


 


Profili


Dëshmia e vëllait të Ardian Prenjasit, dosjet kriminale prej 24 vitesh dhe njohjet e banorëve të zonës


Maniaku vrasës ka abuzuar me fëmijët që prej 24 vitesh


Pas mbarimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, në vitin 1989 u dënua për ngacmime seksuale


Bardha Nergjoni


Ardian PrenjasiArdian Prenjasi, maniaku i arrestuar, i ka shfaqur shenjat e tij të pedofilisë që prej 24 vjetësh, fill pas mbarimit të ushtrisë, pikërisht në vitin 1989, kur është dënuar për herë të parë për ngacmime seksuale. Kjo vërtetohet si nga vëllai i tij, i cili rrëfen se kishte dhjetë vite që nuk e dinte me se merrej Ardiani, pasi e kishin dëbuar nga shtëpia, ashtu edhe nga dosjet e vjetra në ngarkim të tij, pavarësisht se deri para dy ditësh, ai ishte i lirë nëpër rrugët e Tiranës duke kërkuar prenë e tij. Po ashtu edhe fqinjët, djali i njërit prej të cilëve, ka rënë pre e dhunës seksuale nga Prenjasi, tregojnë sesi e kanë njohur të arrestuarin, të cilin nuk e panë më pas vitit 2004.


Historia


Prenjasi rezulton se me mbarimin e detyrimit ushtarak, në vitin 1989 është arrestuar nga drejtësia e kohës, duke e dënuar për ngacmim seksual. Pas disa viteve burg, ai lirohet përsëri dhe vazhdon jetën në Greqi. Atje, sipas të dhënave të policisë, ai është dënuar dhe ka vuajtur 4 vite burg, përsëri për akuzën e “ngacmimit seksual ndaj të miturve”. Por, me mbarimin e dënimit, Prenjasi është kthyer në Shqipëri për të vazhduar jetën, ku sipas banorëve të zonës së Prenjasit ai është martuar, por që familjarët e tij e mohojnë një fakt të tillë. Pikërisht në vitin 2003, i sapokthyer në Shqipëri, ai fillon punë me një kamionçinë për transportin e punëtorëve të hidrocentraleve në zonat e thella të Librazhdit. Ai transportonte edhe banorë të zonës, që shisnin veshje të përdorura në ato zona. Pasi punon për një vit, në vitin 2004 regjistrohet një ngjarje abuzimi me një 10-vjeçar në qytezën e lindjes, e cila edhe sot e kësaj dite nuk dihet sesi është mbyllur, ndërkohë që babai i fëmijës ka kërkuar disa herë të rihapet çështja. Fëmija i abuzuar ishte shok me nipin e Ardianit (djalin e motrës). Sipas të dhënave, një ditë ai merr me vete nipin dhe shokun e tij me makinë. Familjarët e dy fëmijëve bëhen merak dhe fillojnë ta kërkojnë. Fillimisht gjejnë nipin që kishte zbritur më parë dhe Ardiani kishte ikur vetëm me djalin 10-vjeçar. Të gjithë në Prenjas e dinë se me atë fëmijë është abuzuar, por askush nuk di të thotë se si u veprua. Familjarët e gjetën fëmijën të tronditur, por çështja u mbyll nga policia. Në atë kohë, familja e dëbon Ardianin nga shtëpia dhe ai largohet sërish drejt Greqisë. Nga ajo kohë nuk u fol më për Ardian Prenjasin. Ai u shfaq në Përrenjas vetëm pak kohë më vonë, kur i vdiq i ati, por vëllezërit e tij nuk e pranuan më në shtëpi. Nga kjo ditë, për shkak të precedentëve në Greqi, ai nuk shkoi më në emigracion, por iu drejtua Tiranës. Vetëm 4 vite më pas, konkretisht në prill të vitit 2008, Prenjasi arrestohet nga policia dhe më pas dënohet me gjobë nga gjykata, edhe pse në ngarkim të tij u ngrit akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj një të miturit, të cilin kishte arritur ta mashtronte duke e futur brenda në shtëpi. Katër vite më pas, Prenjasi goditi sërish, duke mashtruar, mbytur dhe zhdukur trupin e 11-vjeçarit Çela, me të cilin nuk kishte arritur të abuzonte. Ndërsa dy net më parë u zbulua rasti i fundit, ku ai abuzoi me një tjetër të mitur, zhdukja e të cilit çoi në arrestimin e tij.


Dëshmitë


Familja e Ardian Prenjasit, teksa duhet të përballet me turpin që i ka rënë, siç thonë vetë ata, tashmë ndaj tyre kanë nisur edhe kërcënimet. “Që natën e parë më telefonuan dhe më thanë se do na zhdukin si familje. Mua s’më dhimbset jeta fare. Por, vëllai im e meriton të varet. Kam sedër. Nuk kemi fytyrë e faqe të flasim. Ishalla e vrasin e ishalla e presin. Gomarllëqet që ka bërë ai nuk mund të shlyhen. S’po e vras mendjen për veten time. Jam bërë që të më jepni një armë e të vras veten, po kam hallin e fëmijëve. Kam hallin e nënës”, thotë Besnik Prenjasi, vëllai i Ardianit. Më tej, ai shpjegon se e ka dëbuar vëllain vite më parë. “Nuk meriton të ketë këtë mbiemër. Ai na ka njollosur me turp, sepse jemi familje që e mundohemi ta nxjerrim bukën e gojës me djersë, prandaj e dënojmë dhe kërkojmë dënimin maksimal për vëllain tonë atë të dënimit me vdekje”, shprehet vëllai.


Ndërsa fqinjët nuk dinë ç’të thonë, pasi për ta, Ardiani kishte ikur refugjat dhe nuk ishte kthyer më. Por, banorët e tjerë shprehen se ai ka abuzuar edhe me katër fëmijë të tjerë. Ferit Nergjoni shprehet se pas kthimit nga Greqia, Ardiani u kthye në Përrenjas. “Thuhet se ka pasur mbi 3-4 raste. E mora vesh mbrëmë. Ai e ka pak dënimin me vdekje. Vret fëmijët e pambrojtur”, thotë Nergjoni, ndërkohë që Uran Koçi, një tjetër banor i Përrenjasit. thotë se kjo që ka ndodhur i ka nxirë faqen edhe vetë Përrenjasit. “Ka faj edhe shteti se ai para tre vjetëve ka kërcënuar edhe këtu seksualisht dhe ka bërë veprime të turpshme. Atje ka vazhduar prapë avazin e vjetër. Është krim. Nuk e di se çfarë dënimi duhet për të, veçse me prerje mishi”, shton Koçi, ashtu si shumë banorë të tjerë të qytezës.


 


Përrenjas


Viti 2004 – Në 2004-n u regjistrua një ngjarje abuzimi me një 10-vjeçar në Përrenjas. Fëmija i abuzuar ishte shok me djalin e motrës së Ardianit


Vëllai – “Që para dy netësh më telefonuan dhe më thanë se do na zhdukin si familje. S’më dhimbset jeta fare. Por, vëllai e meriton të varet”


Banorët – Ferit Nergjoni, banor i qytezës shprehet se pas kthimit nga Greqia, Ardiani dyshohet se ka abuzuar me 3-4 fëmijë të tjerë në Përrenjas, por rastet nuk janë evidentuar