Dorëhiqet Salih Tagani, mbeten enigmë arsyet e largimit të tij

Tirana

Bordi ka emëruar në vend të tij Krenar Alimehmetin, i cili do të jetë i komanduar

Salih Tagani adminstratori dhe Trajneri Hulian Rubio SancezSalih Tagani nuk do të jetë më administrator i klubit të Tiranës. Kjo për faktin se ai ka dorëzuar dorëheqjen, e cila është miratuar nga bordi drejtues i klubit, i cili më pas ka emëruar në këtë post Krenar Alimehmetin, që do të jetë i komanduar. Humbja e turpëruese 6-3 kundër Flamurtarit në javën e 19-të duket se nuk është përtypur lehtë nga drejtuesit e Tiranës. Dhe pas vetëm 48 orësh nga ai dështim katastrofik i kampionëve rekordmenë të vendit në ndeshjen e luajtur në stadiumin e kryeqytetit “Selman Stërmasi”, administratori Tagani ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje nga funksionet e tij. Menjëherë më pas, kjo është miratuar dje pasdite nga bordi drejtues i klubit të futbollit “FK Tirana”. Konfirmimin për këtë e jep një prej anëtarëve të Bordit, Sulejman Mema. Me gjithë përpjekjet e shumta për të sqaruar arsyet e kësaj dorëheqje, ato vazhdojnë të mbeten enigmë. Vetë Tagani, i kontaktuar nga gazeta, ka pranuar largimin nga detyra, por nuk ka preferuar të sqarojë shkaqet, që e çuan në marrjen e vendimit për t’u dorëhequr. Edhe anëtari i bordit drejtues, Sulejman Mema, ka nënvizuar se nuk është në dijeni të arsyeve. Kjo ka lënë hapësira për hipoteza të shumta, ku më e besueshmja është ajo e zgjedhjes së largimit, pasi klubi bardheblu aktualisht po kalon një krizë rezultatesh, por edhe financiare, pasi lojtarëve nuk u janë shlyer rrogat e katër muajve dhe premiot e finales së Kupës së Shqipërisë së edicionit të kaluar, të luajtur ndaj Teutës. Megjithatë, vendimtare duket se ka qenë pikërisht humbja shpërfytyruese ndaj Flamurtarit, të cilën vetë Tagani, një ditë para dorëheqjes e kishte cilësuar: “E tmerrshme dhe e pakonceptueshme, tmerrësisht zhgënjyese”. Madje, pasi ka pranuar se ajo përmbysje shpërfytyruese ka futur dyshimet në grup, ai ishte zotuar se do të zbardhe “gjithçka ndodhi”. Por ndoshta kjo nismë e tij mund të ketë hasur një pengesë të pakalueshme, e cila mund ta ketë shtyrë drejt vendimit për dorëheqje. Me këtë humbje, bardheblutë i largohen zonës së Europës sezonin e ardhshëm, arritja e së cilës ishte e vetmja mundësi, pasi Tirana është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Pas miratimit të dorëheqjes, bordi ka emëruar në vend të tij, një njohje të vjetër të bardhebluve, ish-lojtarin dhe trajnerin Krenar Alimehmeti, i cili do të jetë i komanduar.

Autor te 19 Mars 2013. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry