Tominaj: Provat flisnin për kundërvajtje penale. E mbajti 10 minuta në banesë, dera ishte e hapur dhe jashtë kishte fëmijë
Sokol Çobo
Një nga vendimet që ka habitur mbarë opinionin publik, ai i gjobës 60 mijë lekë ndaj pedofilit Ardian Prenjasi në vitin 2008, është komentuar dje nga një protagonist kryesor, prokurori Blerim Tominaj, i cili kërkoi dënimin e tij me gjobë 100 mijë lekë. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Tominaj, që më parë ka hetuar vrasjet gjatë demonstratës së 21 janarit, tha se provat e mbledhura në atë kohë flisnin se i pandehuri kishte kryer vetëm një kundërvajtje penale. Ai shpjegoi se është i hapur për çdo inspektim nga Ministria e Drejtësisë apo edhe nga akuza qendrore, pasi beson se me ato prova vetëm një dënim i tillë mund të kërkohej, dënim i cili është konsultuar edhe me eprorët e tij, pasi para çdo pretence, prokurorët marrin mendimin edhe të drejtuesve. Në rastin konkret, Tominaj pohon se dosja është hetuar dhe të gjitha pretendimet e kallëzuesit, në këtë rast të një fëmije të mitur, janë pranuar edhe nga i pandehuri, madje kërkoi edhe gjykim të shkurtuar.
Provat në dosje
Sipas prokurorisë, rasti ishte konstatuar nga Policia e Tiranës, e cila delegoi fashikullin hetimor në prokurori me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Në këtë dosje ishte kallëzimi i fëmijës, pretendimet e të atit të tij dhe deponimet e shokut të të miturit. “Janë rimarrë deklarimet e tyre në prokurori, konform të gjitha rregullave. I ati pranoi se fëmija i tij ishte mbajtur në një banesë nga një person i huaj, ndërsa i akuzuari ka pranuar pa asnjë hezitim pretendimet e kallëzuesve”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, nga hetimet rezultoi së fëmija A.M. është mbajtur rreth 10 minuta në banesën e Prenjasit dhe gjatë kësaj kohe ai nuk është ngacmuar seksualisht, por vetëm i është thënë që “tashmë je peng”. “I pandehuri nuk kishte rrethana rënduese në veprën penale që kreu. Ai i ka thënë të miturit se i kishte duart pis dhe t’i merrte çelësin në xhep. Më pas i kërkoi që t’i hapte derën e shtëpisë. Gjithçka është kryer në prani edhe të një fëmije tjetër, shok me ‘pengun’. Gjatë gjithë kohës, dera e banesës ka qenë e pambyllur plotësisht, një fakt që tregon se edhe djali tjetër ka parë gjithçka. Të gjitha këto veprime janë bërë në një kohë që i pandehuri ishte në gjendje të dehur, ndërsa koha e qëndrimit të A.M. në këtë banesë ka qenë më pak se 10 minuta. Këto fakte kanë sjellë që prokuroria ta cilësojë këtë ngjarje si kundërvajtje penale, megjithëse e shpalli fajtor, duke kërkuar dënimin e tij me një gjobë prej 100 mijë lekësh”, pohuan burimet nga prokuroria. Një tjetër rrethanë për këtë person ka qenë se ai, gjatë kryerjes së krimit, nuk ka pasur asnjë armë në dorë, të zjarrit dhe të ftohtë, ndërsa, përveç çelësave, nuk ka pasur asnjë send tjetër, çka do të thotë se “pengut” nuk i kanosej jeta dhe nuk ka qenë në rrezikshmëri të madhe.
Vendimi i gjykatës
Ndërkohë, gazeta “Shqip” ka tentuar dy ditët e fundit të kontaktojë me gjyqtaren Shefkie Demiraj, e cila ka dhënë vetëm një gjobë me 60 mijë lekë për këtë person, por ka qenë e kotë, pasi gjyqtarja në fjalë nuk ka hapur telefonin. Shprehjes së famshme se “gjyqtarët flasin me vendim”, po e zbatojmë edhe ne, dhe më poshtë po botojmë arsyetimin e Demirajt në këtë vendim, e cila thotë se gjoba prej 60 mijë lekësh ndaj këtij personi e rehabiliton plotësisht. Gjyqtarja, që u bë e famshme në procesin “Gërdeci”, kur ishte në Kolegjin Penal, shkruan në vendim se “në caktimin e masës së dënimit, gjykata merr në konsideratë faktin se dënimi ka karakter individual dhe në këtë kuptim, në dhënien e tij duhet të mbahet parasysh rrezikshmëria e veprës penale, e autorit të saj, shkallën e fajësisë, rrethanat lehtësuese dhe rënduese, me qëllim që ai të jetë në përshtatshmëri dhe në raport të drejtë, jo vetëm me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit të saj, por dhe që të jetë i tillë që të vlejë për rehabilitimin e tij”. Në rastin konkret, gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, e cila cenon një marrëdhënie juridike të rëndësishme. Gjithashtu gjykata vlerëson personalitetin e të pandehurit si person i padënuar më parë për asnjë lloj vepre penale (në fakt, policia, prokuroria dhe gjykata nuk kanë kontrolluar asnjë të dhënë).
Në arsyetim thuhet se, për të rehabilituar këtë të pandehur, ai duhet të dënohet vetëm me gjobë. “Gjykata çmon se ky dënim është plotësisht i justifikueshëm, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Ardian Prenjasi, e cila e bën të domosdoshëm mosizolimin e tij nga shoqëria. Gjithashtu gjykata çmon se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave penale nga ai, rehabilitimit të tij, si dhe parandalimit të përgjithshëm të këtyre veprave penale në shoqëri”, thuhet në vendim. Në fakt, fjalinë e fundit të këtij vendimi, i pandehuri duket se nuk e ka lexuar, pasi disa kohë më pas, ai ka kryer një nga krimet më horror të ndodhura në Shqipëri dhe më pas ka tentuar që të kryejë një tjetër vrasje apo varje të një të mituri. Dhe, gjithçka, duket se ka qenë e paralajmëruar, pasi drejtësia, në momentin që e kishte në “dorë”, nuk e izoloi.
Kontrolli
Tre inspektorë të ministrisë verifikojnë dosjen e akuzës, tre të tjerë të gjyqtares
Ishte heqje e paligjshme e lirisë apo një rrëmbim fëmije
Gjashtë inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë shkuar në prokurori e gjykatë, ku po kontrollojnë vendimmarrjen e Tominajt dhe Demirajt për Ardian Prenjasin në vitin 2008, i cili ia ka hedhur paq një akuze për heqjen e paligjshme të lirisë, duke u dënuar vetëm me gjobë. Tre kontrollorë kanë shkuar në Prokurorinë e Tiranës dhe kanë marrë prej andej të gjithë fashikullin hetimor, të procedimit penal numër 1623 të vitit 2008. Ndërkohë, tre inspektorë të tjerë kanë shkuar në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës dhe kanë marrë procesverbalet e seancave gjyqësore, ndërsa kanë “sekuestruar” edhe vendimin me numër akti 1415, të gjyqtares Demiraj.
Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, objekti i kontrollit në organin e akuzës do të jetë vendimmarrja e prokurorit për veprën panele të heqjes së paligjshme të lirisë. “Do të analizojmë provat në dosje. Të gjitha do të bëhen nga inspektorët, që kanë njohuri të mira penale. Objekti kryesor është akuza e ngritur, megjithëse ka ardhur nga policia. Prokurori i çështjes, dhe drejtuesit e akuzës, kanë të gjithë tagrin ligjor për të ndryshuar kualifikimin e një vepre penale, megjithëse është propozuar nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore. Do të shohim nëse veprimi i Ardian Prenjasit ishte heqje e paligjshme e lirisë apo rrëmbim”, thanë burimet nga ministria, të cilat saktësojnë se shumë shpejt do të dalin në një përfundim dhe natyrisht, një raport i detajuar do t’i dorëzohet, bashkë me një rekomandim, Prokurorit të Përgjithshëm. Është ky i fundit që do të marrë një vendim përfundimtar, megjithëse çështja mund të kalojë edhe në Këshillin e Prokurorisë. Në këtë rast, pra të “hetimit” të prokurorit Tominaj, mund të jetë edhe një “hakmarrje” e ekzekutivit për kërkesat në procesin gjyqësor të 21 janarit, pasi më parë, të gjithë prokurorët që kishin hetuar këtë çështje janë larguar apo shkarkuar nga detyrat drejtuese.
Ndërkohë, tre inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë po kontrollojnë vendimin e gjyqtares Shefkie Demiraj, e cila pranoi mëshirën e të pandehurit. Përfundimisht e dënoi me 60 mijë lekë, duke ulur ndjeshëm edhe kërkesën e akuzës. Inspektorët do të verifikojnë nëse kjo gjyqtare ka pasur hapësirat ligjore për të bërë një rikualifikim të veprës penale, nga heqje e paligjshme në rrëmbim, pasi në këtë mënyrë mund edhe ta izolonte këtë pedofil. Por, në pamje të parë, duket se kjo gjyqtare mund t’ia hedhë paq, pasi më parë ka qenë në Kolegjin Penal të “Gërdecit”, vendim i cili la të kënaqur të pandehurit.
Gjyqtarja
Gazeta “Shqip” ka tentuar dy ditët e fundit të kontaktojë me gjyqtaren Shefkie Demiraj, e cila ka dhënë vetëm një gjobë me 60 mijë lekë për këtë person, por ka qenë e kotë, pasi gjyqtarja në fjalë nuk e ka hapur telefonin
Aktakuza
Prenjasi s’ka akuzë për vrasje, vetëm për rrëmbim dhe përdhunim
Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar paraditen e djeshme aktakuzën e Ardian Prenjasit në Gjykatën e Tiranës, ku konstatohet se 45-vjeçari akuzohet vetëm për rrëmbim dhe përdhunimin e një të mituri, pasi ende nuk është faktuar vrasja e Julian Çelës, për sa kohë që nuk është gjetur trupi i pajetë. Prenjasi ka pranuar edhe vrasjen e djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, i zhdukur pasditen e 30 nëntorit 2012 nga zona e Laprakës. “Provat kryesore janë për rrëmbimin e A.Camit dhe mbajtjes së tij në banesë, për rreth 20 orë, nën një dhunë fizike dhe psikologjike. I mituri është dhunuar edhe seksualisht, ndërsa është kërcënuar që nëse bërtiste do të varej. I pandehuri kishte lidhur një litar, i bërë nga një çarçaf, në derën e banjës, në gjatësinë e fëmijës, ndërsa në dorë mbante edhe një thikë, në momentin e arrestimit në banesë, poshtë lavamanit”, pohojnë burimet nga akuza, që thonë se do të kërkojnë masën e arrestit me burg, e cila duket më minimalja për këtë monstër.