ANDREA STEFANI
Pak ditë më parë u lajmërua se qeveria shqiptare ishte e gatshme që të strehonte 210 muxhahedinë iranianë, një premtim që duket se Kryeministri Sali Berisha ia paska bërë sekretares Klinton gjatë vizitës së saj në Tiranë. Menjëherë pas përhapjes së lajmit, një nga komentuesit në forumet e shumta të internetit shkroi: Zoti Berisha i fitoi zgjedhjet në qershor 2013! Në fakt nuk është shaka. Aq më tepër kur një tjetër diplomate e lartë e SHBA, këtë herë zv.ndihmëssekretarja Barbara Leaf, e cilësoi pas këtij zelli Berishën, një “mik të vërtetë të SHBA”. Madje Leaf shtoi se me bashkëpunimin e tij për strehimin e muxhahedinëve, Berisha po jep një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi “në emër të vlerave të jetës dhe të humanizmit”. Komplimente të ngarkuara me aq superlativa sa gati të bëjnë të harrosh se po ky Kryeministër ka toleruar, në mos urdhëruar, vrasjen 4 protestuesve të pafajshëm para syve dhe dritareve të zyrës së tij.
***
Episodi sjell në vëmendje qëndrimin që shtete të demokracive perëndimore, përfshirë dhe SHBA, kanë mbajtur, në jo pak raste dhe në periudha të caktuara, ndaj disa regjimeve autokratike të konsideruara realpolitikisht prej tyre si klienteliste. Është fakt se këto regjime, përfshirë dhe ato të Sadamit, Ben Alisë apo Gadafit, janë toleruar në funksion të interesave më të mëdha strategjike. Një status të tillë prej “klienti” të fuqive perëndimore gëzon, që prej 23 vjetësh, Sali Berisha. Aksionet e tij //////aktokratike dhe etja për pushtet pa fund, që e kanë çuar Shqipërinë deri edhe në prag të luftës civile, janë toleruar nga perëndimorët për hatër të një stabiliteti më të gjerë rajonal dhe për kushedi ç’interesa të tjera, që nuk kanë të bëjnë as me diplomacinë dhe as me politikën. Se ç’ka ndodhur e jep në mënyrë shumë sintetike Fred Abrahams, që ka punuar disa vjet në Shqipëri si misionar i Helsinki Watch, në një analizë pas krizës së vitit ’97:
“Qeveritë perëndimore e dinin për kolapsin e afërt, edhe pse askush nuk parashikonte rezultatet e kobshme. Shtypi perëndimor tregon se disa qeveri ishin në dije të piramidave të gjera të lidhura me korrupsionin, përfshi dhe emra ministrash të përfshirë, por vendosën ta shikojnë problemin ndryshe me qëllim që të ndihmojnë një aleat në rajon. Jo vetëm i mbyllën sytë, por edhe e mbushën vendin me ndihma… si shpërblim qeveria miqësore në Shqipëri lejoi NATO-n të mbajë bazat ushtarake në Ballkanin e turbullt jugor dhe inkurajoi moderimin mes 2.5 milionë shqiptarësh etnikë që jetonin jashtë Shqipërisë në hapësirat e nxehta të Kosovës dhe Maqedonisë në ish-Jugosllavi”.
Po në mars të vitit 1997, ndërsa në Shqipëri shteti po shkërmoqej për shkak të korrupsionit dhe autokratizmit të Berishës, Abrahams i drejtonte një letër botuesit të gazetës “New York Times” (NYT) ku, ndër të tjera, e kritikonte se në një artikull të datës 20 mars të po atij viti, NYT kish zvogëluar masën e promovimit të Berishës nga SHBA, pavarësisht shenjave të autoritarizmit të tij:
“SHBA dënoi në mënyrën e duhur zgjedhjet e dhunuara të majit – të vjedhura nga Partia Demokratike e zotit Berisha – dhe kanë marrë më së fundi një qëndrim më parimor. Por vitet e adhurimit për z. Berisha kanë kontribuar në riinstalimin e një shteti njëpartiak dhe të korruptuar në Shqipëri, gjë që është dhe shkaku i nëndheshëm i krizës së sotme” – shkruante Abrahams në vitin ‘97. Edhe i krizës së sotme, mund të shtojmë ne sot, ndërsa simpatitë për Berishën nuk paskan të sosur edhe pse aktet e tij autokratike nuk kanë të sosur gjithashtu! Ndoshta sepse edhe interesat që mund të përmbushen vetëm duke anashkaluar ato të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri, nuk paskan të sosur. Por edhe sa kohë do të vazhdohet kështu?
***
Që perëndimorët kanë mbyllur njërin sy ndaj korrupsionit dhe dhunimit të njeriut në një vend klient si Shqipëria, duket dhe në qëndrimin e mbajtur nga diplomacia britanike ndaj Berishës që para vitit ‘97. Aq e hapur, jo parimore, e paskrupullt ishte mbështetja europiane për një autoritarist si Berisha, që për më tepër kish ndërtuar një qeverisje të korruptuar thellësisht të bazuar në trafiqe droge dhe armësh, si dhe në thyerjen e embargos së UN ndaj Serbisë, saqë gazetarja Miranda Vickers, në një artikull të asaj kohe në “The Guardian”, i bëri thirrje Europës të rishqyrtonte mbështetjen e pakushtëzuar të deriatëhershme dhënë Berishës, ndërsa një karikaturë e paraqiste Berishën mbi një kuti votimi të shpartalluar. Ndryshimi në qëndrimin e “ndërkombëtarëve” ndaj Presidentit autoritarist Berisha dhe rënia e mbështetjes për të u vunë re vetëm pas dështimit të një operacioni ushtarako-policor për rivendosjen e rendit në Jug të Shqipërisë dhe kur nisi të shihej më qartë se Berisha nuk do të ishte në gjendje “ta fitonte luftën për të qëndruar në pushtet duke përdorur metoda ushtarake”. Vetëm atëherë ministri i Jashtëm britanik, Malkolm Rifkind, deklaroi për radion BBC një ndryshim të qëndrimit ndaj Berishës: “Ne nuk jemi të përgatitur t’i japim mbështetje kur ai vepron në mënyrë autoritare dhe diktatoriale, gjë që, mjerisht, ka qenë një tipar në rritje i regjimit të tij – tha Rifkind, duke shtuar se qeveria shqiptare nuk ka respektuar “as sundimin e ligjit dhe as principet themelore demokratike të medias së lirë dhe të aktivitetit të lirë për opozitën”.
***
Kanë kaluar më shumë se 15 vjet që nga ajo kohë dhe veprimi “në mënyrë autoritare e diktatoriale mbetet tipar në rritje e regjimit të Berishës. Çuditërisht mbështetja perëndimore për të këmbëngul. Duket se një mbështetje e tillë, qorre ndaj dhunimit të standardeve të demokracisë e shtetit ligjor, përveç realpolitikës së ndërkombëtarëve, e ka burimin dhe në servilizmin e njohur të Berishës ndaj tyre. Ai shfaqet i gatshëm të ofrojë shërbime, edhe kur shumë shtete të tjera ngurrojnë, vetëm që të shpërblehet të qëndrojë në pushtet, edhe pse dhunon zgjedhjet apo demokracinë. Një rast i tillë duket edhe ky i muxhahedinëve, për të cilin edhe u përgëzua si “mik i SHBA”. Ka ndodhur edhe më herët. Në vitin 2006, kur Berisha pranoi kërkesën e amerikanëve për të strehuar 6 ujgurë. Madje Berisha ofroi të pranonte në tre vitet pasardhëse edhe nga 3-6 të dënuar. Një dokument i “Wikileaks” citon diplomatë amerikanë, që të befasuar nga ky zell i Berishës, të shprehen se “shqiptarët duan të bëjnë më shumë se ç’duhet, të shkojnë përtej vetëm për të ndihmuar në një prej prioriteteve të politikës sonë të jashtme”. Por Berishës nuk i bëhet fare vonë për këto romuze. Ai e ka provuar se zelli pëlqehet dhe shpërblehet. Dhe prandaj duket e ka shtuar atë, duke ofruar të strehojë shumë më tepër muxhahedinë. Është një zell që sikur rreket të kompensojë te perëndimorët lëkundjen e besimit të shkaktuar, muajt e fundit, nga zelli tij aventuroz për të ndezur shkëndija nacionaliste pranë fuçisë plot me barut të Ballkanit. Po a do mjaftojnë “muxhahedinët” që Berisha të mbajë pushtetin edhe për një mandat të tretë që, nëse ndodh, do të hapte shtegun për një tjetër pushtet të përjetshëm në Shqipëri pas atij të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha? Jo! Por vetëm nëse SHBA, Europa dhe Perëndimi, i përmbahen një diplomacie perëndimore që Presidenti Obama ka skicuar në librin e tij “Guximi për të shpresuar”: “Ne, shkruan Obama, mund t’i frymëzojmë popujt e tjerë që ta kërkojnë lirinë; nëpërmjet forumeve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ne mund të vendosim standarde, të cilat ndiqen edhe nga të tjerët; ne mund t’u sigurojmë fonde demokracive të reja për institucionalizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të trajnojmë gazetarë të pavarur… ne mund të bëjmë presion diplomatik dhe ekonomik ndaj atyre që në mënyrë të përsëritur shkelin të drejtat e popullit të tyre”. Jo, një diplomaci e tillë nuk do ta toleronte një tjetër vjedhje të zgjedhjeve nga Berisha. Pavarësisht nga “dekorata” për muxhahedinët.