Kodi i ri 


Shërbimi jashtë orarit zyrtar, kontratë 1-vjeçare me doganën dhe pagesë çdo 3 muaj


ARD KOLA


Maune-ne-doganePas orës 15:00, dogana ul traun, pra mbaron orarin zyrtar, për t’iu rikthyer punës të nesërmen në mëngjes. Pas kësaj ore nuk punohet më, duke detyruar bizneset të zhdoganojnë mallin me lutje dhe para nën dorë. Më keq është për atë subjekt kur malli vjen të premten pasdite, pasi duhet të presë fundjavën.


Doganat shqiptare duket se kanë gjetur një zgjidhje, për biznesin, por natyrisht edhe për stafin, i cili pritet të paguhet më tepër për punët jashtë orarit. Ankesat e shumta për zvarritje të procedurave të zhdoganimit, pritjet e gjata natën dhe ditët e pushimeve, nuk do të jenë më problem. Në rast se subjekti privat do të kërkojë të mbarojë punë jashtë orarit zyrtar, mjafton të paguajë për shërbimin dhe punonjësi i doganës do të jetë i gatshëm në çdo orë.


Qeveria ka miratuar së fundmi ndryshimet e “dispozitave zbatuese të Kodit Doganor”, duke shtuar disa nene, mbi bazën e të cilit do të mundësohet ofrimi i punës jashtë orarit zyrtar nga punonjës të doganës. Kështu, kur nga operatori ekonomik paraqitet kërkesë për shërbime doganore që kërkojnë prezencë të vazhdueshme të punonjësve doganorë pranë ambienteve të tyre dhe në kushtet, kur për shkak të numrit të kufizuar të punonjësve, autoritetet doganore nuk mund të ushtrojnë shërbimet doganore pranë këtij operatori gjatë gjithë orarit të punës të kërkuar prej këtij të fundit, administrata doganore mund të ofrojë shërbime doganore përkundrejt pagesës, thuhet në nenin 11/6, (pjesa e parë, kapitulli II).


Shpenzimet


Për këtë qëllim, pranë administratës doganore, mund të punësohen punonjës doganorë të rekrutuar, jashtë strukturës së miratuar për administratën doganore, me kusht që operatori ekonomik kërkues në fjalë të marrë përsipër pagesat për të gjitha shpenzimet e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, pa kufizuar detyrimet e tjera ligjore, ku përfshihen paga mujore e punonjësit për gjithë periudhën e kërkuar të shërbimit, tatimi mbi të ardhurat mbi pagën, sigurimet shoqërore sipas raporteve aktuale të kontributit, pagesa e lejes së zakonshme, pajisja me uniformë personeli doganor, pagesa e sigurimeve shëndetësore, sipas raporteve aktuale të kontributit etj. Shpenzimet e sipërpërmendura për një punonjës të rekrutuar do të jenë të barabarta me nivelin aktual të pagesës, si dhe të kontributeve të kategorisë respektive që kërkohet për punonjësit e tjerë doganorë, të emëruar për natyrën dhe llojin e vendit të punës.


Kontratë


Operatori ekonomik i interesuar duhet të paraqesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave një kërkesë me shkrim, si dhe duhet të nënshkruajë një kontratë specifike për këtë qëllim në plotësim të kërkesave, përmes së cilës merr përsipër pagesën për shërbimin e kërkuar. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me miratimin e kërkesës së operatorit ekonomik, nënshkruan kontratën me këtë të fundit për fillimin e rekrutimit të punonjësve për këtë


qëllim. Kontrata duhet të jetë për një afat jo më pak se 1-vjeçar me të drejtë ripërsëritjeje. Palët mund ta zgjidhin këtë kontratë për çfarëdo arsye, duke bërë një njoftim së paku tre muaj përpara përfundimit të saj. Në rast se palët në përfundim të kohës së vlefshmërisë së saj nuk kanë kontestime, atëherë kontrata do të konsiderohet si e lidhur edhe për një vit tjetër e kështu në vijimësi. Në rast të heqjes dorë nga autorizimi respektiv i autoriteteve doganore apo i Ministrisë së


Financave prej operatorit ekonomik a revokimit ose në rast anulimi të këtyre të fundit, kontrata në fjalë do të konsiderohet automatikisht e zgjidhur.


Rekrutimi


Menjëherë me nënshkrimin e kontratës me subjektin, administrata doganore fillon procedurat e rekrutimit të punonjësve, nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur dhe në vijimësi për gjithë periudhën e punësimit do të zbatohen të gjitha dispozitat ligjore e nënligjore, sipas të cilave rregullohen marrëdhëniet e punës së personelit doganor. Me përfundimin e procedurës së rekrutimit për këta punonjës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton për këtë qëllim, përveç strukturave të saj, edhe operatorin ekonomik kërkues. Administrimi i procedurave të sipërpërmendura kryhet nga drejtoria që menaxhon burimet njerëzore.


Në rast të kërkesës për ndërprerje apo prishje të kontratës nga operatori ekonomik, menjëherë me marrjen e kësaj të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të njoftojë punonjësin e rekrutuar se do të zgjidhen marrëdhëniet e punës ose në rast se ka vende të lira pune brenda administratës doganore mundet t’i ofrohet vendi i lirë. Në rast se vendi i ri i punës i propozuar pranohet nga punonjësi i rekrutuar, atëherë ai transferohet në pozicionin e ri të punës pa iu nënshtruar procedurave të tjera të rekrutimit.


Pagesa


Me qëllim garantimin e pagesës korrekte të punonjësve të rekrutuar, të gjitha shpenzimet tremujore (tërësia e pagesave të nevojshme) të sipërpërmendura do të parapaguhen (derdhen) nga operatori ekonomik i interesuar në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pranë Degës së Thesarit Tiranë, jo më vonë se data 25 e çdo tremujori, duke filluar që nga tremujori në të cilin bëhet efektive kontrata e punësimit dhe do të përdoren nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për mbulimin e shpenzimeve. Në rast se shpenzimet nuk parapaguhen në llogarinë e sipërpërmendur, atëherë operatori ekonomik paralajmërohet se do t’i ndërpritet menjëherë shërbimi sipas intervalit kohor të kërkuar prej tij. Nëse pagesa nuk kryhet brenda një afati 10-ditor pas afatit të pagesës së përcaktuar më lart, atëherë kontrata do të konsiderohet e zgjidhur. Çdo e ardhur e ofruar nga operatorët ekonomikë për këtë shërbim, konsiderohet si e ardhur jashtë limitit për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.


 


 


Biznesi: Vendim lehtësues


Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, thotë se vendimi për pagesën nga biznesi për punët jashtë orarit zyrtar është lehtësues dhe i shumëpritur. “Në këtë moment që flasim (pasdite) ndodhen maune që presin të zhdoganohen, por dogana e ka mbyllur shërbimin. Kostot e pritjes janë të shumta”, thotë Zusi, duke shpresuar që tarifat ekstra të mos jenë të larta.


 


Rreziku nga kontrabanda


Kush garanton se doganieri do të zbatojë ligjin në dy të natës, duke lejuar kontrabandën!? Për të shmangur këtë rrezik dhe garantimin e paanësisë së shërbimit nga autoritetet doganore, punonjësit doganorë të rekrutuar, sipas procedurave të miratuara së fundmi, nuk do të jenë të vendosur pranë operatorëve ekonomikë kërkues të shërbimit, por në struktura të tjera të shërbimit doganor. Shërbimi pranë këtyre operatorëve do të mundësohet nga punonjësit doganorë, pjesë e strukturës organike të administratës doganore.


 


Bode cakton tarifat ekstra


Në rastet kur operatori paraqet kërkesë për shërbime doganore apo që kërkojnë prezencë periodike të punonjësve doganorë pranë ambienteve të tyre, një apo disa herë gjatë vitit, administrata doganore mund të ofrojë shërbime doganore përkundrejt pagesës së tarifave të përcaktuara nga Ministria e Financave, e cila merr në konsideratë koston e plotë të këtij shërbimi. Kjo tarifë bazohet në përcaktimet e legjislacionit të punës për këtë qëllim dhe merr në konsideratë shpenzimet e transportit dhe shpenzime të tjera për kryerjen e shërbimit.