Pëllumb Karameta – Çdo qeveri e percepton reformën arsimore si mundësi të artë, përmes të cilës synon të forcojë më tej lidhjen mes kapitalit njerëzor dhe rritjes ekonomike. Ndaj, nuk i kursen mjetet për të ndërtuar një projekt arsimor që rrit aftësitë konkurruese të kombit. Këtë mundësi e pati edhe qeveria “Berisha” dhe e shpërdoroi. Ndërkaq, në kontekstin e premtimeve elektorale, po na ofrohet si gjetje ajo që z. Tafaj e quan “paketa e plotë e kurrikulës” për arsimin bazë. Në vijim, sillen argumente që provojnë se kjo paketë, “riciklim i kallajisur” i kurrikulës aktuale, nuk i vlen shkollës shqiptare të dekadës së ardhshme.
I. Në zanafillën e nismës, MASH-i, drejtuar nga z. Tafaj, deklaronte se kurrikula e re do të orientohej nga modeli kurrikular anglo-sakson. Tani, pas publikimit të paketës, kuptohet lehtë përse ajo nuk pajtohet me këtë model. Nga një anë pengon mënyra tradicionale e konceptimit të kurrikulës dhe kapacitetet njerëzore që e zbatojnë atë. Vendi ynë, historikisht, është dalluar për vendimmarrje kurrikulare të centralizuara në nivelin qendror dhe për lëvrim të shërbimit arsimor bazuar në inputet, çka do të thotë se mësuesve u janë ofruar të gatshme programet arsimore, metodikat, tekstet dhe mjetet mësimore. Ndërsa, në vendet anglo-saksone kanë spikatur vendimmarrjet e decentralizuara; vendimet për përmbajtjen e arsimit nuk janë marrë nga departamentet e arsimit, por nga autoritetet arsimore lokale. Në modelet e sotme anglo-saksone, niveli qendror ofron kurrikulën kombëtare, të cilën ekipet pedagogjike, në kontekstin e lirisë akademike, e përdorin si kornizë konceptimi dhe orientimi për dokumentet arsimore që hartojnë dhe zbatojnë në shkolla. Kapacitetet tona njerëzore, materiale dhe financiare nuk janë në gjendje të përtypin dhe të orientohen nga një model, që ndryshon në paradigmë nga modeli ynë.
Nga ana tjetër, modeli që po zbatohet prej një dekade në Angli, p.sh., ka rezultuar me probleme. Z. Michael Gove, ministër i Arsimit, deklaronte më 19 dhjetor 2011: “Gjatë dhjetë viteve të fundit, sistemi ynë arsimor, sikundër e tregojnë tabelat e klasifikimit të arritjeve në vlerësimin ndërkombëtar PISA të OECD-së, është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme”. [Over the past ten years our education system as measured by performance in the OECD’s PISA international league tables has deteriorated significantly]. Më tej: “Paneli i ekspertëve rekomandoi që të nxëmë nga qasjet e vlerësimit të përparimit të nxënësve, që përdoren në vendet me arritje të larta, përfshirë edhe sistemet më të suksesshme të Azisë Juglindore, qasje që sigurojnë se, çdo nxënës e ka zotëruar përmbajtjen lëndore të trajtuar, përpara se të përpunohet pjesa tjetër”. [Për më shumë informacion, të interesuarit janë të lutur të klikojnë mbi linkun: <https://www.education.gov.uk/schools/teachingandlearning/curriculum/nationalcurriculum2014/nationalcurriculum/a00201093/review-of-the-national-curriculum-in-england>]. Gjithashtu, në kontekstin e nevojës për reformë, departamenti i arsimit informonte publikun: “Çdo matje e arritjeve përforcon sfidën që po përballim. Në vitin 2011, 18% e nxënësve në Angli lanë shkollën fillore pa përmbushur standardin aktual që pritej në lëndën e anglishtes dhe 20% nuk i plotësuan standardet e pritshme në matematikë. Gjithashtu, punëdhënësit dhe universitetet kanë theksuar vazhdimisht mungesën e aftësive në këto lëndë të atyre që përfundojnë shkollat”. (Theksimi – P. K.) [http://media.education.gov.uk/assets/files/pdf/n/
national%20curriculum%20consultation%20document%20070213.pdf; (f. 4)].
II. Etiketa “paketa e plotë e kurrikulës”, që ministri i vendosi produktit, tregon sa “i lodhur” është kuptimi ministror për konceptin kyç të reformës. Ja një fragment nga paketa që e ilustron kuptimin: “Përgatitja për jetën dhe për punën në të ardhmen kërkon që kurrikula e fizikës t’u mundësojë nxënësve […]”. Pra: kurrikula nënkupton programin lëndor, tekstin dhe mjetet. Pra: paska aq kurrikula, sa dhe lëndë mësimore. Në dallim nga ky koncept, sot kurrikula konceptohet si sistem i përbërë nga një tërësi elementesh me synime arsimore që, të lidhura mes tyre, lejojnë të orientohet dhe të funksionojë me efikasitet sistemi arsimor. Sipas këtij kuptimi, ka vetëm një kurrikul për sistemin arsimor. Nga ana tjetër, që paketa e MASH-it të quhet thjesht “kurrikula e planifikuar në nivelin qendror” duhet të rikonceptohet dhe të plotësohet, të paktën, me dy dokumente të tjera kyç: udhëzuesin për zbatimin e programeve të reja dhe orientimet që konkretizojnë politikat dhe modalitetet e nxënies dhe të vlerësimit. Këto dokumente i ndihmojnë mësuesit dhe hartuesit e programeve ose të teksteve të kuptojnë: a) referencën epistemologjike që orienton procesin e nxënies (nxënësi apo mësuesi në qendër; ndërtimi apo transmetimi i dijeve; veprimi i nxënësit në situata apo marrja pasive e informacionit); b) modalitetet e strukturimit të programeve arsimore (organizim me objektiva; me kompetenca; me projekte etj.); dhe c) teknikat e hartimit të paketës didaktike (tekstet e nxënësit dhe udhëzuesit për mësuesin, të shtypur ose dixhitalë). Dokumente të tilla janë “qershia mbi tortë” për kurrikulën e planifikuar në nivelin qendror. Konceptuar kështu, kurrikula e planifikuar kthehet në “instrumentin” që siguron koherencën e përbërësve të sistemit arsimor, të tillë si: programet arsimore, tekstet dhe mjetet mësimore, regjimi gjuhësor dhe ngarkesa e punës; kurrikula shkollore dhe dispozitat normative; udhëzimet për formimin universitar dhe zhvillimin profesional të mësuesve; plan veprimi administrativ që mundëson zbatimin e udhëzimeve kurrikulare etj. Kështu, kjo kurrikul përfshin shumë më tepër se meraku i hartuesve të paketës – kodifikimin e dijeve në programet arsimore (shkrimin e objektivave dhe veprimtaritë e nxënies). E vendosur në kontekstin sistemik, kurrikula përcakton, gjithashtu, udhëzimet kurrikulare që nuk i takojnë vetëm një programi arsimor, por që përshkojnë të gjithë programet. I tillë është, p.sh., udhëzimi themelor për strategjitë dhe teknikat e ndërtimit të kompetencave kyçe në arsimin bazë. Po flas për kompetencat, një nga tri kolonat e kurrikulës, që duhet të përshkojnë tej e ndanë strukturën e çdo programi arsimor. Gjithashtu, edhe kompetenca për nxënien gjatë gjithë jetës, e përcaktuar në ligjin arsimor (neni 13/d), nuk ceket as në kornizë, as në programet arsimore (!!)
Në modelin anglo-sakson, kurrikula i përfshin dhe i orienton programet arsimore. Ndërsa, paketa e MASH-it e deformon raportin mes tyre. Në arsimin bazë, p.sh., fushat e gjuhës dhe e matematikës mbizotërojnë në dëm të fushave të tjera si ato të arteve, shkencave shoqërore, edukimit fizik e shëndetësor. Me sa duket, hartuesit e paketës besojnë se gjuha shqipe u mësuaka vetëm në orët e kësaj lënde. Funksioni thjesht dekorativ i kurrikulës konfirmohet qartë, kur konstaton se edhe komponenti i tretë kyç i kurrikulës – temat ndërkurrikulare – nuk shtjellohet as në programet lëndore, as në standardet e të nxënit (!!)
III. Zhvillimi i kurrikulës i përball vendimmarrësit, së paku, me tri sfida. Së pari, kurrikula duhet të konceptohet për një sistem që trajton nevojat e shoqërisë për arsim dhe trajnim, duke plotësuar dhe nevojat e nxënësve. Më tej, kurrikula u qaset sistemit arsimor, strukturës së tij dhe shërbimeve arsimore me logjikën dhe gjuhën që kuptohen dhe pranohen nga nxënësi, prindi dhe shoqëria. Së fundi, nga kurrikula orientohet kuadri rregullator i institucioneve arsimore dhe i organeve administrative, që krijojnë kushtet e duhura për nxënie. Përballja e këtyre sfidave varet jo pak nga mënyra si trajtohen raportet, si: 1) socio-konstruktivizmi përkundër biheviorizmit; 2) qasja bazuar në kompetenca përkundër pedagogjisë me objektiva; 3) veprimi në situata përkundër transmetimit të dijes.
“Paketa e plotë e kurrikulës” nuk ofron asnjë risi sa u takon këtyre aspekteve; përkundrazi, riciklon kuptimet dhe praktikat tradicionaliste. Dallimet ndërmjet paketës ekzistuese dhe asaj të propozuar janë sipërfaqësore dhe periferike. Të dyja u referohen teorive të vjetruara objektiviste (biheviorizmit dhe kognitivizmit). Programet lëndore theksojnë, sërish, dijet lëndore; ofrojnë veprimtaritë dhe përvojat e nxënësve thjesht si kontekste për konkretizimin e njohurive, në një kohë kur pedagogjia moderne i konsideron pikënisje për procesin e ndërtimit të njohurive dhe kompetencave. Këto të fundit, as që figurojnë në dokumentacionin e ri kurrikular, edhe pse ligji i ri i arsimit, në frymë dhe germë, kërkon pikërisht që kurrikula të hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve. Po kështu, paketa nuk pasqyron kuptimet e reja që sigurojnë një raport të ri mes përmbajtjeve arsimore (jo vetëm lëndore) dhe rezultateve të nxënies. Ky raport pasqyrohet me elegancë, p.sh., në Kurrikulën e re Kombëtare, të cilën Anglia do të fillojë ta zbatojë në vitin 2014. Në këto kontekste, deklarata ministrore se paketa kurrikulare mbështet një sistem arsimor që vë nxënësin në qendër, është thjesht retorikë.
P. S. Zelanda e Re, është një nga vendet që zbaton rekomandimet kurrikulare të shkollës anglo-saksone. Pasi hartoi kurrikulën e re, Ministria e Arsimit kërkoi vlerësimin e saj nga Autoriteti Australian i Kurrikulës. Pyetje: Z. Tafaj, vërtet besoni se këtë përvojë e zëvendësojnë “tubimet” konsultative me vartësit tuaj, si ai i pak ditëve më parë në Peshkopi?!