Ambasadori britanik Nicholas Cannon dhe Ministri i Financave Ridvan Bode nënshkruan sot marrëveshjen për taksimin e dyfishtë. Sipas ambasadorit britanik këto marrëveshje janë një mjet i rëndësishëm në nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe investimeve. Ai theksoi se këto marrëveshje luftojnë shmangien e taksave dhe evazionit fiskal, dhe mbrojnë taksapaguesit nga trajtimi diskriminues.
“Qeveria britanike ka gjetur tek këto marrëveshje një mjet të rëndësishëm në nxitjen e tregtisë dypalëshe dhe investimeve. Ato kufizojnë sasinë e tatimit të paguar kur dividendët, interesi dhe pagesat e tjera rrjedhin përtej kufijve. Ato gjithashtu përmbajnë rregulla më të gjera mbi tatimin e të ardhurave të biznesit, rregulla që luftojnë shmangien e taksave dhe evazionit fiskal, dhe dispozita që mbrojnë taksapaguesit nga trajtimi diskriminues. Ato gjithashtu përmbajnë dispozita për shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve tatimore të shteteve.
Ky është një traktat shumë biznes-miqësor që ndjek Konventën Model OECD në shumë aspekte. Ne presim që bizneset britanike dhe shqiptare do ta mirëpresin. Ne shpresojmë se ky traktat do të shërbejë për të nxitur tregtinë dypalëshe dhe investimet. Në të vërtetë tregues te hershëm nga disa kontakte dhe investitorë potencialë thonë se kështu do të ndodhë”, ka thënë Cannon.
Ai theksoi më tej se për të tërhequr investitorë nevojitet: “një sistemi tatimor i parashikueshëm me rregulla të ndershme dhe të qëndrueshme, një sistem ligjor që është i ndershëm, objektiv dhe merr vendime të shpejta, struktura efikase që të zbatojnë vendimet gjyqësore, veçanërisht në mbledhjen e borxheve dhe kolateralit; dhe një qeveri që kupton shqetësimet e sektorit privat dhe angazhohet në promovimin e rritjes ekonomike”.
26 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)