Gjetjet-paraprake-të-Hulumtimit-Social-Europian-në-Shqipëri-26-mars-2013-14Për të hedhur dritë mbi shumë nga shqetësimet dhe qëndrimet e qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë prezantoi Gjetjet e Sondazhit Social Evropian, i kryer për herë të parë në Shqipëri.


Në bllokun e sondazhit me karakter politik,ka rezultuar se 22.7 % e të intervistuarve ndihen me afër me Partinë Demokratike, 19,6 % me PS-në,1.4 % me FRD, 1.2 % me AK, 1% me LSI dhe po aq me PDIU. Ndërkohë 47,8% e të intervistuarve nuk ndehen afër asnjë force politike. Për sa i përket lëvizjes së elektoratit nga një parti në tjetrën nëpërmjet pyetjes se: Cilën parti kanë votuar në 2009-ën dhe cila është partia me të cilën ndihen më afër sot? Ka rezultuar se PS-63.3%, ruan një elektorat të pandryshuar, ndërsa prej 54.5% e atyre që kanë votuar PD, 2.9% sot ndihen më afër me PS. Lëvizje elektorati ka edhe LSI. Nga 33.3% që kanë votuar këtë forcë politike në 2009-ën, sot 6.7% e tyre ndjehen më afër me PS. Ndërsa PDIU dhe PBDNJ, nuk kanë lëvizje në elektorat.


Gjetjet paraprake të Sondazhit Social Evropian japin pamjen e një shoqërie shqiptare mjaft mosbesuese ndaj institucioneve vendase,mjaft të pakënaqur me gjendjen e demokracisë, ekonomisë dhe performancën e qeverisë, të papërfaqësuar nga alternativat politike aktuale,me gjysmën e demokracisë që dëshirojnë, dhe kërkues për barazi para ligjit, për masa që luftojnë varfërinë, për një media që ofron informacion të besueshëm mbi punën e qeverisë, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë, rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë, dhe rreth 48% shprehen që janë duke punuar pa kontratë. Të pyetur për besimin fetar dhe praktikimin e tij, gjetjet paraprake sugjerojnë një shoqëri që e sheh veten si besimtare në masën 7.8 , por shumë pak prej tyre duket se e kanë të lidhur besimin e tyre me institucionet dhe ritet fetare të rregullta. Vetëm 12% e qytetarëve  pohojnë se ndjekin shërbesa fetare të paktën një herë në javë. Të krahasuara me gjetjet përfundimtare të të njëjtit sondazh në 27 vende të tjera në vitet 2010-2011, gjetjet paraprake për Shqipërinë sugjerojnë se shoqëria shqiptare është më homofobe se 27 të tjerat. Të pyetur nëse mendojnë se gejt dhe lezbiket duhet të jenë të lirë të jetojnë si të dëshirojnë, 53% thonë “Jo”, përqindje më e lartë edhe se disa vende fqinje si Kroacia dhe Greqia.


Përsa i përket nivelit të papunësisë sondazhi tregon se Gjirokastra, Berati dhe Kukësi renditen si tre qytetet me papunësi të theksuar, ndërsa Korça, Shkodra dhe Elbasani janë qytete me numrin më të madh të punësuarve.


Për këtë sondazh janë zhvilluar 1.208 intervista ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet gjatë periudhës kohore dhjetor 2012-shkurt 2013, duke i transferuar të dhënat nëpërmjet tabletave elektronike të lidhura me sistemin GPS.


Në fjalën hapëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrushi, theksoi rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe të krahasueshme për politika publike të bazuara në të dhëna dhe debat publik sa më konkret dhe sa më pak spekulativ, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare 2013. Ai vuri në dukje se të dhënat e nxjerra sot janë paraprake dhe të pjesshme, pasi Ekipi Qendror Shkencor i Sondazhit Social Evropian i bën publike të gjitha të dhënat dhe bazën e plotë të tyre në përfundim të procesit të validimit, në vjeshtë 2013.


26 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)