Teknologjia


Krijoi një aplikim në internet për filtrimin e lajmeve me pak fjalë


afoleshenti anglesNëse ke një ide dhe dëshiron të krijosh një pasuri para se të mbarosh shkollën e mesme, mos mendo se është e pamundur. Në fakt, një adoleshent nga Anglia ia doli mbanë. Ai shiti një aplikacion në internet të prodhuar prej tij te gjiganti “Yahoo” për 30 milionë dollarë.


“Nëse ke një ide të mirë apo mendon se ka një boshllëk në treg, duhet thjesht ta bësh, sepse ka investitorë nëpër botë që pikërisht tani po kërkojnë për të investuar”, i tha adoleshenti Nick D’Aloisio agjencisë “Reuters”.


Shuma e marrëveshjes mbetet sekret, por një burim tha se “Yahoo” pagoi rreth 30 milionë dollarë për shpikjen. Programi arrin të zgjedhë lajmet më të rëndësishme dhe t’i paraqesë ato me pak fjalë në ekranin e celularit. D’Aloisio tha se do të investojë paratë në kompaninë e tij, por mosha që ka aktualisht i shkakton kufizime. “Unë jam i lumtur se punova me prindërit e mi përgjatë të gjithë procesit”, tha ai.


D’Aloisio, i cili jeton në një lagje të pasur të Londrës, i jep rëndësi mbështetjes që i dha familja dhe shkolla në punën e tij.


Ai pati ëndërruar fillimisht për programin ndërsa lexonte për provimin e historisë dy vjet më parë. Atij iu krijua bindja se duhet të krijojë një program që distilon lajmet, në pak fjalë tekste që mund të lexohen në ekranin e një celulari.


Ai u frymëzua nga eksperienca lodhëse e lundrimit në motorin e kërkimit “Google” dhe faqet e ndryshme të internetit për të gjetur informacionin që i duhej për testin e historisë.


Në fillim programi kishte një algoritëm që automatikisht tret lajmet në vetëm 400 germa. Programi tërhoqi vëmendjen e një investitori nga Hong-Kongu, i cili i dha djaloshit 250 mijë dollarë për ta zhvilluar konceptin.


Në vitin 2012, një numër i madh figurash të famshme thanë se po përdornin këtë program dhe në këtë mënyrë u krijua edhe pasuria për adoleshentin londinez. Që nga ajo kohë, programi është shkarkuar në rreth 1 milion celularë.