Shkaqet – “Ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi”, analizojnë ekspertët e “Open Data”.
Maksimumi – Norma e interesit gjatë kësaj periudhe arriti maksimumin prej 11.975 përqindësh
Institucionet – Mbajtësit kryesorë janë dy institucionet e rëndësishme financiare, “JP Morgan” dhe “Deutsche Bank”
Rritja – Yield-i është rritur në mënyrë të ndjeshme në periudhën shtator-dhjetor 2011
Republika e Shqipërisë emetoi Eurobond-in e saj të parë, me vlerë 300 milionë euro në tregjet ndërkombëtare financiare më 4 nëntor 2010. Eurobond-i është një obligacion, pra një titull financiar me afat maturimi më shumë se një vit, i emetuar dhe tregtuar në tregjet ndërkombëtare financiare, pra jashtë kufijve të vendit që e emeton atë. Në momentin e emetimit, yield-i (norma e interesit) ishte 7.625 për qind. Mbajtësit kryesorë janë dy institucionet e rëndësishme financiare, “JP Morgan” dhe “Deutsche Bank”.
Ky instrument financiar është i ngjashëm për sa i përket strukturës, me obligacionet që qeveria shqiptare nxjerr në tregun vendas përmes ankandeve të letrave me vlerë, por dallimi kryesor qëndron sepse: (I) tregtohet ekskluzivisht në tregjet ndërkombëtare financiare dhe jo në tregun vendas (II) është emetuar në euro dhe jo në lekë.
Duke qenë se yield-i lëviz në kahun e kundërt të çmimit, për mbajtësit e Eurobond-it është me interes që interesi të ulet ose të paktën të mbetet afër atij fillestar, në mënyrë që çmimi të ngrihet, gjë që do të rezultojë në fitim në rastin e shitjes.
Edhe për emetuesin e Eurobond-it, është më mirë që interesi të jetë më i ulët, pasi kjo ul koston potenciale të rifinancimit, nëse emetuesi dëshiron të futet në treg për të riemetuar borxh.
Duke analizuar grafikun e ecurisë së yield-it që prej nëntorit 2010, vihet re se yield-i është rritur në mënyrë të ndjeshme në periudhën shtator-dhjetor 2011, gjatë pikut të krizës qeveritare në Eurozonë dhe uljes së kërkesës për borxhin e qeverive më pak të sigurta dhe me renditje të ulët. Norma e interesit gjatë kësaj periudhe arriti maksimumin prej 11.975 për qind. Në këtë moment, nëse qeveria shqiptare do të dëshironte të rifinanconte borxh në euro në tregjet ndërkombëtare, kuponi do të ishte rreth 12 për qind.
Pas dhjetorit 2011, yield-i ka rënë duke arritur normën më të ulët (5.37%) gjatë shkurtit të vitit 2013. Ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar me norma të larta interesi. Kjo ka përmirësuar performancën e Eurobond-it shqiptar dhe aktualisht, qeveria shqiptare do kishte kosto më të ulët riemetimi borxhi, krahasuar me emetimin fillestar.