Kryesoret Intelektualët, peticion kundër rishikimit të historisë nga autoritetet turke

Intelektualët, peticion kundër rishikimit të historisë nga autoritetet turke

118
SHPËRNDAJE

ndryshimi i historiseNisma për rishikimin e historisë nga autoritetet turke ka nxitur reagimin e intelektualëve shqiptarë nga të gjitha trojet. Shkrimtarë, gazetarë, publicistë dhe kritikë nga trevat shqiptare, mes tyre edhe shkrimtari Ismail Kadare janë bashkuar për të nënshkruar një peticion ku kërkohet që rishikimi i historisë të mos bëhet me ndërhyrje të jashtme nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke.

“Faktet historike dhe argumentet shkencore, janë ngjarje dhe momente jetike në historinë e një kombi. Ato s’mund të ndryshohen me ndërhyrje të jashtme, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes një perandorie pushtuese dhe një kombi të pushtuar, pas një qëndrese që përbën një faqe të ndritur jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Evropës.
Pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar. Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit. Nuk mund të pajtohemi kurrë dhe dënojmë përpjekjet e disa pseudohistorianëve dhe të segmenteve të caktuara politike, të cilat përpiqen që shekujt e gjatë të pushtimit osman t’i paraqesin si kohë të bashkëjetesës paqësore dhe të suksesshme. Pashallarët, ushtarakët, zyrtarët apo shtetarët e lartë të Perandorisë Osmane, qofshin këta edhe kryeministra që i kanë shërbyer Portës së Madhe, pavarësisht nga origjina e tyre shqiptare nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare”.

“Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit. Nuk mund të pajtohemi kurrë dhe dënojmë përpjekjet e disa pseudohistorianëve dhe të segmenteve të caktuara politike, të cilat përpiqen që shekujt e gjatë të pushtimit osman t’i paraqesin si kohë të bashkëjetesës paqësore dhe të suksesshme”, thuhet në peticion.
“Ndryshimi i historisë në formë arbitrare, duke i ardhur rreth oreksit të diplomacisë turke, krijon një precedent të rrezikshëm: pas disa vitesh edhe Serbia mund të kërkojë të shpallet vetëm një administratore në Kosovë dhe ajo të vlerësohet pozitivisht për lirinë, pavarësinë, kulturën dhe identitetin tonë.

Të mos harrojmë faktin se nga të gjitha gjuhët e të gjithë popujve të pushtuar nga osmanët, gjuha shqipe u ndalua në mënyrë të veçantë e me forcë. Mjafton vetëm ky fakt për të treguar gjenocidin e Perandorisë osmane kundër shqiptareve, kundër kulturës dhe identitetit të tyre. Ne nuk mund t’i fshehim te vërtetat historike. Mjafton të kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e panumërta të Rilindësve shqiptarë për të parën shkollë shqipe laike, e cila u arrit të hapej vetëm me 7 mars 1887 në Korçë.

Ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar”.
“Ne kemi dëshiruar dhe dëshirojmë që marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve dhe shteteve të tyre respektive të jenë miqësore, të sinqerta dhe në interes të popujve tanë, por siç thoshte Aristoteli i pavdekshëm, “Amicus Plato, sed magis amica veritas”. (“E kam mik Platonin, por e kam më mike të vërtetën).

Në emër të së vërtetës historike, i kërkojmë qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, institucioneve përgjegjëse kulturore dhe akademike si dhe historianëve, që të mos e tradhtojnë ndërgjegjen e tyre profesionale dhe kombëtare, të rishikojnë këtë vendim arbitrar dhe tërësisht antikombëtar, të anulojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe të lejojnë historianët të bëjnë punën e tyre të pavarur shkencore, sipas parimeve dhe metodologjisë së shkencës historike dhe jo sipas interesave, urdhrave dhe vullneteve politikë të qeverisë së sotme të Turqisë”, përfundon peticioni drejtuar krerëve më të lartë të politikës dhe akademive të shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës.

27 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)