Kulturë U përurua dje memoriali me simbolet e diktaturës “Postbllok” konceptuar nga Ardian...

U përurua dje memoriali me simbolet e diktaturës “Postbllok” konceptuar nga Ardian Isufi dhe Fatos Lubonja

994
SHPËRNDAJE

Në një hapësirë jo shumë larg njëra-tjetrës tre objekte që përbëjnë memorialin për Simbolet e diktaturës “Postbllok”, të çojnë larg në kohë. Ajo çfarë është e përbashkët në vitet ku të shpien është dhimbja. Tre rrugë të ndryshme udhëtimi që bashkohen te një ide izolimi dhe pamundësia për të parë qoftë dhe larg një copëz dritë… Një memorial homazh për një kohë e cila solli tortura dhe vuajtje për të gjithë ata që qenë protagonistë të saj. Artisti Ardian Isufi dhe publicisti Fatos Lubonja e kanë ndërtuar konceptin e tyre artistik mbi objekte të kohës që kërkonin të tregonin. Shtylla betoni të marra nga burgu i Spaçit, ku vetë Lubonja kaloi vite të jetës, një bunker simbol i komunizmit në Shqipëri, dhe një copëz muri nga muri i Berlinit janë pjesë të Memorialit të përuruar dje, në lulishten në krah të Kuvendit të Shqipërisë. Shtyllat e Galerisë janë marrë nga miniera e kampit famëkeq të Spaçit. Muri i Berlinit është i mbushur me histori që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste, nga pjesa tjetër e botës, luftën e ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij, shembjen më në fund të tij. Ky mur është dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit.

Ndërsa bunkeri është një simbolikë veçanërisht shqiptare, e cila evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato në të gjithë territorin e Shqipërisë si fragmente të një piramide gjigante absurde. Shtyllat e betonit janë marrë nga galeritë e Spaçit ku punonin ish të burgosurit. Ato synojnë të evokojmë mundimin e kulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anekënd. Memoriali e fton vizitorin jo vetëm të vështrojë nga jashtë, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tre objektet, të hyjë brenda bunkerit, por edhe të rrugëtojë nën dhe nëpër shtyllat e galerisë së Spaçit, duke u kthyer me imagjinatë në atë kohë, për të evokuar kohën e diktaturës komuniste me mungesën e lirisë, vuajtjen, izolimin, persekutimin që e ka karakterizuar… Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryebashkiaku Lulzim Basha, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper. Kjo është një ditë nderimi për ata qindra mijëra shqiptarë, të cilët në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor pranuan të sakrifikojnë e të burgosen, të ecin edhe drejt skuadrave të pushkatimit, por të mos dorëzojnë ata çka ata vlerësonin për njeriun, dinjitetin e tij, besimin te liria, te Zoti dhe fjala e lirë”, tha Kryeministri Berisha. Ndërsa ambasadorja gjermane u shpreh se “Procesi i menaxhimit të së kaluarës është një proces i mundimshëm, i vështirë dhe me pengesa të shumta, ndaj është mirë që me shqiptarët të shkëmbejmë përvoja që padrejtësitë e së shkuarës të mos përsëriten më”. Kryebashkiaku Basha tha se ky instalacion përfaqëson një gjest të munguar përkujtimor dhe refleksioni të kohës që ky vend ka kaluar. Për Lubonjën, ky memorial është një dedikim për të gjithë ata që nuk mundën ta kapërcenin dot kohën e diktaturës dhe të jetonin në këtë kohë. Për kryeparlamentaren Topalli “ky instalacion ka tri momente; i pari lidhet me Murin e Berlinit që ndau Europën përgjysmë; i dyti është bunkeri që simbolizon diktaturën dhe i treti e më i dhimbshmi është Burgu i Spaçit, që ishte ‘Aushvici i shqiptarëve’, vendi i vuajtjes së papërshkrueshme, ku qytetarë të vendit tim torturoheshin në mënyrë barbare”.