Ulja e taksave


Financat hartojnë drafte pa llogaritur kostot, por Berisha thotë se janë 200 milionë euro


Efekti në buxhet përllogaritet sa 10% e totalit të të ardhurave nga doganat dhe tatimet në 2012-n


ARD KOLA


PrintTë paktën tri draftet kryesore, të cilat janë kthyer në projektligje dhe vendime (VKM), që trajtojnë heqjen e TVSH për kategori të ndryshme biznesi nuk e kanë të shoqëruar efektin financiar në buxhet. Premtimet e dy muajve të fundit, Kryeministri po mundohet t’i kthejë sa më shpejt në realitet, duke hequr disa taksa për sektorë të bujqësisë, biznesit të madh, fasonit, biznesit të vogël etj., etj.


Kërkesat e kreut të qeverisë kanë gjetur pa problem zbatimin nga Ministria e Financave, e cila kohët e fundit është vendosur jo pak herë në vështirësi. Porositë për t’i përgatitur sa më shpejt draftet me premtimet e Kryeministrit kanë shkaktuar kaos te biznesi, por më së shumti te buxheti i shtetit dhe të ardhmen që e pret. Heqja e TVSH-së për makineritë e importit dhe lëndët e para bujqësore është një mekanizëm që kërkon analizë konkrete për të parë se çfarë efektesh do të sjellë në ekonominë e të ardhmes. Për fat të keq, projektet e miratuara deri më tani nuk janë shoqëruar me studime se çfarë pritet të ndodhë me buxhetin dhe të ardhurat në arkën e shtetit.


E pakët, por e sigurt, se dy mund të jenë arsyet se pse mungojnë faturat financiare nga ulja e taksave nga ana e Ministrisë së Financave. E para, ministria mund ta dijë faturën e uljes së taksave, por nuk e thotë pasi i druhet reagimit të institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë ashpërsuar qëndrimet ndaj mosdisiplinimit fiskal në ekonominë tonë të brishtë, prekur nga kriza; ose e dyta, thjesht fare, Financat janë treguar të paafta për të analizuar shkaqet dhe kostot, edhe për shkak të kohës së limituar për t’i pasur draftet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, në të dyja rastet institucioni kryesor financiar në vend po tregon mungesë serioziteti, duke vendosur në rrezik fatet e buxhetit të vendit. Përveç projektit për heqjen e tatimit 10 për qind për pagat bruto deri më 30 mijë lekë, efekti të cilës në buxhet arrin në 2.4 miliardë lekë (17-18 milionë euro), të paktën zyrtarisht në dokument nuk kemi të shkruar asnjë ndikim në buxhet për uljen apo heqjen e taksave në sektorë të tjerë. Një herë të vetme, zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, në një konferencë emergjente (si reagim ndaj deklaratave të kreut të PS-së), është shprehur se heqja e taksave për sektorin e bujqësisë kanë efekt minus në buxhet prej 30 milionë eurosh, por kjo është vetëm deklaratë, shifra e të cilës mund të ndryshojë pa asnjë problem.


I vetmi që ka pasur “guxim” është Kryeministri i vendit, Sali Berisha, sipas të cilit, politika e re e taksave, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 200 milionë euro. Mbetet e dyshimtë kjo shifër, në kushtet kur Financat nuk e kanë përmendur ndonjëherë si të dhënë. Megjithatë, edhe në rast se e marrim si të vërtetë, në kushtet kur ndodhet ekonomia e vendit, ulja me ndikim negativ sa 10 për qind e totalit të ardhurave nga tatimet dhe doganat, në një ekonomi me rritje vjetore të PBB-së, mesatare e viteve të fundit me 3 për qind, do të ishte e papërballueshme për financat e vendit.


Sikurse paraqitet në grafikun e ecurisë së të ardhurave në 10 vitet e fundit duket qartë se në vitin 2012 kemi rritjen më të ulët historike, as 0.5 për qind. Rritja më e lartë shikohet në vitin 2008, kur qeveria edhe pse përgjysmoi taksën e tatimit mbi fitimin, siguroi të ardhura të konsiderueshme për shkak të unifikimit të taksës me 10 për qind për pagat (arkëtimet nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale u rritën atë vit me 65 për qind).