Rritja ekonomike, si në vitin 1997

PBB në 2012-n, 1.6%. INSTAT konfirmon parashikimin e FMN, shfryn euforinë e Bodes

Sektori i ndërtimit vijon të mbetet “delja e zezë” e ekonomisë, me tkurrje 15 për qind

ARD KOLA

Rritja ekonomikeNë muajin tetor 2012, ministri i Financave dhe më pas kreu i qeverisë, ironizuan jo pak parashikimet e Fondit Monetar mbi rritjen e pritshme ekonomike të vendit. Shefi i FMN-së për Shqipërinë, Nadir Ilahi, fliste për një skenar të PBB-së rreth 1 për qind, kurse ministri Ridvan Bode për rritje 3 për qind, për vitin 2012. “Faktet tregojnë se FMN-ja nuk ia ka dalë të parashikojë saktë”, kurse dy ditë më pas, Kryeministri thumbonte vlerësimin e fondit “si këndvështrime ndaj gotës gjysmë bosh”.

Ajo çfarë performoi ekonomia shqiptare në 2012-n, u paraqit dje nga Instituti i Statistikave (INSTAT), sipas së cilës, Prodhimi i Brendshëm Bruto ishte rritur me 1.6 për qind në raport me vitin 2011. Kjo shifër qëndron afër parashikimeve të FMN-së dhe gati dy herë më larg euforisë së qeverisë, çka përbën shifrën më të ulët që nga viti 1997, kur ekonomia ra në recesion pas trazirave që shkaktoi rënia e firmave piramidale.

Kështu, ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2012 u rrit me 1.7 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012, u rrit me 0.1 për qind. Në këtë tremujor, degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin posta dhe komunikacioni, industria dhe shërbimet e tjera respektivisht me 24 për qind, 7.8 për qind dhe 7.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm dhe që ndikuan në tkurrjen e PBB-së ishin ndërtimi, transporti dhe tregti hotele e restorante respektivisht me 15.4 për qind, 8.4 për qind dhe 1.7 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012, me rritje u paraqit posta dhe komunikacioni me 6.3 për qind, transporti me 5 për qind. Industria dhe ndërtimi u shfaqën me rënie krahasuar me tremujorin paraardhës, respektivisht me 4.8 për qind dhe 1.4 për qind. Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 6.1 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2011 dhe 1.6 për qind kundrejt tremujorit paraardhës.

“Rritja ekonomike në Shqipëri, prej disa muajsh ne kemi shpallur se nuk do të jetë në përputhje me objektivin e deklaruar në fillim të këtij viti prej 4.3 për qind, por mendojmë se do të jetë një rritje ekonomike rreth 3 për qind e zvogëluar dhe e ngadalësuar krahasuar me objektivin”, ishte deklarata e ministrit të Financave, pas konferencës së përbashkët me FMN-në, ku i pranishëm ishte edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Vlerësimet e FMN-së janë komentuar nga qeveria sipas rastit. “Për sa i përket problemit të rritjes, është në natyrën e Fondit që gotën e sheh gjithnjë gjysmë bosh. Prandaj e vërteta është se të gjitha parashikimet e tyre për rritje ekonomike në Shqipëri janë detyruar t’i rregullojnë në fund nga rezultati, por ata këtë platformë kanë të tyre”, tha Berisha.

Çështja e rishikimit të rritjes ekonomike dhe korrigjimet do të shkaktojnë ndryshime në bilancet e matjes së borxhit publik, duke sjellë rrjedhimisht një rritje të nivelit, por, nga ana tjetër, “fryrje” artificiale të treguesve buxhetorë të të ardhurave dhe shpenzimeve.

 

“Gota gjysmë bosh e Fondit” 

“Është në natyrën e Fondit që gotën e sheh gjithnjë gjysmë bosh. Prandaj e vërteta është se të gjitha parashikimet e tyre për rritje ekonomike në Shqipëri janë detyruar t’i rregullojnë në fund nga rezultati”, deklaroi Kryeministri Berisha në tetor, pas parashikimeve pesimiste të FMN-së.

Autor te 3 Prill 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry