ÇMIMI

FATOS BAXHAKU

CmimiNë këtë dynja çdo gjë e paska një çmim. Të moçmit tanë e thoshin shpesh, porse ja që, “i riu si veriu”, nuk ua vinte edhe aq mendjen. Tani që dëgjojmë bëmat më të fundit të politikës na kujtohen fjalët e pleqve që nuk janë më, për fat të keq.

Për shembull, na kujtohen fjalët e Atë Zef Pllumit. Ai dhe shokët e tij ishin krejt të qartë. Ata paguan jetën e tyre, të mbyllur në birucë, të masakruar, të vrarë, të pështyrë, vetëm në emër të një fjale: lirisë. E dinin se në një kohë diktature të jesh i lirë duhet të paguash një çmim të lartë, të shkosh deri në kufijtë e vetëflijimit. E bënë sepse, çuditërisht, i vetmi vend në Shqipëri ku mund të ishe i lirë, dhe pra ku mund të paguaje çmimin e pamat të lirisë, ishte vetë burgu.

Të tjerë paguan një haraç tjetër. E ulën kokën pa bërë as gëk e as mëk, për 50 vjet me radhë. I çuan ndër zbore, ndër aksione skllavëruese, ia zvetënuan shijet, të bukurën ia bënë të shëmtuar dhe gjembin ia bënë trëndafil, muzikën ia bënë himn lavdirash të marra dhe jo tinguj që burojnë nga zemra, rininë ia rrudhën, ngjyrat ia mpakën, ëndrrat ua ndaluan, shijet ua hidhëruan. E megjithatë, këta paguan çmimin e tyre. As më shumë e as më pak. Kështu e menduan. Nuk kishin rrugë tjetër për të mbijetuar. Këta, shumë prej prindërve tanë, pranuan që jeta nuk ishte gjë tjetër veçse një apartament një dhomë e një kuzhinë, një grua (dhe kjo duhet theksuar vetëm një grua, sepse përndryshe…), një biçikletë, një vatër e qetë, por e heshtur familjare, me shumë shans një frigorifer dhe një punë, pastaj… asgjëja. Askush nuk i bën me faj këta breza që për vite me radhë mbijetuan falë haraçit që paguan. Puna është se kjo traditë “e mbarë” po vazhdon edhe në kohë lirie. Dhe në kohë lirie kemi mundësi që ta vrasim mendjen disi më shumë, të paktën këtë nuk na e ndalon më kush.

Punë pagese, punë haraçesh e termash të tjera si këto të kujtojnë menjëherë një fjalë shumë të mbarë që ne europianëve shqiptarë na ka ardhur nga Arabia: pazarin.

Dy ditë më parë, Edi Rama dhe Kryesia e PS-së vendosën që t’i bëjnë një ftesë zyrtare për koalicion Ilir Metës dhe LSI-së. Si ndër dhëmbë, si me zor, si të luhatur, por e hodhën këtë hap. Pra njësoj si të gjithë ata vendosën të paguajnë një çmim për një gjë që duan të fitojnë: pushtetin.

Deri këtu çdo gjë krejt në rregull. Sipas atyre që thonë që politika ka ligjet e veta, që nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet tona të tokësorëve të thjeshtë, kjo gjë përbën një hap të lehtë, madje për shumëkënd një hap fort të mençur. Mund të jetë edhe kështu, porse ka disa pyetje, nëse na lejohet ne të tjerëve që nuk jemi politikanë.

Më e para nga të gjitha është: Kush do ta paguajë çmimin e atyre viktimave të shkreta të 21 janarit? Ata u vranë, sepse PS-ja, Edi Rama dhe të tjerë “njerëzparti” të opozitës së bashkuar, ua mbushën mendjen se shkaku i varfërisë së tyre, i zhgënjimit të tyre nga demokracia, i të ftohtit të tyre, i errësirës së tyre, i mungesës së tyre të shpresave, i duarve të mardhura të fëmijëve të tyre, i syve të ngulur thellë në zgavra, ishte një dhe vetëm një: korrupsioni i qeverisë së drejtuar nga Berisha me zëvendës Ilir Metën, aleatin e tanishëm të PS-së në këto zgjedhje. E gjitha kjo ndodhi kur në “Top Channel”, Ilir Meta u shfaq duke folur me ministrin e tij për përqindje fitimesh nga vendimmarrja e tyre, për punësime ilegale etj. Është e vërtetë, gjykata e shpalli të pafajshëm, por në këtë vend jo gjithnjë Drejtësi është e barabartë me Gjykatë, përkundrazi. Në emër të cilit çmim, të cilit haraç, të cilit ideal, të cilit hall bëhet ky pazar?

Një pyetje tjetër, meqë jemi te pazaret, është: Kështu si po shkojnë punët, do të kemi një qeveri të ardhshme të majtë të formuar nga “çmimi” Rama-Meta. Bukur fort. Por cila është garancia që do të kemi një qeverisje të fortë e të qëndrueshme? Këta njerëz, që janë sharë e që janë vrarë, në emër të cilit moral do të qeverisin bashkë? Po sikur Metës (që me siguri do të ketë Ministrinë e Ekonomisë në qeverinë e ardhshme) t’i shkrepet e të thotë: Nuk më pëlqen më Rama, po shkoj gjende me Berishën? Kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë. Cilat janë garancitë që tregtarët e politikës i japin miletit?

Ka pasur një përgjigje që ka ardhur nga ana e Tahirit, i cili drejton PS-në e Tiranës. Pak a shumë ai ka thënë se ky është një çmim që duhet ta paguajmë që të shporrim (vini re termin) Berishën. Po pastaj? Po njerëzit, shkaqet, fenomenet që pjellin jo Berishë, por Enver Hoxhë të rinj? E gjithë puna e opozitës në gjithë këta tetë vjet ka synuar vetëm një emër: Berishën, duke harruar që ai është njëri prej nesh, shqiptarëve, një njeri që ka hyrë absolutisht në historinë tonë, në të mira e në të këqija, është shumë herët për ta thënë këtë. Të merresh vetëm me një person, edhe nëse ke të drejtë, tregon, në rastin më të parë se nuk je i aftë të zgjidhësh gjërat, se je i zënë në grackën e çmimit që duhet të paguash njësoj si të tjerët, se e ke të kotë që brohoret që zgjedhjet i kam në xhep, se e ke të kotë që thërret se vetëm unë jam zgjidhja, se e ke të kotë që luan idealistin.

Për ata që e kujtojnë atë kohë, njerëz të tillë, ndonëse me veshje të tjera, me moshë tjetër e ku ta dimë se çfarë, u ngjasojnë atyre që, për të gjetur shtëpi, sepse ndryshe vjehrri nuk ua jepte nusen, punonin në punë vullnetare për shumë vjet në ndërtimin e apartamenteve të pasuvatuara. Punonin një vit, nuk e merrnin, punonin një vit tjetër sërish nuk e merrnin. Pastaj andej nga viti i pestë apo i gjashtë, më në fund, futeshin në një birucë të mjerë që e quanin edhe shtëpi. Nuk mërziteshin aspak për këtë. E dinin, se për të mbijetuar, duhej të paguanin çmimin. Veçse këto gjëra mund të justifikoheshin në diktaturë dhe jo në demokraci. Cili është çmimi që shqiptarët, në emër të të cilëve flasin politikanët, duhet të paguajnë këtë shfaqje cirku njësoj si në kohën e Ali Xhixhës?

Një pyetje të fundit: Meqë të mëdhenjtë e ditkan vetë se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, po atëherë çfarë vlere ka vota? Katër vjet më parë, anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, tërësisht kundërshtarë të Berishës e PD-së (të paktën kështu dukeshin asokohe), e panë veten të çuditur në të njëjtin fron me kundërshtarin e tyre më të egër. Po njësoj edhe anëtarët dhe aktivistët e PS-së i panë shokët e tyre të LSI-së në një llogore tjetër. Po në 23 qershor, cili duhet të jetë çmimi që duhet të paguajnë dhe në emër të kujt?

Autor te 4 Prill 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • kirurg

    Pervec gjerave qe dihen dhe qendrimit personal, qe megjithate e vleresojme, cili eshte opsioni juaj, Baxhaku? Cfare duhet te beje qytetari i thjeshte, i majte? E di qe nuk eshte detyra juaj, po edhe mund te ishte, pse jo, nje nga detyrat funksionale te medias?

    • tim

      o- kirurg!- gjerat qe nuk thuhen, kuptohen!-po te jesh i kthjellet,prandaj eshte mire te heshtesh!!

  • Niku

    Kush do ta paguajë çmimin e atyre viktimave të shkreta të 21 janarit? Sigurishte jo nje PS ne opozite . Cmimin kete rradhe po e paguan nje person , nje person per qytetaret e pergjumur . Po te kishe qytetar do e kishin ndeshkuar fenomenin Meta , por ne pame qe perkundrazi e shperblyen me me teper vota ne 2011 . Kjo eshte Republike e katundareve Bizantin te cilet shperblejne hilen dhe shohin me dyshim integritetin . Kur ky vende te kete qytetare , atehere do kete dhe qeveri si te europianeve .

  • i c’genjyeri

    Bravo Baxhaku. Nuk kam c’te them me teper. Ku pyesin keta per gjakun e attyre qe i cuan ne thertore. Mjafton te sigurojne karriget dhe pashallekun, pra ne dreq te vene parimet. Dhe mundohen gjithandej te justifikojne veprimet e tyre se medemek pas 23 qershorit do bejne namin per 21 janarin. A thua se njerezit harrun qe 21 janari u oranizua nga Rama per bllokun ne duart e Ilirit. Dreqi e mori, po na bejne dhe budallenje. Dhe kete prostitucion na e keshillojne dhe vine e bekoje ca Papandreu e Pitella, qe i kane ndritur partite e tyre. Edhe ata, si tanet kane vepruar ne vendet e tyre, ndaj nuk i votojne me socialistet e tre. Dhe keta maskarenjte tane (me falni per shprehjen, se duhet nje me e rende), ngazellehen me kungimin e tyre se femijet kur u dhuroen lodra. Te lumte Fatos.

  • Curiosityxhasxlanded

    Bravo!!! Shkrim i shkëlqyer!

  • noku

    Noku. Ti Fatos me mir mos merr grua ,se sa te punosh vullnetarisht ne pallatin qe nderton ndermarja. Ne ndermarjen qe punojne te gjith pune vullnetare marrin shtepi edhe ata qe jan te fejuar e qe mendoj per tu martuar.