Ndryshimi i emrit, një vit kohë pasi mbush 18 vjeç

Draft për rregulla të reja në ndryshimet e të dhënave. Shtrëngohen masat

Lorina Mixha

gjendje civile 1Procedurat për të ndryshuar emrin do të shtrëngohen më tej. Madje qytetarëve që nuk u pëlqen emri i tyre do të mund ta ndryshojnë vetëm pasi të mbushin moshën madhore 18 vjeç. Për të nisur procedurat për ndryshimin e emrit, ligji do të lërë në dispozicion periudhën njëvjeçare. Pas kësaj periudhe, qytetarët nuk do të kenë më mundësi për të marrë një emër tjetër.

Sipas një drafti të përgatitur nga Ministria e Brendshme, pritet që ligji për gjendjen civile të pësojë ndryshime. Në bashkëpunim me ekspertë të Bashkimit Europian nga tetori i vitit të kaluar e deri sot janë vërejtur shtim të rasteve të personave që kërkojnë të ndryshojnë të dhënat personale, por që rezultojnë me probleme në vendet e Bashkimit Europian ku dhe kanë qëndruar. Nisur nga kjo, por edhe nga forcimi i masave për kontrollin e gjendjes civile, Ministria e Brendshme ka bërë gati draftet me ndryshime për t’u diskutuar fillimisht në komisionet parlamentare dhe për miratim përfundimtar në Parlament.

Drafti ka parashikuar një procedurë administrative transparente gjithëpërfshirëse në lidhje me atribuimin ose jo të emrit/mbiemrit të ri. Për çdo mosmarrëveshje, rruga e ankimimit gjyqësor është e hapur.

“Kohët e fundit janë vërejtur kërkesa për ndryshime të emrit, mbiemrit nga shumë shtetas dhe sidomos ata të cilët ktheheshin nga shtetet e BE-së, në kategorinë DEPORTIV/INAD. Duke qenë se kjo procedurë normale ligjore u kthye në një fenomen shqetësues për autoritetet shtetërore që përcillej edhe pranë strukturave përkatëse të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian për më tepër kjo mund t’u shërbente edhe elementëve kriminalë për t’i shpëtuar drejtësisë”, thuhet në relacionin e draftit.

Një strukturë e re që do të ngrihet enkas për shqyrtimin e ndryshimeve dhe që do të marrë vendime, sipas draftit parashikohet të jetë edhe një komision.

Me qëllim vlerësimin përfundimtar të kërkesave për ndryshimin e emrave/mbiemrave pranë ministrisë që mbulon punët e brendshme krijohet komisioni kombëtar për vlerësimin përfundimtar të kërkesave për ndryshimin e emrave apo mbiemrave.

Kërkesa për ndryshimin e emrit të përkohshëm të vendosur nga prindërit mund të bëhet nga vetë personi brenda një viti nga data e mbushjes së moshës madhore. Në këtë rast, kërkesa përmban datën dhe nënshkrimin e kërkuesit, si dhe duhet të përcaktojë qartë emrin e përhershëm që kërkohet të merret.

Kërkesa për ndryshimin e emrit ose mbiemrit duhet bërë vetëm një herë dhe për shkaqet e papërshtatshmërisë.

Personi që ka interes për të korrigjuar emrin, mbiemrin e vet për shkak të një gabimi të provuar material të bërë gjatë transkriptimit të akteve të gjendjes civile mund të kërkojë korrigjimin e emrit ose mbiemrit pranë zyrës së gjendjes civile ku ka vendbanimin.

Ky parashikim është respektuar dhe në praktikën aktuale, por që nuk ka qenë parashikuar në ligj, por në akte nënligjore.

Neni 57 i ligjit të gjendjes civile përcakton rastet kur mund të ndryshojë emri/mbiemri. Në projektligj është parashikuar që mbiemri të ndryshojë në rastet e parashikuara në Kodin e Familjes si me martesë, me divorc, dhe në rastet e birësimit, kërkesë të personit të interesuar. Përveç këtyre rasteve është parashikuar mundësia e ndryshimit të emrit apo mbiemrit sipas një procedure vetëm kur interesat individuale nuk bien në kundërshtim me ato publike dhe vetëm në këtë masë do të njihet mundësia e vetme e individit për të ndërruar emrin/mbiemrin dhe sipas një procedure civile ku do të merren në konsideratë edhe plotësimi i kushteve substanciale dhe procedurale.

 

Komisioni

Me qëllim vlerësimin përfundimtar të kërkesave për ndryshimin e emrave/mbiemrave krijohet pranë ministrisë që mbulon punët e brendshme komisioni kombëtar për vlerësimin përfundimtar të kërkesave për ndryshimin e emrave dhe mbiemrave

 

Kushtet e ndryshimit

Neni 57/3 përcakton rastet që edhe kur plotësohen kushtet e ndryshimit sipas neneve të mësipërme shtetasi është në proces gjyqësor ose ku ka vendim dëbimi/largimi nga një shtet i huaj, gjë e cila verifikohet nga organet e Policisë së Shtetit atëherë nuk duhet të procedohet për ndryshim të emrit, mbiemrit derisa të ketë mbaruar procesi gjyqësor apo periudha ku zbatohet ndalimi i hyrjes në një shtet tjetër.

 

 

Emri ndryshon vetëm në rastet:

Sipas rasteve të parashikuara nga Kodi i Familjes në rastin e birësimit

Me kërkesë të personit të interesuar sipas procedurës së parashikuar nga neni 57/1 e vijues, brenda një viti nga mbushja e moshës madhore dhe vetëm një herë, si dhe sipas nenit 45 të këtij ligji

 

Mbiemri ndryshon vetëm në rastet

Sipas rasteve të parashikuara nga Kodi i Familjes

Me kërkesë të personit të interesuar sipas procedurës së parashikuar nga neni 57/1 e vijues

 

Analiza

Nga analiza e modeleve të studiuara konstatohet si parim i përbashkët mbi ndryshimin e emrit/mbiemrit është fakti që ky ndryshim kryhet vetëm rrallëherë dhe për rastet e papërshtatshmërisë ku futen rastet e emrave përçmues, fyes, racist, mosshqiptimi i lehtë i tyre, si dhe në rastet e gabimit të provuar material.

 

Procedura e parashikuar

Ndryshimi i emrit dhe mbiemrit nuk konsiderohet më si e drejtë

Në projektligj janë parashikuar shkaqet dhe arsyet se kur mund të kërkohet ndryshimi i emrit/mbiemrit, rastet kur ndalohet dhe kur kemi të bëjmë me korrigjim të gabimeve materiale. Ndryshimi i emrit/mbiemrit nuk duhet të konsiderohet më si një e drejtë, sepse në këtë rast flitet për sigurinë publike dhe garantimin e pacenueshmërisë dhe vërtetësinë e dokumenteve të identitetit që lëshohen në Republikën e Shqipërisë prandaj projektligji parashikon një procedurë ekstremist strikte të gjatë, por të nevojshme burokratike, që respekton të drejtën e personave kërkues pa pasur një procedurë administrative korrekte që respekton edhe të drejtat e të tretëve në përputhje me legjislacionin aktual në fuqi, që më pas mund të ankimohet në gjykatë sipas kodit të procedurës administrative.

 

Masat shtesë

Kufizimi i mundësive të ndryshimit të emrit/mbiemrit vetëm në rastet e divorcit, martesës, adoptimit apo ndonjë gabim në transkriptimin e të dhënave

Modifikimet në procedurën e ndryshimit të emrit me qëllim përfshirjen e një nivelit të dytë kontrolli dhe autorizimin e ndryshimeve në shërbimin e gjendjes civile

Kontrolli i brendshëm i zyrave të gjendjes civile duhet të forcohet edhe më shumë

Autor te 4 Prill 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • hysnije

    po nese une dua te rimarr mbiemrin e vajzerise,por pa u divorcuar ,eshte i mundur ky ndryshim?faleminderit