Mediat italiane: Shqiponjat fluturojnë drejt Botërorit historik
Altin Manallari
Shqipëria, ose më saktë Toka e Shqiponjave. Shqiponjës, shpendit të bekuar e nderuar dikur hyjni. Kjo është Shqipëria. Kështu shkruan gazeta italiane “La Nuova Ferrara”. Në futboll, shqiponjat kuqezi nuk kanë fluturuar asnjëherë kaq lart. Nuk kanë arritur kurrë kualifikimin për në fazën finale për çfarë do evenimenti ndërkombëtar. Por tani era po ndryshon. Pas shumë vitesh paqëndrueshmërie teknike (kanë pasuar njëri-tjetrin shumë trajnerë, nga Dosena te Brigel, nga Bariç te kroati Josip Kuzhe), kombëtarja shqiptare ka gjetur drejtimin e duhur.
De Biazi
Xhani de Biazi, në drejtimin e shqiponjave po bën një punë të mrekullueshme, rezultatet e të cilit tërheqin vëmendjen e të gjithëve: vendi i dytë në grupin E të eliminatoreve, 2 pikë larg Zvicrës kryesuese (9 kundër 11, të dy skuadrat kanë luajtur 5 ndeshje), fitorja e fundit, por e paharrueshmja, kundër Norvegjisë, shkatërrimi 4-1 i Lituanisë në miqësoren e pak javëve më parë, renditja e FIFA-s. Për Botërorin 2014 në Brazil kualifikohen fitueset e 9 grupeve europiane dhe 8 më të mirat e vendit të dytë do të luajnë në “play off” me ndeshje vajtje-ardhje më 15 dhe 19 nëntor. De Biazi është plotësisht në garë. Por ai frenon disi: “Kam frikë nga ekzagjerimi, një ditë je fenomen dhe ditën tjetër të shkelin me këmbë… Megjithatë, po ecim mirë, po japim një shpresë, që më parë as nuk ekzistonte. Mungojnë 5 ndeshje deri në fund të mbylljes së fazës eliminatore në grupe, na presin shumë vështirësi, por te njerëzit ka shumë entuziazëm dhe interes. E gjithë kjo i bën mirë futbollit shqiptar”.
Grupi E
De Biazi e ka shumë të qartë se cilat janë ndeshjet kyçe: “Më 7 qershor presim Norvegjinë: nëse i mundim, fitojmë më shumë besim te vetja, por do të jetë një sfidë e vështirë, sepse do të mungojnë tre lojtarë kyç, mes të cilëve kapiteni Lorik Cana (i Lacios). Të shikojmë, më pas do të kemi transfertat në Slloveni dhe në Islandë dhe do të presim Zvicrën: është më e fortë se ne, por në shtëpinë tonë, nëse do të jemi në formën më të mirë, mund të fitojmë ndaj tyre”. Nga pankina e Spal te “Paolo Mazza”, nga ajo e Shqipërisë te… “Maracana” (nëse do t’i shkojnë deri në fund…)? De Biazi nënvizon: “Brazili? Është shumë larg, kemi shumë rrugë për të bërë, por e pranoj: unë mendoj për të. Dhe i qëndroj besnik motos, që më është bërë shumë e dashur që nga koha e Modenës, kur u ngjitëm nga C1 në Serinë A: ndiq me forcë ëndrrat e tua dhe kështu do të bëhen realitet”.
Zgjedhja
Por si vendosi De Biazi të shkojë në Shqipëri? Ish-trajneri i Spal e shpjegon në mënyrën e tij, me entuziazmin e zakonshëm, me dialektikën madhështore, me sinqeritetin e tij dhe me pak ironi: “Doja të largohesha nga ky futboll… i sëmurë. Flasin të gjithë, edhe ata që nuk kanë të drejtë, ka shumë sipërfaqësorë, të shumtë janë ata që do të dëshironin të imitojnë Barcelonën, ku në fakt vetëm Barça mund t’i lejojë vetes të bëjë atë që bën dhe të tjerët duhet ose robtohen me atë që kanë në dispozicion: pa korrektësi nuk ecet përpara, ashtu sikurse në jetë. Dhe sot, për fat të keq, roli i trajnerit vlen gjithnjë e më pak. Kështu i dhashë vetes pak më shumë hapësirë për të medituar dhe më pas zbarkova në anën tjetër të bregut…”.
Shqipëria
Pikërisht në Shqipëri. Xhanino rrëfen: “Kisha dëshirën për një përvojë jashtë Italisë, në një kontekst dhe me detyra të ndryshme. Kur më erdhi oferta nga Shqipëria kam reflektuar paksa, kam refuzuar një pankinë të Serisë A dhe kam pranuar menjëherë këtë mundësi. Kam shkuar në Tiranë me një entuziazëm të madh”. Por De Biazi nuk jeton në Shqipëri: “Baza ime është Koneljano, shtëpia ime. Por marr avionin nga Venecia kur duhet të shkoj në ndonjë vend. Kam një staf të mrekullueshëm, me Paolo Tramexanin, përgatitësin atletik Alberto Belè dhe Angelo Perenin, që thuajse në moshën 70 vjeç ka një ekuilibër të madh dhe po aq entuziazëm. Po bëjmë një punë të mirë, kam dhe kemi bërë një punë shumë të mirë me zbulimin e talenteve, kam rinovuar Kombëtaren duke zbuluar lojtarë kudo, si portieri Berisha në Suedi te Kalmar (i datëlindjes ‘89, që ka një të ardhme të madhe) ose mbrojtësin e Empolit, Hysaj (i datëlindjes ‘94): dëshiroj të jap vazhdimësi, projekti mund të vlejë për tetë vite”. Brazili është larg. Por De Biazi është në fluturim me Shqiponjat.