Berisha: Të zëvendësohen urgjentisht të punësuarit e LSI-së në administratë


berisha durresSali Berisha nuk humb kohë për të aktivizuar operacionin më të madh të Partisë Demokratike në fushatën për zgjedhjet e 23 qershor, i cili do të përqendrohet në Tiranë. Menjëherë pas emërimit të ministrave, pjesë e listës për deputetë në kryeqytet, Kryeministri ka mbledhur strukturat e PD-së së Tiranës, për të nisur një ofensivë në të gjithë kryeqytetin me qëllim për të zbutur efektin Topi-Spahiu. Berisha u ka bërë të ditur zyrtarëve të PD-së se duhet të nisë zëvendësimi i strukturave shtetërore ku janë të punësuar njerëz të LSI-së me militantë të njohur dhe me influencë të së djathtës. Gjithashtu, u është bërë e ditur se duhet të zgjidhen komisionerë tepër të besuar në 11 komisionet zonale të administrimit zonal të Tiranës dhe në 11 grupet e numërimit të votës. Kreu i PD-së u ka kërkuar strukturave që të propagandojnë në bazë ndryshimet në kabinet dhe në veçanti ministrat e rinj që do të jenë në listat për deputetë të Qarkut të Tiranës.


Tre ligjet


Ditën e djeshme, kreu i qeverisë, ka bërë të ditur edhe një amortizim të kushtit të LSI—së për PS-në, që është votimi i 3 ligjeve të integrimit. Siç duket kreu i PD-së dëshiron që këtë “kalë beteje” të mazhorancës, që kërkon 84 vota ta ruajë edhe pas zgjedhjeve, nëse kalon në opozitë. Berisha ka deklaruar se edhe nëse bindet Rama për të votuar 3 ligjet, ato nuk do të votohen tani, por pas zgjedhjeve me referendum. Pasi ka dalë nga mbledhja me strukturat e PD-së së Tiranës, Kryeministri deklaroi: “3 ligjet janë pengu me të cilat Edi Rama mori statusin e vendit kandidat. Qeveria dhe mazhoranca kompletoi të gjitha reformat, me të cilat u bë e mundur që Komisioni Europian të rekomandojë statusin. Edi Rama i bllokoi ato me votat e tij vetëm e vetëm që Shqipëri të mos marrë statusin. Tani siç njoftuan burimet më zyrtare të Brukselit, nuk ka më kohë për t’u bërë raport për Shqipërinë për t’ua paraqitur ministrave. Pasi u sigurua se nuk do të bëhet raporti për statusin, i përdori këto për t’u hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë, duke thënë i votoj, s’i votoj, po i votoj, s’i votoj, por e vërteta është se po nuk i votoi ato, do t’i votojë sovrani me një votë plebishitare me referendum pas fitores dhe gjatë mandatit të ardhshëm të Partisë Demokratike”.


Piktori


Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një vizitë në Durrës, vetëm për një batutë politike për të sulmuar rivalin e tij, Edi Rama. Siç bëri disa ditë më parë, me ngjalat, ku siç mësohet ishin dërguar në rezervat me qëllim nga stafi i Kryeministrisë, edhe dje, kreu i qeverisë ka shkuar në varrin e piktorit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra, në Ishëm. Ndërsa ka vizituar eshtrat e piktorit të njohur shqiptar, Ibrahim Kodra, në Ishëm, Berisha ka thënë se Zoti duhet të shpëtojë të majtën shqiptare nga një piktor i dështuar. Ndërsa Shqipërinë, sipas tij, e ka shpëtuar nga Rama e djathta. “Lutja dhe urimi im është që zoti e shpëtoftë  të majtën shqiptare nga piktori i dështuar, Edi Rama. Shqipërinë e ka shpëtuar dhe do ta shpëtojë e djathta e bashkuar e saj”, tha Berisha. Në fund Kryeministri, ka thënë edhe dy fjalë për Ibrahim Kodrën. “Erdha sot të përulem me nderimin më të madh para gjeniut të pikturës shqiptare dhe një prej piktorëve më të mëdhenj të kohës së vet, Ibrahim Kodra”, tha Berisha. Në Qarkun e Durrësit, dje Berisha ka inauguruar rrugën Shijak – Gjepalaj. Në një fjalim para mbështetësve, Kryeministri deklaroi se “Shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve si forca politike, të cilat integruan Shqipërinë në NATO, liberalizuam vizat. Forca politike që ngritën dhe infrastrukturën më moderne në Shqipëri, transformuam Shqipërinë rurale, ulen papunësinë, dyfishuam rrogat dhe pensionet. 4 vitet e ardhshme PD dhe e djathta do e shndërrojë Shqipërinë në vendin e zhvilluar”.


 


Bashkimi Europian


Stano: Nuk do të ketë raport më 16 prill


Peter Stano“Riorganizimi politik në Shqipëri nuk do të ndryshojë pritjet e Brukselit, që kërkon ndaj Tiranës zyrtare të kalojë nga fjalët në vepra”. Kështu ka deklaruar Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit europian për zgjerim, Stefan Fule “Në këtë fazë dëgjuam dhe deklarata, por kemi nevojë për rezultate”, thotë Stano shkruan Ansa. Ndërkohë, më 16 prill nuk do të ketë raport mbi Shqipërinë nëse nuk ka zhvillime mbi pritshmëritë e Brukselit, sikundër pritet për vende si Maqedonia, Serbia e Kosova. “Kështu që komisioni do shpallë raport për Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Komisioneri Fule ka thënë për Shqipërinë, që është i gatshëm të raportojë nëse ka progres në procesin e integrimit. Deri tani ka vetëm deklarata dhe ne presim rezultate”. Ajo që ka rëndësi, theksoi Stano është “konsensusi politik për të bërë hapa para, nën një shpirt dialogu konstruktiv dhe bashkëpunues”.