Shpëtimi në Shqipëri, bujë në SHBA

Katër libra janë shkruar për këtë ngjarje të jashtëzakonshme në SHBA, katër libra plot nderim për shqiptarët që ndihmuan në këtë operacion shpëtimi në rrethanat e rrezikut ekstrem të luftës. Por në Shqipëri, kjo ngjarje për më shumë se 50 vjet mbeti “sekret”. Enigma zbardhet vetëm këto ditë, përmes një dokumentari të titulluar “Mbrojtur në Shqipëri: nëntor 1943-shkurt 1944”, realizuar nga gazetarja dhe kërkuesja shkencore Monika Stafa (MA) dhe mbështetur nga ambasada amerikane në Tiranë. Dokumentari u prit me interes gjatë prezantimit në kinema “Imperial”, në “Sheraton Hotel”, Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, z. Aleksandër Arvizu. Në fakt, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ngjarja u mbajt sekret edhe në SHBA. Asnjë fjalë, asnjë lajm, asnjë njoftim qoftë dhe i shkurtër. Arsyeja e kësaj heshtjeje publike është e thjeshtë. Aleatët europianë të përfshirë në luftë kishin nevojë për spitale ushtarake dhe për ndihmë e shërbim ndaj të plagosurve. Kjo detyrë u kishte rënë si një peshë e rëndë amerikanëve. Ata duhej të siguronin jo vetëm ilaçet, por sidomos, personelin e shërbimit human të asistencës ndaj të lënduarve në luftë. Por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shërbimi infermier ka qenë dhe është vullnetar. Publikimi atëkohë i një lajmi për rrëzimin diku në malet e Ballkanit i një avioni me infermiere, vajza të reja vullnetare që kishin pranuar të shërbenin përmes këtij misioni sa të rrezikshëm aq edhe human, mund të ishte me pasoja të rënda në opinion. Shtatë dekada më parë, në nëntor të vitit 1943, në prag të dimrit dhe të shpërthimit të operacionit nazist kundër luftëtarëve antifashistë, në afërsi të Belshit, avioni C-53 amerikan i shërbimeve humanitare u detyrua të bënte një ulje të paparashikuar. Gjatë katër muajve me radhë, skuadra nr. 807, që kishte në përbërje infermiere, mjekë dhe ekuipazhin e avionit, përshkoi gati gjysmën e Shqipërisë së Jugut, përmes shumë rreziqesh, derisa, në muajin mars, arriti të evakuohej drejt Italisë. Kjo ngjarje, në kohën kur ndodhi, la gjurmë në kujtesën e shkruar. Misionet ushtarake amerikane të pranishme në Shqipëri ndiqnin me shumë vëmendje aventurën e skuadrës nr. 807; vetë presidenti Rusvelt njoftohej thuajse ditë për ditë. Por dokumentari i ri shqiptar për fatin e infermiereve, mjekëve dhe pilotëve amerikanë zbulon përmes fakteve dhe intervistave rolin dhe kontributin e shqiptarëve, veprimtarë antifashistë dhe miq të Shteteve të Bashkuara, si Hasan Gina e Kostaq Stefa. Ky i fundit, pas luftës, e pagoi rëndë këtë shërbim humanitar, duke u dënuar me pushkatim. Por, gjatë viteve të fundit, pas rënies së diktaturës komuniste, kujtesa e shkruar e të mbijetuarve u ringjall. Librat e Agnes Jens Mangerich “Escape from Albania”, të Lawrence Abbot “Out of Albania”; libri “And if I Perish” dhe, së fundmi, libri i gazetares Cate Lineberry, bënë të ditur shumë fakte që ndërlidhin kujtesën shqiptare dhe atë amerikane, gjë që gjejnë pasqyrim në dokumentar. Së paku tre autorë amerikanë: Agnes Jens Mangerich, Peter Lucas dhe Cate Lineberry kanë ardhur në Shqipëri për të zbuluar se cilët qenë shqiptarët e parë që u kujdesën për të shpëtuar jetë njerëzish amerikanë. Një odise e tërë lidhet me zbulimin dhe gjetjen e heroit shqiptar të quajtur Hasan Gina apo Hasan Verçani. Dokumentari synon të zgjojë kujtesën e shkruar dhe atë gojore të shqiptarëve, duke e pasuruar më tej bankën e të dhënave për këtë ngjarje, duke përcjellë mesazhin e nderimit për të gjithë ata që bënë flijime në një luftë të drejtë që i kishte bashkuar si aleatë. “Por një prej dëshmive më të rëndësishme, krejtësisht të panjohura deri më sot, që ndriçon këtë ngjarje, u gjet pasi kishte përfunduar postproduksioni dhe ishte caktuar data e promovimit të dokumentarit”, thotë gazetarja Monika Stafa. Ato i takojnë arkivit të trashëgimtarëve të Hasan Ginës, një prej njerëzve të parë që ra në kontakt me skuadrën amerikane nr. 807, para se mbrojtja e saj të bëhej çështje e aleancës antifashiste. Hasan Ginën e kërkoi Agnes Jens Mangerich në udhëtimin e saj në Shqipëri në vitin 1993; e kërkoi më vonë Peter Lucas, e kërkoi vitin e kaluar edhe kolegia e “New York Times” Cate Lineberry. Fati e deshi që arkivat e tij të na ofroheshin për dokumentarin shqiptar. Hasan Gina, ashtu si Kostaq Stefa, kishte mbaruar një shkollë amerikane, shkollën teknike-bujqësore të Kavajës; dinte anglisht, kishte simpati për vendin simbol të lirisë, u vu në shërbim të misionarëve të rrezikuar. Hasan Gina pati një rrugë tjetër: antifashist si dhe Kostaq Stefa, pas luftës nuk u akuzua për veprimtari në shërbim të imperializmit. Fillimisht u mbajt afër pushtetit, por më vonë u mënjanua: Ishte koha kur Enver Hoxha po përgatiste librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Kështu, pas rreth 70 vjetësh, zbardhet ana shqiptare e një prej operacioneve më interesante të shpëtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ngjarje që nderon shqiptarët dhe vendin e tyre.

Autor te 6 Prill 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • disqus_ig3S2vWF0J

    Shume inetersante! Por kjo ngjarje eshte trajtuar ne muzeun e gjirokastres qe eshte peruruar vjet ne shtator