ARTAN LAME


Artan LameDiskutimi dhe debati i ashpër deri në patetizëm se pse PS-ja pranoi të bëjë aleancë me LSI-në, nxori sidoqoftë në pah një të mirë të madhe: shqiptarët paskan avancuar në kodet morale të tyre. Fakti që, një masë e madhe njerëzish, kërkuan moral në politikë, tregon se shoqëria shqiptare ka kryer hapa të mëdhenj moralë përpara.


Kur hyjmë pastaj të shohim se cila pjesë e shoqërisë është ajo që më së shumti reagoi me argumente moralë, shohim se është pikërisht ajo pjesë e shoqërisë që është më e avancuara, populli mediatik, frekuentuesit e rrjeteve sociale, përdoruesit e “Facebook”-ut, qytetarët, shtresat intelektuale, të rinjtë ende të pamolepsur. E gjithë furtuna që kaloi, tregoi se kjo pjesë e shoqërisë tashmë e ka tejkaluar politikën dhe madje po i bën presion asaj për moral. Në fund të fundit, të paktën kjo pjesë e shqiptarëve ka arritur në Europën e moralit publik. Se, nëse një ministër anglez jep dorëheqjen për 100 sterlina të harxhuara nga paratë e shtetit, kjo nuk ndodh thjesht sepse ai është burrë i mirë, por sepse nëse nuk jep dorëheqjen, nuk e votojnë më. Pra është politika që i përgjigjet nevojës së publikut, se përndryshe nuk mbijeton dot.


Ndërsa këtu ndër ne, nëse një ministër kapet me presh në dorë e në trastë dhe vazhdon të votohet njësoj a edhe më shumë, këtu nuk është më faji i tij, por i atyre që vazhdojnë ta votojnë njësoj. Bash për këtë, kohë më parë në një shkrim me këtë temë, gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht thosha se ne nuk duhet të ndërrojmë politikanët por popullin. Kur populli i thjeshtë të arrijë shkallën e qytetarisë që të tillë ministra t’i zërë me gurë, kategoria e politikanëve të këqij zhduket vetiu nga skena.


Reagimi i ditëve të fundit, e provoi që një pjesë e mirë e shqiptarëve e ka arritur këtë shkallë vetëdije për moral dhe ndershmëri në politikë. Halli është nëse kjo pjesë a ishte aq e shumtë që në një votim të nesërm ta përmbyste sistemin e ngërthyer keq të ngritur e kolauduar nga Saliu? Këtu debati kthehet në punë përqindjeje dhe numrash. Jo po 48%, jo po 54%. Dhe, nëse më 23 qershor rezultonte që ky hesap të dilte i gabuar, i binte që të vazhdonim edhe një mandat tjetër duke mbushur rrjetet sociale me sharje për politikën dhe me shfryrje dëshpëruese se ky vend s’bëhet.


Pa rreshtuar këtu edhe gjithë radhën e atyre që do fillonin akuzat e zakonshme se Rama s’bashkoi të majtën, se i donte të gjitha për vete, se në politikë duhet të bësh kompromis e plot si këto që u thanë, madje dhe unë i kam thënë, në 2009-n. Hip se të vrava, zbrit se të vrava, me një llaf. Rama më 2009-n provoi ta përmbyste sistemin pa bërë kompromise dhe dështoi. Ta provonim prapë thoni?


Na thonë që jemi në demokraci. Në fakt, demokracia është një shpikje anglezësh që kanë nja 800 vjet që e lozin këtë lojë dhe që kanë 200 vjet që mezi po jua mësojnë edhe francezëve e italianëve, lëre pastaj ne të tjerëve të Ballkanit, por nejse. Të paktën me letra jemi në demokraci. E pra, në këtë lloj sistemi, ka dy mënyra të lejueshme për të përmbysur të keqen: ligji dhe vota.


E provuam me ligj, e denoncuam në Parlament, u denoncua në media, e çuan në gjykatë, ia bënë edhe ekspertizën me FBI. Në fund ç’ndodhi? Hiçmosgjë, gjykata e nxori të pafajmë. Epo s’doli gjë me ligj, hajt ta dënojmë me votë. Shkuam në votime, por kësaj radhe, pas gjithë atyre që kishin ndodhur e denoncuar, jo që nuk pati humbje, por mori vota edhe më shumë. Atëherë si i bëhet hallit?! Duam a s’duam qenë 100 mijë shqiptarë që mirë a keq e quajtën të pranueshme këtë sjellje politike. A s’kanë të drejtë edhe këta që të jenë pjesë e qeverisjes, me shpresën se koha do të bëjë të vetën në avancimin e tyre shoqëror?


Ja e lamë më nj’anë demokracinë. Shoqëria njerëzore ka dy mënyra për të shkuar përpara: evolucionin dhe revolucionin. Kombet e qytetëruara përgjithësisht zgjedhin evolucionin për dy arsye. E para, sepse kështu nuk shkatërrohet e gjithë struktura e vendit; dhe e dyta, sepse duke qenë të qytetëruara, klasat drejtuese e kuptojnë se deri ku mban ujë pilafi dhe, përpara se populli të zërë rrugët me barrikada, lëshojnë pe dhe përmirësojnë sistemin.


Rruga tjetër është revolucioni. Jo më kot revolucionet janë karakteristikë e popujve të prapambetur, me elita edhe më të prapambetura, që nuk duan të kuptojnë ndryshimin e kohëve. Këtu kazani zien e valon derisa shpërthen në revolucion a kryengritje që, vërtet i fshin elitat e vjetra, por shkatërron e merr përpara edhe sa e sa të mira. Tani, nëse ia keni ngenë, hajt t’i hyjmë kësaj udhës së kryengritjes po deshët, marrim pushkët, dalim malit dhe ta zbresim Saliun nga kali me luftë, siç bënë etërit e tij më ‘44-n, apo siç bëmë ne të gjithë me të, më ‘97-n. Më ngjan ca si shumë e përpjetë kjo rrugë dhe e pavend edhe për Europën e shekullit XXI, edhe për shqiptarët që zor se do ishin të gatshëm për këtë punë.


Megjithëse mos harroni se edhe në ‘97, Saliun nuk e rrëzoi kryengritja popullore për demokraci, se po të qe për këtë, kryengritja duhej të kishte ndodhur që në maj të ‘96-s, kur ai vodhi ashiqare zgjedhjet me dajak në dorë. Shyqyr i Zotit që marrëzia e Saliut me piramidat përfshiu xhepat e shqiptarëve dhe këta u ngritën bash për këtë punë, kur panë t’u avullonin paratë nga xhepi. Por edhe pas kësaj, zor se do ta kishin rrëzuar dot po të mos t’i ndihmonte edhe paaftësia e Saliut për të bërë shtet dhe ky ju shkri si kripa në ujë brenda javës. Po të mos qe për këto, Saliu do mbretëronte i qetë siç po mbretëron tash 8 vjet. Kjo, për arsyen e thjeshtë se, ende numri i shqiptarëve që venë kokulur pas partive është bajagi i madh.


Partitë në demokraci nuk shërbejnë vetëm për të qeverisur në emër të ca njerëzve mbi ca njerëz të tjerë. Partitë, në sistemin që duam të ngremë, shërbejnë edhe si forca të mëdha edukuese dhe qytetëruese të popujve të tyre. Nëse PS-ja ia doli t’i bëjë të rrudhin buzët për një moment shumë prej anëtarëve dhe mbështetësve të saj, kjo tregon se ia paska dalë në këtë ndërmarrje të madhe qytetëruese.