Botë Ashton pret përgjigje nga Thaçi dhe Daçiç

Ashton pret përgjigje nga Thaçi dhe Daçiç

95
SHPËRNDAJE

Thaci, Dacic AshtonZëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE: Vendimi në pak ditë. S’ka bisedime shtesë

Ndërmjetësja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, baronesha Catherine Ashton, vazhdon të jetë në pritje të përgjigjeve nga Prishtina dhe Beogradi në lidhje me propozimin e shtruar në takimin e 2 prillit.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiç, e cituar nga “RTK”, tha të premten se vendimi i palëve, nëse janë të gatshme për marrëveshje, pritet brenda disa ditëve.

“Konsultimet po vazhdojnë dhe priten përgjigjet nga të dy kryeministrat. Elementët e marrëveshjes janë të njohur për të dyja palët, pasi janë pikërisht ato për të cilat është debatuar në raundin e fundit të dialogut, të martën e kaluar. Prandaj dhe nuk ka plane për ndonjë raund të ri dialogu”, deklaroi Koçijançiç.

Ajo çfarë po e mban peng marrëveshjen janë kompetencat në gjyqësor e polici për asociacionin serb, në të cilat po këmbëngul Beogradi zyrtar.

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2019/02/imgad.gif

Davenport: Marrëveshja, shumë pranë

Marrëveshja për asociacionin e komunave serbe në Kosovë është fare pranë dhe nëse arrihet kjo, ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Serbi, Michael Davenport, i cili u është referuar deklaratave të personave që janë të përfshirë në mënyrë direkte në negociata.

Në një intervistë për gazetën “Danas”, Davenport ka theksuar se për marrëveshjen nevojitet kompromis nga të dyja palët, nga të cilat në këtë moment varet gjithçka.

“Kjo në praktikë do të nënkuptonte vazhdimin e angazhimit për përmbushjen e kritereve, të cilat Këshilli Europian ka përmendur në përfundimet e dhjetorit të vitit të kaluar”, ka thënë diplomati britanik.

I pyetur nëse Serbia do të marrë ose jo datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në rast dështimi, Davenport ka thënë se, përfundimet e Këshillit Europian që duhet të përmbushë Serbia, janë ende aktuale.

Qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit

Më shumë Brukseli i druhet qëndrimit të Beogradit, i cili ndihet sikur është vënë përpara një kushti, ose negociatat e anëtarësimit në BE, ose Kosovën.

Presidenti Tomisllav Nikoliç, Kryeministri Ivica Daçiç dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Vuçiç, kanë zhvilluar në ditët e fundit konsultime, të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të premten, se nga dështimi eventual i arritjes së marrëveshjes do të humbin të dyja palët, si Serbia ashtu dhe Kosova.

“Në rast se Kosova dhe Serbia dështojnë të arrijnë marrëveshje për veriun, asnjëra palë nuk do të jetë fituese”, deklaroi Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar paralajmëroi sërish nxjerrjen e një vendimi të vështirë nga ky proces, pa sqaruar se për çfarë vendimi konkretisht bëhet fjalë.