Koalicioni racional PS – LSI

Bledar Kurti

Koalicioni i shumëdiskutuar PS–LSI duket se ka trazuar të gjithë sferën politike në vend. Të trazuar ndihen jo vetëm disa nga anëtarët skeptikë socialistë, por edhe kryetarët e partive të vogla, partive kundërshtare, madje edhe ajo pjesë e opinionit publik që mendonte se mund të parashikonte skenarët e koalicioneve parazgjedhore të 23 qershorit.

Është diskutuar gjerë e gjatë për këtë koalicion, por fatkeqësisht, po shihet me shumë emocionalizëm ndërkohë që kjo aleancë e ripërtërirë është më racionale sesa kurrë.

Kushdo që synon të vërë në dyshim moralin e këtij koalicioni duhet të kuptojë se emocionalizmi në politikë është dilitantizëm. Politika është racionale dhe kështu duhet të jetë. Emocionet janë për amatorët, ndërsa racionalizmi dhe logjika janë për profesionistët. Këtë na e mëson historia, këtë na e mëson edhe eksperienca e çdo populli të madh apo të vogël.

Koalicioni PS – LSI siguron një fitore të sigurt të spektrit të majtë. Ky konstatim nuk bazohet mbi gudulisjen e telave të zemrës, por mbi një përllogaritje matematikore, kësisoj vendimi i marrë nga krerët e PS dhe LSI, si edhe mbështetja e dhënë nga forumet përkatëse, është tejet racional dhe produktiv.

Ka qenë pak shqetësuese kohët e fundit që beteja dhe strategjia politike është bazuar mbi luftën e rrjeteve sociale si “Facebook” dhe jo në atë që quhet “hardcore politics”. Më në fund, politika po bën atë që duhet të bëjë, të mënjanojë sulmet virtuale dhe të merret me misionet e vështira, të bëjë hapa kurajozë dhe të ndërmarrë nisma racionale. Thëniet prekëse në “Facebook” mund të ngjallin emocione momentale, por koalicionet racionale sjellin sukses në zgjedhje dhe garantojnë qeverisje, ndaj asnjë njeri nuk duhet të dëgjojë tingujt melankolikë të një violine ëndërrimtare por të shohë me shpresë drejt një qeverisjeje solide, e cila do ta çojë vendin përpara.

Ky koalicion përtej të qenët racional dëshmon edhe për brumin dhe integritetin e dy liderëve të partive reciproke. Pena e analistëve ka qenë e ashpër ndaj Ramës duke e kritikuar vazhdimisht për mungesën e bashkëpunimit me LSI, për nevojën e një programi të majtë, si edhe për qëndrimin e tij joaltruist në ndarjen e pushtetit. Me këtë koalicion, Rama po u përgjigjet të gjitha kritikave dhe po dëshmon se po hyn i mirëpërgatitur në zgjedhjet e ardhshme, si një lider i denjë i PS-së, i cili do sjellë fitoren e shumëpritur për socialistët. Nga ana tjetër, Ilir Meta dëshmon se është politikan profesionist, me kurajë dhe strategji të suksesshme, duke u garantuar të gjithë mbështetësve të LSI-së se misioni integrues i partisë dhe stafeta qeverisëse do vazhdojnë, si edhe duke u bërë të ditur shqiptarëve rolin e tij thelbësor që ka pasur dhe do ketë kjo parti në integrimin e vendit.

PS dhe LSI janë më të forta sesa kurrë. Është e logjikshme që së bashku bëhen edhe më të forta. Kushdo që i shton emocione ndarëse kësaj logjike racionale, ose është i kërcënuar, ose nuk mendon sipas profesionalizmit politik.

Tashmë ky koalicion është i konsoliduar, ndaj të dyja partitë duhet të tregohen të kujdesshme gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, duke u fokusuar më shumë në shpalosjen e një programi konkret për qeverisjen e vendit pas 23 qershorit, të shoqëruar me një retorikë europiane dhe argumente sa më racionale, ashtu siç është edhe vetë ky koalicion.

Autor te 7 Prill 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Zigur Bellaj

    Ky eshte koalicioni me i fuqishem ne keto 22 vjet demokraci, por mire eshte qe Kryeminister te jete Ilir Meta se eshte me i zgjuar dhe politikan se tjetri.

  • beni

    ky eshte kualicioni me i turpshem ne 23 vite demokraci se ka mbi koke 4 te vraret e 21 janarit turp i interesave partiake