Kriza, amnisti për kreditë e pashlyera

300 milionë euro?!

Guvernatori i kërkon Kuvendit miratimin e paketës. Diskutime me FMN, BB, bankat dhe Financat

ARD KOLA

PrintRaporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë rezultoi 22.5 për qind në fund të vitit 2012, nga 18.8 për qind që qëndronte në fund të një viti më parë. Në muajt e parë të 2013-s, kredia me probleme është rreth 24 për qind, me tendencë drejt përkeqësimit. Në vlerë, janë rreth 1 miliard euro kredi të standardizuara me probleme, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura, pa shpresë që bankat do t’i vjelin.

Kreditë e këqija po pengojnë gjithnjë e më shumë financimin e bankave me kredi të reja për ekonominë, niveli i të cilit sa vjen dhe ulet, ndaj guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në kuadër të masave të propozuara, shikon si opsion të mundshëm ndërmarrjen e një amnistie. Duke marrë shkas gjatë raportimit të aktivitetit vjetor të bankës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Fullani kërkoi mbështetjen e deputetëve për ndërmarrjen e nismës më të fundit, atë të fshirjes nga bilanci i bankave “pjesën e kredive të këqija”.

“Jemi në diskutime të vazhdueshme me drejtues të bankave të nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave. Duhet të them se ka kontradikta, për çështje që lidhen me fiskun, sikurse jemi në konsulta të vazhdueshme me FMN-në dhe Bankën Botërore”, u shpreh dje guvernatori. Sipas tij, ky hap do të çlirojë bankat, duke pasqyruar bilance sa më reale dhe do t’i japë një hov të ri kreditimit në ekonomi. Sipas vlerësimeve të BSH-së, fshirja e kredive të humbura nga bilanci i bankave pastron bilancin e bankave nga asete që nuk performojnë, që deformojnë strukturën dhe cilësinë e bilancit, si dhe angazhojnë në mënyrë joeficiente burime të vlefshme të bankës. Më tej, ky është një veprim që vendos në një raport më të drejtë marrëdhëniet financiare që bizneset dhe familjet kanë me bankat dhe me njëri-tjetrin për sa i takon transparencës së gjendjes financiare, duke nxitur ristrukturimet e ndryshme në treg. Ajo çfarë po diskutohet në nivelet e larta të bankave lidhet me “llojin e kredisë” që duhet fshirë nga bilanci dhe kohëzgjatja e financimeve të pashlyera.

“Nuk jemi të parët dhe as të fundit, disa vende e kanë aplikuar një masë të tillë. Kredia me probleme është çështje e rangut botëror”, u shpreh më tej kreu i bankës qendrore. Megjithatë, sipas tij, e keqja e ekonomisë nuk janë vetëm kreditë me probleme, por edhe faktorët që e rrethojnë atë.

Anëtarët e komisionit, Mimi Kodheli e PS-së dhe Sherefedin Shehu i PD-së, kërkuan të mësonin më shumë nga guvernatori rreth paketës së masave të propozuara nga BSH për zhbllokimin e situatës.

“Banka e Shqipërisë miratoi në muajin mars 2013 një paketë masash makroprudenciale të orientuara drejt nxitjes së kredisë dhe uljes së rrezikut në sistemin bankar”, u shpreh Fullani. Shkurtimisht, këto masa konsistojnë në lehtësimin e kërkesave për kapital për rritjen e kredisë, në lehtësimin e kërkesave për likuiditet, në uljen e provigjionimit për kredinë e ristrukturuar, si dhe në rritjen e kërkesave për kapital për aktivet jashtë vendit mbi normat e kërkuara nga Banka e Shqipërisë. Një ndër masat është edhe ekzekutimi i kolateraleve nga përmbaruesit privatë, duke ulur vlerën e shitjes së tyre në ankand, deri në 50 për qind.

Banka e Shqipërisë i kërkoi politikës të gjejë konsensusin për një paketë të domosdoshme reformash, zvarritja e të cilave sipas saj, po frenon rritjen ekonomike dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të vendit. E para është miratimi me urgjencë i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile.

“Bëhet fjalë për një grup propozimesh, të cilat si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë vlerësohen të domosdoshëm, në drejtim të stabilitetit të sistemit bankar, në drejtim të garantimit të depozitave të popullatës, si dhe në drejtim të gjallërimit për rilindjen e ekonomisë. I kam dërguar një letër kryetarëve të partive kryesore, njëkohësisht edhe kryetarëve të komisioneve përkatëse në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme të sistemit bankar dhe të ekonomisë shqiptare”, tha guvernatori.

Megjithatë, sipas BSH-së, pjesa e kredive me probleme të mbuluara me kolateral është më e madhe se vitin e kaluar, duke përbërë rreth 81 për qind të portofolit të kredive me probleme. Gjithashtu, sistemi bankar ka rritur me 31 për qind fondet rezervë për përballimin e humbjeve të mundshme nga rreziku i kredisë. “Sistemi bankar vijon të jetë i ekspozuar ndaj rrezikut indirekt të kursit të këmbimit si rrjedhojë e kredive në valutë dhënë kredimarrësve që nuk kanë të ardhura në monedhë të huaj”, thuhet në raportin vjetor të BSH-së.

 

 

Bilanci i bankave

2012 – Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë rezultoi 22.5% në fund të 2012-s, nga 18.8% që qëndronte në fund të 2011-s

2013 – Në muajt e parë të 2013-s, kredia me probleme është rreth 24%, me tendencë drejt përkeqësimit, pavarësisht apeleve për zgjidhje

Fondi – Në vlerë, janë rreth 1 miliard euro kredi të standardizuara me probleme, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura

 

 

Rreziku

Kreditë e këqija, Bode thërret takim urgjent

Mësohet se dy ditë më parë është zhvilluar një mbledhje urgjente, kërkuar nga ministri i Financave për guvernatorin e BSH-së, në prani të zyrtarëve më të lartë të institucioneve financiare në vend. Ky fakt është konfirmuar nga kreu i bankës qendrore dhe në fokus kanë qenë kreditë e pashlyera.

“Kreditë e këqija kanë shkuar në 24.4% të totalit të portofolit të kredisë. A mendoni ju se ndryshimet që kërkoni në kod të përmirësojnë këtë situatë?”, ishte pyetja e Mimi Kodhelit, drejtuar Fullanit, dje në komision. “Dy ditë më parë u organizua një mbledhje e kryesuar nga ministri i Financave dhe në të morën pjesë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), drejtues të tjerë dhe ekspertë të këtyre institucioneve, me qëllim ristrukturimin e portofolit të kredisë. Përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë informuan anëtarët lidhur me paketën e ndryshimeve rregullative të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mars për nxitjen e kreditimit në ekonomi dhe mbështetjen më të mirë të procesit të ristrukturimit të kredive. Në këtë kuadër, u bë një përshkrim i elementeve që përmban kjo paketë dhe u diskutua rreth mënyrës së zbatimit të saj”, u përgjigj Fullani. Sipas Kodhelit, një ndër shkaqet e rritjes së kredive me probleme janë detyrimet e papaguara të qeverisë, por Fullani iu përgjigj se “faturat kanë nisur të shlyhen”.

A.K

 

Shqetësimi

Debat në PS për borxhet Braçe: Po plas flluska 

Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, zhvilluar dje, fill pas përfundimit të raportimit të Fullanit në Kuvend, është diskutuar nga anëtarët e saj edhe çështja e krizës së bankave me kreditë e pashlyera. Mësohet së ka pasur shumë debate rreth së ardhmes që e pret vendin, kurse deputeti Erjon Braçe ka zgjedhur profilin e tij në “Facebook” për të shprehur shqetësimin lidhur me situatën e krijuar. “Berishës po i plas flluska e borxheve. Bëhet fjalë për borxhe që qytetarët dhe kompanitë ju kanë bankave. Të parat u frynë shumë për shkak të mungesës së të ardhurave dhe nën nxitjen e Sali Berishës për të ndërtuar një jetë mbi borxh dhe jo mbi punë; të dytat (kompanitë) u frynë shumë edhe për shkak të kontratave publike të qeverisë së Sali Berishës të pambuluara me para në buxhet, por edhe për shkak të lakmisë së bizneseve të ndërtimit e shërbimeve për më shumë para”, tha Braçe, duke shtuar se në Kuvend janë diskutuar këto ditë ndryshimet e Kodit Civil lidhur me këtë çështje.

 

Raporti 2012

Shkaqet janë kushtet e shtrënguara dhe pasiguria te konsumatorët

Kreditimi në ekonomi, 2.4% Niveli më i ulët historik

ardian fullaniKërkesa e ulët e bizneseve dhe individëve për kredi bankare, si dhe kushtet ende të shtrënguara të kreditimit, janë pasqyruar në një ecuri të dobët të kredisë për ekonominë. Sipas raportit të BSH-së për vitin 2012, rritja vjetore e saj zbriti në 2.4 për qind në fund të vitit, nga 40-50 për qind që ishte në kushtet e para krizës në ekonomi.

“Ecuria e dobët e kredisë ka qenë e pranishme në të gjitha segmentet e saj sipas qëllimit të përdorimit. Ndërkohë, përbërja valutore e kredisë vazhdon të evidentojë zhvendosjen e saj, nga monedhat e huaja në atë vendase”, thuhet në raport.

Një zhvillim i spikatur financiar i vitit të shkuar është zhvendosja e kursimeve të familjeve, nga depozita bankare në tituj të borxhit publik. Kjo tendencë solli një rritje të financimit të deficitit buxhetor nga individët dhe ulje të këtij financimi nga sistemi bankar.

Situata e likuiditetit në tregun financiar dhe ecuria e primeve të rrezikut kushtëzuan përcjelljen e politikës monetare lehtësuese në tregjet financiare. Uljet e normës bazë u reflektuan menjëherë në tregun ndërbankar dhe në atë të depozitave në lekë, por përcjellja e tyre në tregjet e letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredisë në lekë ka qenë më e pakët, kryesisht si pasojë e zhvillimeve që përmenda më sipër. Megjithatë, kostoja e ndërmjetësimit në monedhë vendase shënoi rënie gjatë vitit 2012 dhe rritja e ndërmjetësimit në lekë krijoi premisat për një transmetim më të mirë të sinjaleve të politikës monetare në ekonomi gjatë vitit në vazhdim. Së fundi, tregu valutor dhe kursi i këmbimit kanë qenë përgjithësisht të qetë, si pasojë e një kërkese dhe oferte të balancuar për valutë.

Sa i takon borxhit, niveli i tij tejkaloi kufirin 60% të PBB-së, kurse BSH është e mendimit se “borxhi duhet ruajtur”.

A.K.

 

Autor te 10 Prill 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • nofka

    jam dakort per amnisti per borxhet ndaj bankave,kam nje biznes dhe kam marre kredi ,dhe permbarimi po ben ceshte e mundur te mi marri pronat qe kam lene peng,me bankat nuk negocion dot, me shume rrisin interesat e vonesave.jan kthyer ne kucedra ,nuk pyesin me per ate qe ka marre nje kredi,dhe kur vjen fundi ti marrin deri ne qindarken e fundit,edhe pse jane interesa se leket e veta i ka marre banka,per mendimin tim shteti duhet te veproje per kredite e keqija ,te na japi dore ne si biznese ta likujdojme pak e nga pak,shpresoje qe te mendojne njehere per ne,

  • Andi

    Ky Fullani kudo qe shkon e ndjekin kredite e keqija. Dikur e
    coi ne faliment Banken Italo-Shqiptare se i jepte kredi gjithe deputeteve dhe
    tani po con ne faliment sistemin bankar shqiptar. Mjere ne ne c’duar kemi rene!
    Ky deri tani na ka thene qe kemi sistem bankar te shendetshem dhe gjithcka
    eshte ne kontroll. Plus qe s’jemi prekur fare nga kriza fale masave te shkelqyera
    te marra nga Bode dhe Fullani. Tani qe i plasi bomba ne dore kerkon ndryshime
    urgjente se qenkan statistikat delikate dhe te merrkemi masa anti-krize! Ku
    eshte vigjilenca dhe aftesia parashikuese e Bankes Shqiperise? Ky eshte organi
    me i specializuar, i mandatuar nga Kuvendi te garantoje depozitat e klienteve.
    Pra ne shqiptaret u kemi besuar bankave te papergjegjshme kursimet tona.
    Kuptohet qe bankat ne kerkim te fitimit kane dhene kredi sipas qejfit duke vene
    ne risk kursimet. Me 24% te portofolit kredi te keqija asnje banke ne bote s’do
    kishte shtyse per te kredituar ekonomine. Sikur mbikqyrja e Banke qendrore te kishte
    kryer detyren e saj me kohe ashtu sic duhej, s’do kishim patur fare nevoje per
    keto masa deshperuese tani. S’kuptoj deputetet si nuk kane reaguar. Kjo gjendje
    ka vetem nje emer krize ne sistemin bankar dhe eshte per te vene alarmin!!!

  • landi

    Zoti Ardi. Nuk e di sesa e kuptoni ju fshirjen nga bilanci te kredive apo writte off por ne asnje rast nuk do te thote Amnisti. Fshirja nga bilanci behet per arsyen e vetme qe bankat te lirojne provigjonet , pra rezervat qe jane krijuar per te perballuar keto kredi dhe per me tej te kalojne ne permbarim per tu egzekutuar kolateralin ne ankand. Fshirja nga bilanci nuk do te thote amnisti. Klienti pergjigjet per te gjithe detyrimin qe ka ndaj bankave perfshire interesat dhe penalitetet per ditet me vonese.