komisioni i ligjeve


Kryeministri vendit Sali Berisha ka mbledhur pasditen e sotme krerët e PD-së në rrethe, ku ka reaguar në lidhje me zhvillimet më të fundit politike në KQZ, pas largimit të anëtarit të LSI.


Berisha tha se mazhoranca thjesht po i përmbahet marrëveshjes me opozitën, në të cilën KQZ u formatua në raportin 4 me 3 në favor të qeverisë dhe kjo sipas tij ndodhi edhe në zgjedhjet e 2007 dhe 2009 dhe në kodin e ri për zgjedhje e 2013.


“KQZ u riformatua 4 me 3 në favor të qeverisë, kjo ndodhi në zgjedhjet e 2007 dhe 2009 dhe në 2013. Tani normale forcat politike bëjnë marrëveshjet e tyre sipas parashikimeve që ato kanë dhe vlerësimeve që ato bëjnë, po kjo nuk do thotë se i marrin institucionet në shpinë. Pra, është fryma e Kushtetutës ajo që dikton rolin e shumicës dhe të pakicës, është marrëveshja politike e cila në vlerën e saj është e barasvlefshme me normën Kushtetuese të vendit që ka vendosur si balancë në KQZ raportin 4 me 3. Marrëveshja që është në fuqi do të zbatohet në mënyrë absolute. Nuk zhbalancohet institucioni pse vrapojnë forcat politike”, u shpreh Berisha.


Kryeministri theksoi se qëllimi i kreut të opozitës ishte përmbysja e mazhorancës në KQZ dhe u shpreh i palëkundur në qëndrimin e tij për zbatimin marrëveshjes ekzistuese, ndërkohë që i bëri ftesë kreut të opozitës, Edi Rama që të nisë negociatat nëse nuk është dakord me këtë marrëveshje.


Manjani: Lojë e PD që ka ngelur që tani në zgjedhje


Nënkryetari i LSI, Ylli Manjani përmes një konference për shtyp të mbajtur pasditen e sotme e ka cilësuar shkelje të rëndë të kushtetutës dhe kodit zgjedhor vendimin e PD për zëvendësimin e anëtarit të LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa ka kërkuar nga parlamenti të mos e votojë këtë kërkesë jo legjitime dhe të mbajë një qëndrim të prerë ndaj saj.


“Sot kjo KQZ funksionon me anëtarësi të plotë. Sot opinioni publik u njoh me një kërkesë të PR që ka vënë në lëvizje Komisionin e Ligjeve për të çelur procedurat e zëvendësimit të një prej anëtarëve. Dua t’i bëj të ditur opinionit se KQZ funksionon mbi nenin 18 dhe 19 ku parashikohen rastet se kur dhe si zëvendësohet një anëtar i KQZ. Lista është shumë e qartë: a) kur ai/ajo kryen veprimtari politike, b) kur mbush moshën për pension, c) kur vdes, d) kur jep dorëheqjen ose kur dënohet me vendim gjyqësor për kryerjen e një krimi. Rasti i pestë është kur ai cenon veprimtarinë e KQZ”, tha Manjani.


“Nuk është kërkesë e Partisë Republikane që të kalohet në këtë gjest politik, që është një lojë e PD, që ka ngelur që tani në zgjedhje. Vazhdoj të insistoj se prekja në kushtetutshmërisë të legjitimitetit janë prekje e zgjedhjeve. Këta e bëjnë që të imponojnë nesër çdo votë që ka të bëjë me zgjedhjet. Legjitimiteti i zgjedhjeve është tërësisht i dyshimtë, është detyrë e opozitës që vetëm për shkak të numrave të rikthejë sa më shpejt të jetë e mundur legjitimitetin. Ka ende kohë për PD të reflektojë. Shkelje shumë e rëndë e Kodit Zgjedhor. Ne nuk kemi interes politik në këtë se përbërja e KQZ është apolitike. E vërtetë që partitë emërojnë, por partitë politike nuk kanë asnjë rol as t’i shkarkojnë anëtarët e KQZ”.


Rikthehet lufta për KQZ, miratohet kërkesa e PD për të hequr anëtarin e LSI


Komisioni i Ligjeve ka miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për të zëvendësuar njërin nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pikërisht përfaqësuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilirjan Muho. 


Mbledhja e sotme është shoqëruar me debate të forta mes pozitës dhe opozitës pas kërkesës për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas daljes së kësaj partie nga koalicioni qeverisës. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar lirimin e Ilian Muhos, me pretendimin se KQZ nuk ka balancë pas largimit të LSI.


“Në bazë të Kodit Zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e barazpeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cënon standartet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim. Partia Republikane ka paraqitur kandidaturat për anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ” është shprehur deputeti Gent Strazimiri, i cili ka prezantuar kërkesën e grupit kuvendor demokrat.


Por për përfaqësuesit socialist në komision, kërkesa e PD-së për KQZ-në është një skandal  që cënon standardet demokratike. “Kërkesa e PD është një skandal, nuk ka një nen të Kodit Zgjedhor që t’i referohet. Ky është një precedent, sipas të cilit kur ne të vijmë në pushtet, t’i fshijmë. Po luani me vullnetin e popullit, ftoj deputetët e mazhorancës të reflektojnë”,- është shprehur deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ndërsa Pandeli Majko është shprehur se po shuhen shpresat për proces zgjedhor sipas standardeve. “Grupi i PD po tregon që vepron  ligji i më të fortit”,- tha Majko.


Damian Gjiknuri akuzoi kryeministrin e vendit Sali Berisha duke e etiketuar si ‘Hitler’. Sipas Gjiknurit Kuvendi po kthehet në ‘xhelat’, duke shtuar se pavarësisht kërkesës së PD-së, çdo vendim që do të marrë KQZ nuk ndikon në zgjedhje, pasi sipas tij do i fitojë PS.  Në mbledhjen e komisionit ishte i pranishëm edhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço si palë e interesuar.


Kërkesa e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Pazoti, i drejtohet kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilës i kërkohet të nisin pa vonesë procedurat e zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, më qëllim respektimin e baraspeshimit politik në komision.


Kodi Zgjedhor parashikon që dy anëtarë zgjidhen nga partia më e madhe qeverisëse, 2 nga partia më e madhe e opozitës, dhe nga 1 anëtar nga partitë e dyta më të mëdha të koalicioneve përkatëse. Kjo formulë i kishte siguruar LSI-së si forcë qeveritare dhe PBDNJ-së si forcë opozitare nga një anëtar në KQZ.


Rama: Prekja e KQZ me dhunë antikushtetuese tregon se çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe


Ndërsa pritej mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku do të diskutohej konfigurimi i ri i KQZ pas largimit të LSI-së nga qeveria, kryesocialisti Edi Rama i ka cilësuar  antikushtetuese përpjekjet për ndryshim.


“Prekja e KQZ me dhunë antikushtetuese tregon se ç’regjim do shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe!


Asgjë s’e shpëton pushtetin e partisë familjare të Saliut,prekja e KQZ rrënon ende më shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!”, ka shkruar Rama në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.


Partia Republikane propozon dy kandidatura për KQZ


Partia Republikane ka propozuar dy anëtarë të saj për në KQZ, Klement Zgurin dhe Patriot Çobon.

Propozimi vjen një ditë pasi PR dorëzoi në Komisionin Qendror Zgjedhor, kërkesën për të pasur të drejtën e një anëtari. Nisur nga rezultati i 2009-ës, PR rezulton të jetë partia e dytë për nga rëndësia në kampin e djathtë pas asaj demokratike.


Naço: Zgjedhjet janë në rrezik, po përgatitet manipulimi i tyre


Deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Ligjeve për të liruar anëtarin e LSI-së nga KQZ-ja.


Sipas Naços, kjo nismë antiligjore shënon nisjen e manipulimit të zgjedhjeve.


Duke iu referuar edhe një herë koalicionit qeverisës me PD, Naço u shpreh se LSI është treguar dinjitoze në koalicionin me PD-në dhe ka respektuar gjithmonë ligjin, ndërsa veprimi i fundit për lirimin e anëtarit të LSI në KQZ, ndërkohë që në bazë të ligjit anëtarët e KQZ-së miratohen dhe shkarkohen, jo lirohen, tregon një shkelje të njëanshme të marrëveshjes nga ana e PD.


10 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)