Kriza e kredive, BB bind politikën

Ekzekutimi i kolateralit, PS-PD: Dakord uljes me 50% të vlerës së pronës në ankand

ARD KOLA 

Sportel bankeProblemet me kreditë e pashlyera nuk lidhen thjesht me paaftësinë paguese të individit dhe subjektit privat, pra investitorit, por edhe gjyqësorit, ana tjetër e medaljes që plotëson të gjithë procesin e ekzekutimit të kolateralit. Proceset e stërzgjatura në gjykata për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes bankave dhe huamarrësit, mënyra se si përmbaruesi ekzekuton vendimin e gjykatës dhe në fund, vlerësimi i pronës që del në ankand, të gjitha këto janë konsideruar procese tepër komplekse, deri diku të paqarta për palët, me shumë hapësira ligjore interpretimi, duke u kthyer në “makth” për bankat dhe individët. Ndaj, qeveria ka sjellë këto ditë ndryshimet ligjore në “Kodin e Procedurës Civile” që synon t’u japë zgjidhje problemeve.

Çështja është se politika nuk e ka dhënë konsensusin, pasi njëri nga propozimet, ulja e vlerës së pronës që del në ankand deri në 50 për qind, mund të destabilizojë tregun e pasurive të paluajtshme. Prova e parë e miratimit me konsensus dështoi, duke shkaktuar ethe për sektorin bankar. Reagimet kanë qenë të shumta, deri në atë pikë sa ka detyruar edhe bankën botërore të sjellë në Tiranë një ekip të posaçëm për çështjen në fjalë. Prej dy ditësh është negociuar me forcat politike, sidomos me Partinë Socialiste, më skeptikja e kësaj reforme, ndërsa debatet në këtë parti nuk kanë munguar. Megjithatë, duket se BB-ja ka mundur të bindë palët për miratimin e paketës me ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës. PS-ja dhe PD-ja do të japin konsensus për miratimin e kodit, ndërsa zbatimi i ndryshimeve ligjore pritet të nisin në muajin qershor.

Aktualisht, për shitjen e pronës zhvillohet ankand dhe çmimi del nga vlerësimi i ekspertëve të fushës. Kështu, në ankandin e parë, prona del në shitje deri me 80 për qind të vlerës. Pra, nëse prona u vlerësua 100 mijë euro, nuk mund të dalë në shitje më poshtë se 80 mijë euro. Në rast dështimi të ankandit të parë, zhvillohet i dyti, por me ulje sërish të vlerës, me 20 për qind të vlerës së parë. Pra, nga 80 për qind, shkon në 64 për qind (ose 64 mijë euro).

Print Print“Praktika e deritanishme, si edhe dinamikat e tregut tregojnë se çmimi me të cilin fillohet ankandi i dytë është shumë i lartë për të realizuar shitjen e pronës, veçanërisht po të mbahet parasysh që përcaktimi i drejtë i çmimeve të tregut është i vështirë në kushtet aktuale. Për rrjedhojë, ankandet shpesh dështojnë si pasojë e këtij çmimi jo realist me të cilin fillon ankandi i dytë”, sqaron Shoqata e Bankave.

Për ta qartësuar, Ministria e Drejtësisë e vuri 50 për qind uljen e vlerës së pronës nga çmimi fillestar. “Kjo ulje është një mesatare e pranueshme për debitorin dhe kreditorin, si dhe një çmim më realist për funksionimin më të mirë të ankandeve”, thotë Shoqata e Bankave.

Sa u takon neneve të tjera, më konkretisht, gjykatat nuk do të mund të ndërhyjnë në riskedulimin e mënyrës së pagesës së huas, për të cilat palët kanë rënë dakord më parë (ndryshimet në nenin 517); nuk do të lejohet sigurimi i padisë në rastet e kundërshtimit të veprimeve të përmbaruesit gjyqësor (ndryshimet në nenin 205); si dhe gjykatat nuk do të kenë të drejtën të pezullojnë procedurën përmbarimore në bazë të padive të debitorit me objekt “pavlefshmërinë (tërësisht ose pjesërisht) të marrëveshjes së kredisë” (ndryshimet në nenin 609).

Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë rezultoi 22.5 për qind në fund të vitit 2012, nga 18.8 për qind që qëndronte në fund të një viti më parë. Në muajt e parë të 2013-s, kredia me probleme është rreth 24 për qind, me tendencë drejt përkeqësimit. Në vlerë, janë rreth 1 miliard euro kredi të standardizuara me probleme, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura, pa shpresë, që bankat do t’i vjelin.

Kreditë e këqija po pengojnë gjithnjë e më shumë financimin e bankave me kredi të reja për ekonominë, niveli i të cilit sa vjen dhe ulet.

 

Shoqata: Kreditë me probleme shkojnë në Kushtetuese

“Disa banka kanë qenë viktimë kohët e fundit të një interpretimi të gabuar të ligjit të taksave për shpenzimet provigjionuese, ligj për të cilat është në vetvete arbitrar dhe shoqata jonë po e çon në Gjykatën Kushtetuese. Rezultati i një interpretimi të tillë deri tani ka qenë që bankave u është dashur që të paguajnë taksa të mëdha në proporcion me fitimet e tyre, që tashmë janë shumë të ulëta”, u shpreh pak kohë më parë, Seyhan Pencabligil, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Kreditë me probleme mbulohen nga bankat me rezerva sipas standardit të vonesës. Aktualisht, kreditë e humbura arrijnë në rreth 300 milionë euro.

 

 

Programi PS

“Më shumë pavarësi dhe siguri. BSH, bashkëfajtore me qeverinë për krizën”

Cani: Reformë në Bankën e Shqipërisë pas 23 qershorit

Në kuadër të prezantimit të programit ekonomik, tashmë në nivel me të detajuar (faza II), Partia Socialiste ndau dje me të pranishmit në Elbasan propozimet konkrete mbi të ardhmen në vend sa u takon taksave, politikave të punësimit, investimeve etj.

Duke marrë shkas nga situata e krijuar dhe debatet e fundit mbi krizën e kredive të shkaktuar nga huat e pashlyera, Shkëlqim Cani, anëtar i kryesisë dhe ekspert i sistemit financiar, u ndal te roli i Bankës së Shqipërisë dhe rëndësia e pavarësisë së saj.

“Aktualisht jemi duke përjetuar krizën e kredive, të shkaktuar nga shumë faktorë, ku ndër të tjera janë edhe detyrimet e qeverisë në shumën 200 milionë euro, të papaguara ndaj firmave private. Ne gjykojmë se sistemi financiar ka nevojë për një reformë të gjerë, duke nisur me rishikimin e ligjit për bankën e Shqipërisë, për të forcuar standardet dhe rritjen e pavarësisë së BSH-së”, u shpreh Cani. Në këtë kuadër, ish-guvernatori thotë se ka ardhur nevoja për krijimin e një autoriteti të vetëm financiar. Sipas tij, qeveria e ardhshme duhet të bëjë kujdes për të stimuluar biznesin e vogël dhe të mesëm me kredi. “Gjykojmë se buxheti i shtetit mund t’i mbështesë me rreth 70 milionë dollarë SME-të, sidomos për zonat rurale dhe urbane, sikurse ka ardhur koha e duhur për krijimin e bankës së specializuar të bujqësisë”, u shpreh Cani. Eksperti i bankave e vuri theksin te rëndësia që ka për ekonominë ecuria e kreditimit. Në këto kushte që jemi, tha ai, nuk do të kemi rezultate pozitive të rritjes.

Kërkesa e ulët e bizneseve dhe individëve për kredi bankare, si dhe kushtet ende të shtrënguara të kreditimit, janë pasqyruar në një ecuri të dobët të kredisë për ekonominë. Sipas raportit të BSH-së për vitin 2012, rritja vjetore e saj zbriti në 2.4 për qind në fund të vitit, nga 40-50 për qind që ishte në kushtet e para krizës në ekonomi. “Ecuria e dobët e kredisë ka qenë e pranishme në të gjitha segmentet e saj sipas qëllimit të përdorimit. Ndërkohë, përbërja valutore e kredisë vazhdon të evidentojë zhvendosjen e saj, nga monedhat e huaja në atë vendase”, thuhet në raport.

 

LSI: Të miratohet paketa e Fullanit

LSI-ja, tashmë forca politike në krah të PS-së, e kthyer në opozitë, u ka bërë thirrje dje forcave përfaqësuese në Parlament që të votojnë propozimet e BSH-së për zhbllokimin e kredive në ekonomi. “Natyrisht ne nxisim Bankën e Shqipërisë, në radhë të parë, që të ushtrojë në mënyrë më gjithëpërfshirëse, edhe më të fortë sesa deri më sot, gjithë funksionin, gjithë kompetencat e saj mbikëqyrëse mbi tregun e bankave të nivelit të dytë, me qëllim që siguria e kredisë të jetë edhe më e lartë sesa deri më sot dhe me qëllim që të përmirësohet dhe të çlirohet sistemi bankar nga mbetjet e sistemit aktual të kontabilizimit të kolateralëve”, u shpreh dje Ylli Manjani. Sipas tij, askush nuk mund të kryejë sot më mirë sesa Banka e Shqipërisë funksionet mbikëqyrëse në këtë treg. “Baza ligjore aktuale, veçanërisht Kodi Penal, ka disa nene që merren me dhënien e kredive në mënyrë të parregullt dhe që gati sa janë harruar. Askush ose pakkush e di që ekzistojnë këto nene, sepse pak, për të mos thënë aspak, janë zbatuar nga institucionet e ndjekjes penale. Është me vend që këto institucione të kenë vëmendjen e duhur edhe në zbatimin e këtyre neneve, me qëllim që të rritet siguria e kredisë dhe siguria e të gjithë sistemit bankar në tërësi”, përfundoi deklaratën Manjani.

Autor te 11 Prill 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry