ALEKSANDËR ÇIPA


Aleksander CipaNëse dëshiron kush të njihet me një vend ku shteti ka dy gjendje dhe një anarki, kjo është Shqipëria. Është fjala për shtetin si administratë dhe funksionet institucionale që ajo kryen.


Pas largimit politik të LSI-së nga koalicioni qeverisës, nëpër ministri, drejtori të ndryshme publike, nëpër prefektura dhe qarqe si dhe në nivele të tjera të administratës publike dhe asaj të qeverisjes politike vendore, ndeshesh me një realitet jo vetëm grotesk, por në përmbajtje dhe pamje të plotë anarkike.


Tërheqja e ministrave të LSI-së ka pasuar me përmbysje të plotë të administratës dhe titullarëve të drejtorive përkatëse. Nëpër drejtoritë e burimeve njerëzore, ka nisur si në një kombinat listash, riplotësimi i emrave dhe sugjerimeve që vijnë nga strukturat e qeverisjes së djathtë. Një proces dhe fushatë e paparë e cila edhe pse ngjet në një periudhë pragzgjedhore, të krijon përshtypjen e një fushate emërimesh të ngjashme me ato të fillimqeverisjes, kur forca që sapo ka marrë pushtetin shpërblen anëtarësinë dhe tufat e militantëve të vet. Një tërheqje partiake, që po pasohet nga një zaptim partiak. Nuk është fjala për skalione në fushatën lagje më lagje e, fshat më fshat, por për në zyrat e administratës publike dhe të shtetit që imagjinativisht e dëshirojmë të quhet ligjor. Kjo pamje dhe brendi anarkike brenda shtetit dhe që e ka shndërruar atë në një viktimë të re të lojës së vjetër, ngjet dhe lihet në mëshirë të fatit, ndërkohë që askush nuk merr mundimin të reagojë e shprehet publikisht. Sjellim në vëmendje se për kësi realitetesh, legjislacioni në fuqi parashikon masa dhe ndëshkime, pengesa dhe masa rregullimesh, por mesa duket edhe në këtë aspekt, po shtohet prova e informalizimit të ligjit dhe zbatimit të tij.


Një turp tipik shqiptar i një skote politikanësh që nuk bëhen dot klasë, pasi realisht kanë malinjitetin e përdorimit në mos fisnor, së paku, primitiv të shtetit. Një lojë e keqe që thellon përditshmërisht paralizën funksionuese të administratës që dimensionon spontanisht dhe pandalshmërisht korruptimin dhe kulturën e sjelljes llupëse të mitëmarrësve në tufa dhe mitëdhënësve të viktimizuar në shumicë. Një batërdi që shemb përfundimisht çdo lloj standardi të pretenduar në kohën e pafundme të këtij tranzicioni.


Për këtë gjendje dhe aksion anarkizues në administratë, kanë mjaftuar vetëm disa akuza dhe denoncime sporadike deputetësh opozitarë. Partia e sapolarguar nga qeverisja, pra LSI-ja, me ambicien për të qenë me hise më të madhe në qeverisjen e pas 23 qershorit, (të cilën shpresojnë ta fitojnë në këtë gjendje), po pret edhe disa ditë e ndoshta një apo dy javë, për të nisur një aksion denoncimesh për barbarinë larguese dhe pushuese nga administrata e separateve partiake të deritanishme. Shumëkush mund të mendojë se nuk pritej diçka ndryshe dhe natyrisht nuk ka gjasa të ketë një filozofi tjetër në kohën e ardhme!


Por mbi të gjitha, kjo që po ngjet sot në administratë, është kapitull i ri, për një kapitull pasues pas dy apo tre muajsh. Kjo masakër, mbi gjithçka ka një kosto financiare, ndaj së cilës dhe për të cilën, askush nuk ndien dhe mban përgjegjësi ligjore. Kjo që po ngjet është një faturë shtesë në borxhin e brendshëm shqiptar. Dikush duhet të ndihet e të çojë zërin, në të kundërt, në një ditë të ardhme institucione të tilla si Departamenti i Administratës Publike apo Komisioni i Shërbimit Civil, do të gjenden para akuzës penale për shpërdorim të detyrës. Zërat institucionalë dhe aktet ligjore nuk mund të paralizohen, sado e pamëshirshme të jetë politika dhe autarkët e saj. Shteti është më jetëgjatë se shtetarët dhe jetëgjatësia e tij është gjykim i përhershëm për çdo të përkohshëm.


Në vend janë disa dhjetëra organizata të shoqërisë civile dhe aksione denoncimesh për ligjzbatimin dhe ruajtjen e administratës dhe shërbimit publik, por gjer më sot askush nuk po ngre zërin për këtë barbari lëvizjesh, emërimesh dhe spostimesh të pakritere që po realizohen në administratë dhe nivelet e institucioneve shtetërore. Kjo gjendje ka lidhje vetëm me imazhin krahasues me të dehurin që vërtit shishet e dehjes përreth vetes, duke mos ditur ku është fshehur apo është lagur fatura e stivosur e shpenzimeve. Ligji, duhet të shfaqet, në mos me pamjen e një autoriteti institucional, së paku me pamjen e një kamerieri që klientin e tij partiak, edhe pse në gjendje të dehur, nuk mund ta lërë të shkojë pa paguar. Aq më tepër, që në rastin me administratën tonë, në mos nuk dihet i dehuri, së paku klienteli i shpenzimit gjer në krizë, dihet qëmoti. Në këtë gjullurdi përzëniesh të reja, ka edhe nga ata ekspertë e drejtues me jetëgjatësi, të cilët me të drejtë mund të quhen, të “fundit” e mbetur.