Analizë


Eduart Gjokutaj


 


Ka vite që për buxhetin shqiptar, problemi i erozionit të të ardhurave fiskale është lidhur ngushtësisht me evazionin fiskal. Strategji të ndryshme janë propozuar dhe vënë në zbatim për t’u marrë me problemin në fjalë, duke përfshirë në vitet e fundit dhe zvogëlimin e shkallëve tatimore. Ndërkohë, qeveria shqiptare po përballet nga njëra anë me dilemën e rritjes së investimeve kapitale buxhetore dhe, nga ana tjetër, me presionin për ndryshim apo përjashtim të shkallëve tatimore. Opinioni që kemi dëgjuar dhe debatuar deri më sot e kërkon me ngulm duke pretenduar se këto ndryshime mund të nxisin punën dhe kapitalin dhe efekti indirekt do të nxirrte nga “errësira” pjesë të ekonomisë dhe bizneseve. Sipas të dhënave më të fundit të prezantuara nga studime të AL-Tax.org është parë se të ardhurat tatimore për vitin që kaloi janë kontribut i vetëm 67–70% të shqiptarëve.


Por, a e ka formalizuar ekonominë ulja e shkallëve të tatimeve dhe tarifave? Pjesërisht efekti ka qenë pozitiv në vitet e para, si një masë efektive për të trajtuar me sa më pak kosto administrimi problemin e ekonomisë informale dhe atë të evazionit në ekonomi dhe sistemin fiskal. Por në fakt, ulja e përqindjeve të shkallëve tatimore, në vetvete ka arritur të ruajë një nivel të ardhurash tatimore me rritje nga viti në vit duke marrë pjesë si nga investimet gjigante në infrastrukturë, por edhe nga referenca mbi mallra monopol dhe fitimin personal, si dhe një administrim në përpjekje të vështira për t’u ruajtur nga epidemia e korrupsionit dhe patronazhi politik.


Ata që nuk kanë paguar taksa vazhdojnë të mos paguajnë dhe ata që kanë paguar po paguajnë më pak si rrjedhojë e uljes së shkallëve tatimore. Një rrugë reale për të ekuivalentuar të dy grupet në raport me barrën që duhet të mbajnë do të ishte që në të njëjtën kohë të optimizohen shkallët tatimore (si gurët e peshores) e kombinuar me strategjinë aktuale të administrimit që është vizionuar mbi shërbimin për të gjithë dhe përdorimin e forcës për pjesën që i reziston ligjit dhe zbatimit të detyrimeve të tij.


Unë kuptoj me këtë, që qeveria duhet të shpërndajë sa më shumë besim te biznesi dhe të presë si këmbim detyrimet e duhura të paguara vullnetarisht në masë sa më të madhe.


Problemi i optimizmit të mbledhjes së të ardhurave tatimore për qeverinë qëndron mbi faktin që të zbatojë një strategji që mbledh në maksimum të ardhurat tatimore duke mos prekur barazinë midis taksapaguesve. Është detyra e agjencive fiskale të përcaktojnë të ardhurat reale duke u prezantuar me raste sipas riskut dhe me mjetet shtrënguese që ua jep ligji.


Tatimet në gjithë botën nuk zbatojnë politika sociale, por janë garantuesit e tyre nëpërmjet përmbushjes së misionit. Në këtë mision, administrimi nuk ndihmohet nga debatet e pasinqerta duke e personalizuar dhe trajtuar produktin e administrimit si një administrim të rrjedhur nga gjobat. Edhe pse politikanët duhet të konsumojnë kritika për të realizuar qëllimet personale dhe ato të grupimit, duhet të kenë një nivel transparence që të tregojnë se administrata nuk është qëllimi, por mjeti të cilin mund ta keqpërdorin kolegët e tyre.


Për sa i përket administrimit të të ardhurave, detyra më primare është rritja e nivelit të zbatimit të ligjit duke zbatuar strategjinë e përmbushjes për të ruajtur dhe shërbyer sa më mirë për kontribuuesin e rregullt dhe që kërkon realisht marrëdhënie partneriteti me administratën, nga biznesi informal dhe hileqar, që hyn në marrëdhënie partneriteti vetëm për të përfituar. Nga ana tjetër, në punën e përditshme të administratës fiskale nevoja për një bashkërendim me hallkat e tjera të administratës publike ka ardhur si një thirrje e kohës.