Sipërmarrja private e tepron me kërkesat pas përgjysmimit apo dhe heqjen e disa detyrimeve


Sugjerimet e Konfindustrisë prekin masën e taksave të papaguara të mjeteve për vitin 2012


Efektet


Ligji – Ulja me 50% e taksës së makinave do të hyjë në fuqi në muajin maj, me efekt minus prej 17 milionë eurosh në buxhet


Falja – Dy vjet më parë, qeveria ndërmori një amnisti, duke prekur rreth 8 mijë mjete transporti, me efekt 30 milionë euro


Pasojat – Vetëm nga heqja e TVSH për importin e makinerive, pajisjeve dhe lëndë të para, buxheti humbet rreth 150 milionë euro


ARD KOLA


Ridvan BodeThuhet se oreksi vjen duke ngrënë, e kështu vlen edhe për kërkesat e biznesit shqiptar, i cili duket se është “llastuar” paksa kohët e fundit. Duke përfituar nga ofertat e shumta të politikës për ulje pafund të taksave, Konfindustria kërkon një tjetër favor: amnistinë. Rasti konkret i mundësisë së faljes së detyrimeve lidhet me taksat e automjeteve, ndërsa propozimi vjen në një kohë kur qeveria ka miratuar së fundmi përgjysmimin e detyrimeve vjetore për mjetet e transportit.


Administratori i përgjithshëm i saj, Gjergj Buxhuku, saktëson se falja e taksave të papaguara duhet të vlejë vetëm për periudhën 2012. “Mosshoqërimi i uljes së taksave me falje fiskale do të pakësonte ndjeshëm arritjen e qëllimit pozitiv të vendimit në fjalë të ekzekutivit tek bizneset dhe qytetarët shqiptarë”, deklaron Buxhuku.


Konfindustria vlerëson se ulja e ndjeshme e mirëpritur e taksave për makinat e përdorura, për të dhënë ndikim të prekshëm dhe të drejtpërdrejtë për bizneset dhe qytetarët përfitues dhe njëkohësisht për buxhetin e shtetit është e nevojshme, që të shoqërohet nga falja e plotë fiskale e detyrimeve të mëparshme deri në vitin 2012. Dy vjet më parë, qeveria ndërmori një amnisti për makinat, duke falur 8 mijë mjete transporti, me një vlerë të përgjithshme 4.8 miliardë lekë.


“Duhet pranuar, se detyrimet e taksave për makinat e përdorura në vend kanë qenë tepër të larta krahasimisht vendeve të tjera parë nivelin ekonomik të bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë dhe njëkohësisht vështirësive të krizës globale, që ka përfshirë prej vitesh ekonominë shqiptare”, deklaron më tej Buxhuku. Sipas tij, shqiptarët janë me diferencë të ndjeshme më të ulët për nga zotërimi i makinave për banorë jo vetëm me standardin e vendeve të BE( 4-5 herë), por edhe me të gjitha vendet e rajonit (2-3 herë). Një masë e tillë, thekson Konfindustria, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të motorizimit të vendit si kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik.


Përgjysmimi i taksës së mjeteve të transportit u hodh nga Kryeministri dy javë më parë, ndërsa javën e kaluar u miratua në qeveri. Ndryshimi parashikon përgjysmimin e taksës fikse për karburantin, nga 25 në 12.5 për naftën dhe nga 20 në 10 për benzinën. Formula e llogaritjes së taksës vjetore shumëzon cilindratën e motorit të makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit, ndërsa ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi në muajin maj.


Përgjysmimi i taksës për mjetet e transportit do t’i shkaktojë buxhetit të shtetit një faturë minus prej 17 milionë eurosh. Të tjera taksa të ulura nga qeveria në këta dy muaj do t’i sjellin arkës së shtetit humbje që arrijnë rreth 150 milionë euro për TVSH në makineri apo 20 milionë euro të tjera nga heqja e tatim-fitimit për pagat bruto mujore deri në 30 mijë lekë. Këto, si dhe të tjera premtime po vërehen me skepticizëm nga institucionet ndërkombëtare në kushtet e krizës ku po kalon vendi.