Kryesoret Kuvend, tensione dhe debate për KQZ. Shkarkohet Ilirjan Muho, betohet Klement Zguro

Kuvend, tensione dhe debate për KQZ. Shkarkohet Ilirjan Muho, betohet Klement Zguro

438
SHPËRNDAJE

kuvend, seance

Pas një seance maratonë që ka zgjatur për gati 12 orë Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur shkarkimin e anëtarit të KQZ-së Ilirjan Muho, me pretendimin se emërimi i tij është bërë në kundërshtim me ligjin. Në kërkesën për shkarkim thuhet se “ Muho është emëruar në shkelje të nenit 12 gërma ë e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, ai është shkarkuar nga funksioni Prokurorit me dekret të Presidentit të aso kohe Alfred Moisiu më 12 mars 2003, duke i fshehur Kuvendit gjatë procedurës së emërimit deklarimin e fakteve që pengonin emërimin në detyrë të anëtarit të KQZ”.

Brenda pak minutash Kuvendi ka miratuar emërimin e Klement Zguros, i propozuar nga Partia Republikane, si anëtar i KQZ-së. Po sot Zguro është betuar përpara deputetëve, duke u bërë zyrtarisht anëtari më i ri i KQZ.

Seanca e sotme plenare nisi me vone nga sa ishte parashikuar dhe është karakterizuar nga debate të forta mazhorancë–opozitë, pasi në rend të ditës është votimi për lirimin nga detyra i anëtarit të KQZ-së, propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.

PD duket e palëkundur në nismën e saj ndërsa i ka propozuar parlamentit dy emra të rinj për të zënë vendin e Muhos, dy përfaqësues të Partisë Republikane, Klement Zguri dhe Patriot Çobo. Ndërkohë, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për integrim pritet të votojnë kundër kësaj, nisme të cilën në deklarata të ndryshmen e kanën cilësuar antiligjore dhe antikushtetuese, që bie në kundërshtim me kodin zgjedhor.

Ndërkaq, pritet që votave të mazorancës sot t’i bashkohen edhe votat e tre ish-deputetëve socialistë, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.
Për demokratët nisma është tërësisht legjitime pasi largimi i LSI nga koalicioni qeveritar bën që të humbë baraspesha politike në KQZ.

Ndërkohë, PS ka mbledhur mëngjesin e sotëm grupin kuvendor për të diskutuar  rreth mënyrës se si do të reagojnë në seancë, ndërsa pritet që qëndrimi i tyre të jetë i prerë.

Tension mes Gazmir Bizhgës dhe Kastriot Islamit

Tension në sallën e parlamentit. Ndërsa pritej nisja e votimit për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, deputetët e opozitës kanë vendosur të largohen nga salla e Kuvendit. Në këtë moment deputeti socialist Gazmir Bizhga i ka kërkuar deputetit të pavarur, ish-socialistit Kastriot Islami të largohej bashkë me ta dhe të mos merrte pjesë në votim. Refuzimi i Islamit ka sjellë reagimin e Bizhgës dhe më tej kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka kërkuar ndërhyrjen e Gardës së Republikës. Pas votimit, Topalli paralajmëroi mbledhjen e Kryetarëve për të marrë masa disiplinore ndaj deputetëve. Por Kastriot Islami, duke shpjeguar qëndrimin e tij ka kërkuar mos marrjen e masave disiplinore për asnjë nga deputetët.

Berisha: Muho duhet të jepte vetë dorëheqjen për shkeljet. Kërkoj falje që e votova


sali-berisha-ne-kuvend Kryeministri Berisha i është bashkuar diskutimeve në Kuvend rreth orës 22:00 të mbrëmjes.  Ai u  kujtoi deputetëve në sallë se marrëveshjet e bëra nuk shkelen. “Nga viti 2000 dhe në vazhdim forcat politike kanë bërë përpjekjet më të ndershme dhe serioze për të vendosur balancë në institucionet e administrimit të zgjedhjeve, u arrit kjo nga 6 me 1 në 5 me 2 anëtarë, prapë u quajt si prekje e të drejtave të socialistëve. Ju në vitin 2003 i shkelët ato. Moszbatimi i i marrëveshjes në 2003 i kushtoi partisë suaj më shtrenjtë se cdo gjë tjetër. Është e lehtë të flasësh pa llogari para qytetarëve, por ata kanë një memorie.

Me ndërmjetësim ndërkombëtar u arrit që të jetë balanca 4 me 3. U firmosën marrëveshjet, u ndërpre një mandat për balancën 4 me 3. Ne e pranuam, opozita fitoi zgjedhjet. Ju e pranuat në 2007, 2009, në 2011, e pranuat edhe në 2013 se me halucinacionet që keni për të ardhur në pushtet që s’do bëhet kurrë realitet kërkuat që mandati i kryetarit të bëhet 4 vite. Parashikimet e mia janë e dalin, opozitë keni qenë e opozitë do mbeteni”, tha ai.

Duke u ndalur tek rasti i Ilirian Muhos, Berisha shtoi se ai duhet të jepte vetë dorëheqjen për shkeljet e bëra. Kryeministri kërkoi falje që e ka miratuar atë, por kjo sipas tij ka ndodhur ngaqë nuk ishte në dijeni të shkeljeve të tij.

“Diskutohet për një person që në kundërshtim me çdo rregull etike nuk ka treguar që ka qënë i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të këshillit të prokurorëve. A e kuptoni ju që s’ka shqiptar që të pranojnë këtë. Ata që e propozuan duhet të kërkonin të falur për emërimin e tij, ky zotëria të jepte dorëheqjen se nuk tregoi. Ky ishte njeri i ligjit, e dinte që kishte 3 shkallë gjykimi për të fituar të drejtën e tij. Pse e bëni avokatin e tij kur ai nuk e bëri vetë. Unë kërkoj të falur që e votuam se nuk e dija, bëj një gabim dhe tërhiqem, por jo të bëj avokatin e tij. Ai ishte jashtë të gjitha kushteve, pse e kursyet ju kundërshtarët e mi. Kam leverdi që deri nesër në mëngjes ju ta mbroni, them që shumica nuk e dinte. Në këtë rast kërkova të falur ai të japë dorëheqjen. Por ju kërkoni prishje balancash, kjo është e gabuar marrëveshjet respektohen”, vijoi me tej Berisha.

Balla i drejtohet ministres Bregu: “Ik dhe ti se ke lidhje me mafien”

Taulant-Balla-Kuvend-Debati ka degjeneruar në akuza dhe fyerje personale. Deputeti i PS-së Taulant Balla i kërkoi ministres së Integrimit Majlinda Bregu të dorëhiqej nga detyra, pasi kishte marrë në mbrojtjes publikisht anëtarët e organizatës mafioze italiane “Sacra Corona Unita”.

“Zonjë me flamurin e BE-së dhe stemën e ministrisë nga mbrapa, ke dalë dhe ke bërë avokatinë e një klani kriminal në Itali “Sacra Corona Unita”, madje ke marrë në mbrojtje individë dhe kriminelë të kësaj organizate dhe nëse aplikoni të njëjtin standard siç doni të aplikoni sot, jep dorëheqjen nga ministre e Integrimit, pastaj kërko largimin e anëtarit të KQZ-së. Me të njëjtin standard siç po i kërkon Ilirjan Muhos të largohet, largohu edhe ti nga qeveria”, tha sekretari i grupit parlamentar opozitar, Taulant Balla.

Drejt vendit ku qëndronte ministrja Bregu, përgjatë kohës që fliste deputeti Balla, është drejtuar ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Ai i ka këshilluar diçka zonjës Bregu, por ajo siç dukej përmes pamjeve, ia ka kthyer me një gjest bezdie se nuk kishte nevojë për “të dhënat” e ofruara nga ministri Noka.

“E di pse nuk trembni dot njeri ju, e para sepse ti je shpifës me pagesë, e dyta shko paguaj gjithë gjobat e shpifjeve se me shpifje ti nuk bën dot pis njeri, e treta si dordolec kur bërtet nuk tremb dot asnjë nga laraskat e tjera që vijnë vërdallë”, ishte replika pot tension e ministres Bregu me deputetin socialist.

Topalli: Ilirjan Muho ka mashtruar Parlamentin, është shkarkuar si prokuror nga Dhori Sollaku për lidhje me krimin

Topalli_Kuvendi-2Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj nga foltorja e Parlamentit e akuzoi Ilirjan Muhon se ka mashtruar me CV e tij, pasi sipas saj në vitin 2003 ai është shkarkuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu me kërkesë të Kryeprokurorit Dhori Sollaku për lidhje me krimin.
“Propozuesi që ka sjellë në KQZ Muhon na ka mashtruar ju dhe ne. Ky është atentati më i madh që i bëhet Parlamentit. Ilirian Muho ka gënjyer dhe mashtruar parlamentin me CV e tij. Nuk tregon se është i shkarkuar nga presidenti i Republikës me propozim të Dhori Sollakut. Emërimi i tij është i paligjshëm, pasi ai është i shkarkuar për lidhjet me krimin”, tha Topalli.

Malaj: Një krizë e re politike do të rriste më tej krizën e varfërisë që ju përpiqeni ta fshihni

arben malaj ne kuvend'Deputeti i PS, Arben Malaj gjatë fjalës së tij akuzoi qeverinë se është përgjegjëse për krizën e rëndë ekonomike që po përjetojnë familjet shqiptare, dhe sipas tij kësaj krize, me lëvizjen e fundit në KQZ po i shton edhe një tjetër krizë politike që vetëm sa do ta përkeqësonte situatën

“Fatkeqësisht, ajo që po ndodh me zhvillimet politike tek ne është e kundërta e asaj që presin shqiptarët. Korrupsioni, kapja  e shtetit, pushtimi i administratës nga militantët vështirësojnë jetën e tyre. Testi i parë me të cilin një vend përballët me sfidat janë zgjojet e lira dhe demokratike, të cilat tashmë rrezikohen.

PD ndodhet në një moment kritik, përballë humbjes së pushtetit

dhe krizat e saj i vuajnë shqiptarët. Çdo premtim për ulje taksash, ulje të varfërisë, Shqipëria një euro janë një zero e madhe, pasi shteti është i kapur. Ju nuk dëgjoni asnjë ekspertizë apo këshillë që vijnë edhe nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë.

Një krizë e re politike do të rriste më tej krizën e varfërisë që ju përpiqeni ta fshiheni”, tha Malaj.

Ahmetaj: Berisha ka fobi nga zgjedhjet e lira, synon manipulimin që ka bërë prej 22 vjetëve

ahmetajDeputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas Ahmetajt, kryeministri Berisha po tregon se KQZ nuk do të jetë e pavarur, por nën komandën e një force politike.

Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike”, tha Ahmetaj

Sipas deputetit të PS, me këtë lëvizje Berisha tregon se ka frikë nga një individ që është betuar në kuvend për zgjedhje të lira dhe demokratike siç është në këtë rast përfaqësuesi i LSI, Ilirjan Muho, pasi sipas tij kryeministri ka treguar gjithmonë se ka fobi nga zgjedhjet e lira dhe do të veprojë siç ka bërë në 22 vjet ku ka cenuar dhe manipuluar zgjedhjet.

Gjiknuri: Berisha po kërkon të uzurpojë institucionet. Mandati i anëtarëve të KQZ, fiks, kjo e bën të pavarur institucionin

gjiknuri ne kuvendDeputeti i PS, Damian Gjiknuri ka folur me tone të ashpra ndaj kërkesës së PD për shkarkimin e anëtarit të LSI në KQZ duke e cilësuar atë si një përpjekje të Berishës për të uzurpuar të gjitha institucionet e pavarura në vend, pasi sipas tij Berisha nuk bën dot zgjedhje po nuk e pati KQZ të vetën.

“Qëllimi i Berishës është që të pushtohet KQZ në radhën e të gjitha institucioneve të pavarura, pasi ai nuk bën dot zgjedhje pa bërë KQZ partiake.

Kjo seancë është e papranueshme, nuk duhet të mbahet. Nuk mund të ndryshojë KQZ sa herë ndryshojnë mazhorancat në kuvend

Nuk mund të nisemi nga marrëveshja e 2003 kur kodi është ribërë edhe 5 herë të tjera. Anëtarë janë me mandat fiks, pikërisht kjo e bën institucionin të pavarur.

Barazpesha politike në KQZ, parimi që mban në këmbë administratën zgjedhore

edi palokaDeputeti demokrat, Edi Paloka në nisje të seancës së sotme lexoi relacionin e PD-së lidhur me kërkesën për lirimin e anëtarit të LSI në KQZ dhe arsyet e që e çojnë PD në këtë kërkesë. Sipas Palokës, në të gjitha përcaktimet ligjore, kodi mbështetet në barazpeshimin politik të KQZ.

“Është parimi kryesor që mban në këmbë gjithë administratën zgjedhore. Garanton suksesin dhe besimin te procesi zgjedhor duke ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë për procesin.

Në emër të grupit kërkoj që kjo situatë të zgjidhet menjëherë nga parlamenti në mënyrë që të mos cenohet procesi zgjedhor në një kohë që KQZ prej kohësh e ka nisur procesin zgjedhor duke marrë vendime të rëndësishme”, tha Paloka.

15 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)