Në procesin e punës kërkimore dhe të këshillimit të burimeve për një dokumentar, një prej fakteve më befasues dhe njëherësh thuajse të panjohur e të pabesueshëm që më ra në dorë, kishte të bënte pikërisht me Kryeministren Margaret Thatcher
MONIKA SHOSHORI STAFA
Margaret Thatcher, e para grua Kryeministre e qeverisë së Madhërisë së Saj, Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, me një periudhë qeverisjeje nga më afatgjatat, do të përcillet, mes polemikash të ashpra, me protokollin e një princeshe.
Figura e Margaret Thatcher-it në mjediset shqiptare prej dekadash është identifikuar me epitetin “Zonja e Hekurt” dhe me sa duket me të njëjtin përftim dhe do të përcillet.
Por a ka pasur Margaret Thatcher ndonjë moment që e ka lidhur drejtpërdrejt me popullin shqiptar dhe në dobi të tij, moment që meriton nderim në këto ditë ikjeje pa kthim?
Gjatë vitit të kaluar, në kuadër të nismave për nderimin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ndër të tjera u mora me projektimin dhe realizimin e dokumentarit “Fytyra e shtetit në pasqyrë të monedhës”, transmetuar disa herë nga platforma dixhitale “Digitalb” në kanalin “T”. Në procesin e punës kërkimore dhe të këshillimit të burimeve për këtë dokumentar, një prej fakteve më befasues dhe njëherësh thuajse të panjohur e të pabesueshëm që më ra në dorë, kishte të bënte pikërisht me Kryeministren Margaret Thatcher. Simbolikisht unë e kam quajtur “Thatcher’s chéque”, sepse gjithë episodi që do të përshkruhet lidhet me një çek, që, megjithëse quhet “chéque a porteur”, çek pa emër mbajtësi, ka nënshkrimin e Kryeministres britanike, dërguar Bankës së Shtetit më 2 shkurt 1979.
Në mesin e viteve 1980, kur ndërprerja e marrëdhënieve të miqësisë me Pekinin ishte bërë krejt e dukshme, Tirana dha disa shenja zbutjeje me shtetet që deri atëherë i konsideronte armiq dhe nuk mbante marrëdhënie diplomatike: me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë federale në radhë të parë. Në Kushtetutën e vitit 1976, u shënjua se Shqipëria nuk mban marrëdhënie diplomatike me dy superfuqitë, ndërsa për vendet e tjera nuk u parashikua përjashtim. Po në këtë kohë, siç del nga burimet që pata mundësi të këshilloj në kohën e realizimit të dokumentarit, bisedimet me Gjermaninë dhe Britaninë (jo dhe me Izraelin!) shkonin përpara deri-diku dhe pastaj ktheheshin në pikën e fillimit. Arsyeja ishte jo politike, jo diplomatike, por historike: ari shqiptar i dorëzuar nga qeveria e Mehdi bej Frashërit në vitin 1943 komandës naziste, me një peshë të përafërt prej 2.6 tonësh, i administruar nga një komision trepalësh i aleancës fitimtare të luftës antifashiste, për shkak se Shqipëria nuk pranonte të paguante dëmshpërblimin që Gjykata e Hagës kishte caktuar për të, duke iu referuar incidentit të Korfuzit. Gjendja dukej pa zgjidhje: jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike, por më parë duhet të na kthehet ari; ari nuk mund të kthehet, sepse duhet të paguani më parë dëmshpërblimet për kryqëzorët britanikë që u minuan në kanalin e Korfuzit; nuk japim dëmshpërblime, sepse minat nuk i kemi vendosur ne; edhe nëse ju s’i keni vendosur, keni pranuar t’i nënshtroheni vendimit të një gjykate, madje avokatin tuaj e keni nderuar me urdhër të lartë mirënjohjeje, prandaj duhet ta respektoni; ne jemi njohur si pjesë e aleancës fitimtare, prandaj nuk do të paguajmë dëmshpërblime, deri sa vinte argumenti i fundmë i diplomacisë britanike: “Na jepni një sterlinë, sterlinën e nderit, dhe jemi të gatshëm të heqim dorë nga kërkesat tona”. Por pikërisht këtë nuk bëri qeveria e Tiranës. Në kushtet e shenjtërimit të një ideali që, siç u provua, nuk çonte askund, qeveria shqiptare nuk i lejonte vetes asnjë shenjë sado të vogël pragmatizmi, dhe kështu, në emër të “mitit të konsekuencës”, shkohej drejt mbrojtjes së nderit duke ngrënë bar, në vend të një kompromisi që sot do të gjykohej qesharak: një sterlinë për të fituar gjithë të drejtat mbi arin e dorëzuar gjatë luftës (me një premtim të komandës naziste se ari do të kthehej së bashku me vlerën e depozitës në kartëmonedhë, që zakonisht nuk përmendet, për të mos folur për kartëmonedhën e prodhuar prej klisheve që u morën prej saj bashkë me depozitën dhe arin). Mitrush Kuteli, kur shkroi kujtimet, shënjoi se “gjermanët desh më vranë, pse desha të mbroj monedhën kombëtare nga inflacioni”.
Pikërisht kjo është nyja që e lidh Margaret Thatcher-in me popullin shqiptar, duke e ndriçuar atë si një prej figurave politike më dashamirëse të kohës ndaj popullit shqiptar.
Siç shënjon vetë E. Hoxha në ditarin e tij politik, “për përdorim të brendshëm”, vëllimi i 12, në vitin 1979, në vëzhgimin me titull “Manovra të zonjës Theçer”, Bankës së Shqipërisë i erdhi një çek i çuditshëm. Ai mbante nënshkrimin e Kryeministres Margaret Thatcher dhe ishte ekuivalent me vlerën e arit të dhuruar (gjegjësisht grabitur, sipas shprehjes së përdorur në bisedime), në masën që ishte vendosur prej Konferencës së Paqes (1946) për kthim: afërsisht 60 për qind (duke qenë se afërisht një e treta e depozitave të arit që iu morën vendeve të pushtuara nga ushtria naziste ishte zhdukur pa gjurmë, dhe kështu nuk mbetej princip tjetër drejtësie veç mesatarizimit). Me urdhër të E. Hoxhës, çeku u verifikua menjëherë nëse ishte autentik apo jo, nëse ishte i livrueshëm apo jo. Të dhënat e Bankës Kombëtare rezultuan pozitive: çeku ishte origjinal, nënshkrimi i “Zonjës së Hekurt” gjithashtu, livrimi i tij ishte i pakushtëzuar, pra, mbetej vetëm një gjë: të kishte një vullnet pranimi nga Tirana: “Ai kap shumën prej 8 milionë sterlinash dhe mund të tërhiqet. Kjo shumë përfaqëson pikërisht arin tonë të grabitur nga forcat nazifashiste gjermane, të bllokuar nga qeveria angleze” (“Ditari”, f. 85). Por pikërisht vullneti i pranimit nga Tirana mungoi. Për këtë mjaftojnë shënjimet që vetë E. Hoxha ka shkruar në ditarin e vet politik sekret. Sipas tij, ky çek, edhe pse një propozim për t’u menduar, nuk mund të pranohej, sepse vërtet që vlera e tij i përgjigjej vlerës së arit të mbajtur nën kontroll nga komisioni trepalësh, vërtet që shuma e tij mund të livrohej menjëherë dhe pa kushte, por zonja Thatcher nuk kishte llogaritur interesat e munguara gjatë afro 40 vjetëve, nuk kishte vlerësuar faktin që ari shqiptar ishte ar numizmatik dhe jo ar garancie (lingotë). Por, mbi të gjitha, theksohet se ky çek mund të jetë një diversion për të kuptuar se deri në ç’shkallë është nevojtare ekonomia e Shqipërisë, tashmë e mbetur pa burime të jashtme, pa ndihmën e Pekinit, autarkike siç rekomandonte parimi “mbështetje në forcat e veta”. Dhe kështu “Thatcher’s chaque” u refuzua: “Ata deshën që ne ta pranonim këtë çek në heshtje” (“Ditari”, vëll. i 12, 23 prill 1979, f. 475). Mund të thuhet se kjo ka qenë pika më e afërt dhe më optimale për Shqipërinë në historinë e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20.
Çfarë ndodhi më vonë? Ajo tashmë dihet. Tirana pranoi përgjegjësinë për incidentin e Korfuzit, me arin shqiptar u paguan dëmshpërblimet, procedura vazhdoi deri në vitin 2004, kur qeveria e vendit përmbaroi procedurat finale, dhe Shqipëria humbi çekun, arin, të drejtën, duke rezultuar nën zeron asnjanëse: e humbur dhe fajtore.
Faktet që dolën më vonë, filmimet e kryera nga marinarët britanikë, provuan se kryqëzorët britanikë u varrosën nga vetë britanikët në Korfuz, duke iu shmangur kostos së dorëzimit si mbeturinë. Por atëherë ishte vonë. Nuk mund të ndërmerrej më asnjë hap bisedimi, përveç rrugës gjyqësore, që mund të përfundonte njësoj si në vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Hagës. Dhe kështu, historia e arit shqiptar që iu dha në duar komandës naziste, rezulton të ketë pikën më favorizuese për Shqipërinë pikërisht në “Thatcher’s chaque”, që u nënçmua nga Tirana dhe u humb si mundësi përgjithnjë. A nuk e meriton Margaret Thatcher një nderim më vete pikërisht për këtë nismë të saj? Një nismë që ende nuk është zbuluar: ishte një vullnet individual, kishte autorizimin e qeverisë, kishte autorizimin e dy dhomave ligjvënëse, kishte dijeni dhe pëlqim nga Madhëria e Saj, pse mbante nënshkrimin e Kryeministres si qytetare dhe jo si kryetare qeverie? Të gjitha këto meritojnë një vëmendje në burimet arkivore britanike, të cilat tanimë janë të hapura, sepse, sipas ligjit të vendit, Public Office lejon akses për të interesuarit, pasi kanë kaluar 30 vjet nga data e krijimit të dokumentit, dhe ky afat tanimë është plotësuar.
“Thatcher’s chaque” mund ta kishte bërë Shqipërinë fituese të disa të drejtave që më vonë i dorëzoi me vullnet mahnitës!