Kryesoret Denar Biba dorëhiqet si nënkryetar i KQZ: Kuvendi na trajtoi si anëtarë...

Denar Biba dorëhiqet si nënkryetar i KQZ: Kuvendi na trajtoi si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer

95
SHPËRNDAJE

denar-biba- KQZNënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet e tij. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Biba ka sqaruar se vendimi i tij është marrë pas shkarkimit të Ilirjan Muhos dhe zëvendësimi i tij me Klement Zgurin.  “Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror  të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës.

Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!

Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional”, shkruan Biba. Ai ka argumentuar më tej se : “kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve”.

Biba ka theksuar më tej se shqiptarët meritojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj askush nuk mund të tallet duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve. “Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!”, përfundon Biba.

16 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)