ALEKSANDËR ÇIPA


Aleksander CipaPolitika po shpërfaq rishtazi mungesën e sqimës së vet leksikore. Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, e cilëson koalicionin PS-LSI si “koalicion të qelbësirave”. Një rikthim i gjuhës së përdhosjes etike vihet re në komunikimin dhe ligjërimin politik mes pozitës dhe opozitës. Nuk ka ditë që në mediumet tona, në përballjet e debateve për çështjet elektorale dhe sidomos për problemin e anëtarit të KQZ-së që PD-ja këmbëngul t’i heqë LSI-së, të mos vërshojnë etiketimet dhe shprehjet me ngarkesë negative etike dhe me përmbajtje fyese. Është rikthim në fjalorin tradicional elektoral, sipas të cilit protagonistët e politikës jo vetëm kanë punë me krimin, ndotjen dhe pisllëkun, por edhe bashkimet apo ndarjet e tyre në thelb shprehin paskrupullsinë dhe brendinë shtegtuese të qelbësirllëkut. Në këtë mënyrë, atë “që dje e lëvdonte, sot e shan” dhe ndoshta nesër sërish do ta lëvdojë, sipas nevojës. Në këtë rotacion të së keqes, dhe të shprishur të pushtetit, klasa politike e vendit po tejkalon çdo normë grotesku dhe sidomos çdo sistem ndarës të së mirës nga e keqja.


Në seancën shumorëshe të djeshme të Kuvendit, e cila zgjati vetëm për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së në detyrë, juristit Ilirjan Muhos, pozita zbuloi nga dosja apo protokolli i Presidencës, se ish-presidenti Alfred Moisiu e ka shkarkuar ish-prokurorin për shkelje në detyrë. Kjo dosje u gjet vetëm në kushtet e nevojës për shkarkim të anëtarit të KQZ-së dhe nuk u gjet dot në ditët kur u propozua dhe u votua për anëtar të KQZ-së, që propozohej nga partia aleate në qeverisjen PD-LSI.


Një sjellje dhe vetëturpërim i shumicës së mbetur në Kuvend, në këtë rast me qëndrime të dyfishta. Që u zbulua kjo dosje, është meritë, por që nuk është gjetur në kohën e duhur, për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Pas kësaj pyetjet e para që lindin vetiu janë: Kush merret në Kuvendin e Shqipërisë me përgatitjen e dosjeve të çdo kandidati që kalon për votim dhe që do të ketë lidhje me institucionet kushtetuese? Si përgatiten dosjet dhe cilat janë deklarimet e çdo kandidati që paraqitet për t’u votuar si për KQZ-në ashtu edhe për institucionet e tjera kushtetuese në këtë vend? Pse kjo procedurë nuk është ndjekur në rastin kur ai është votuar si anëtar, por befas “lind” zbulimi i konservuar për momentin dhe nevojën shkarkuese të tij? Kjo është një ikje nga vetja e djeshme, për të lartuar veten e sotme vetëm në emër të qëllimit dhe nevojës politike të ditës. LSI-ja po shndërrohet në një faktor që evidenton dyfytyrësinë politike majtas djathtas partitizmit në këtë vend. Një dyfytyrësi që qarkullon sipas nevojës koalicionare nga e djathta tek e majta. Një polemikë e shtrirë në seancën e djeshme maratonë të Kuvendit, ku oratorët politikë të pozitës dhe opozitës, kanë dhënë një “kampion” të cilësisë morale që ofron politikëbërja shqiptare në vitin 2013. Ky “kampion” i kësaj cilësie morale të ulët, pashmangshmërisht po bëhet përmbajtja kryesore e lojës elektorale që po zhvillohet në vend, në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Seanca e djeshme është skaneri më i mirë i një ndërgjegjeje shantazhuese që manifeston shumica mbi pakicën. Kur kanë mbetur vetëm një muaj e gjysmë kohë nga mandati i këtij Kuvendi, befas Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, i kujton një deputeti socialist se paska nisur ndaj tij një proces verifikimi për deklarimin e pasurisë. Ndërgjegjja qytetare na e do, që nëse hetime të tilla dhe verifikime kësilloji kryen për çdo deputet të këtij Kuvendi në mbarim, kjo është tejet shpresëdhënëse, por nëse një proces i tillë kryhet në mënyrë selektive dhe për deputetë opozitarë, atëherë ky është një keqpërdorim me prapavijë dhe qëllim të pastër politik. Në këtë vend, nevoja për verifikime të të ardhurave, për hetime pastrimi parash apo për shmangie fiskale dhe deri edhe për transaksione të paligjshme, me kohë është imediate. Mirëpo si të tillë, atë e ka vonuar politika dhe shtetarësia uzurpatore e ligjit.


Çështja e një anëtari të KQZ-së, po shndërrohet jo në një “mollë të re sherri” mes pozitës dhe opozitës në këtë pikë fushate zgjedhore, por në një bërthamë konflikti të tipit dhe përmbajtjes së njohur të këtij tranzicioni. Seanca e djeshme e Kuvendit dhe sidomos alarmi i shprehur i ambasadorëve të rëndësishëm të huaj në Tiranë, janë shprehëse dhe konfirmuese të mbërritjes së konfliktit politik dhe elektoral mes palëve partiake në këtë vend. Në epiqendër të këtij konflikti, brenda pak ditësh kanë për t’u rishfaqur protagonistët e vjetër dhe të njohur të kësaj skene të ndenjur, mes të cilëve do të rishquhet Kryeministri Berisha. Ky protagonist nuk di të iki prej vetes së djeshme, por falë njohjes dhe përdorimit prej ustai të mekanizmit të konfliktit, ritenton t’i shërbejë qëllimit të ri, përmes përdorimit të vjetër. Një ikje nga vetja e djeshme sa për sot, për të qenë vetëm vetja e njohur politike. Në këtë rast ripërdorimi është bërë i rrezikshëm, pasi profesor Berisha, duke riluajtur të njëjtën lojë, bëhet “usta”. Dhe në kësi rastesh në politikë thuhet: Usta kujdes!