Durrës
Në biznesin, që ai ka bashkë me një tjetër, policia zbuloi një arsenal armësh
Shpallet në kërkim një nga ish-anëtarët e përfolur të Bandës së Durrësit, pasi në biznesin e tij është gjetur një arsenal armësh, ndërkohë që nis ekspertiza për të përcaktuar nëse armët e gjetura janë përdorur për kryerjen e krimeve të ndryshme. Policia e Durrësit ka zbuluar e sekuestruar arsenalin e armëve në një biznes rural, në bashkëpronësi të tij, por ende nuk ka kapur pronarët e biznesit, që deklarohet të jenë edhe poseduesit e armatimit. Arsenali u gjet në një kompleks blegtoral të fshatit Fllakë, pak kilometra larg qytetit të Durrësit. Automatikë, silenciatorë, armë gjahu, krehër me fishekë, por edhe gëzhoja fishekësh dhe objekte të tjera u sekuestruan gjatë fundjavës, ndërsa u shpallën në kërkim Rudin Taullai, 34 vjeç, dhe Indrit Mancaku, 37 vjeç, të dy me banim në Durrës. Dy të shpallurit në kërkim, sipas burimeve policore, janë pronarë të kompleksit blegtoral, por edhe të një linje të autobusëve urbanë në Durrës. Rudin Taullai është kushëriri i Indrit Taullait, një nga anëtarët kryesorë të Bandës së Durrësit dhe emri i tij ka dalë shpesh gjatë dëshmive të dhëna gjatë gjykimit të kësaj bande në Tiranë.
Kontrolli nga strukturat policore të Durrësit, në ambientet e kompleksit blegtoral në fshatin Fllakë u krye mbi bazën e informacioneve të siguruara për praninë e tyre brenda tij. Si rezultat, forcat policore arritën të gjejnë e sekuestrojnë një arsenal armësh e municionesh luftarake e gjahu, për posedimin e të cilave u shpallën dhe po vijojnë kërkimet për shtetasit Taullai dhe Mancaku. Katër armët e zjarrit automatike, si dhe një silenciator me gjatësi 20 centimetra dyshohet se janë përdorur në krime të rënda, për të cilat pajtohen kryesisht vrasës me pagesë. Gjithçka e gjetur në ambientet e kompleksit është dërguar në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës, për t’iu nënshtruar një ekspertize të hollësishme duke synuar zbulimin e përdorimit të tyre dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale ende të mbetura në errësirë, pa autor. Burimet policore bëjnë të ditur se pritshmëritë nga ekspertizat balistike janë të larta për të hedhur dritë dhe mbi ngjarje të pezulluara për mungesë provash. Janë 21 gëzhoja armësh, kryesisht model 56, të cilat dyshohet se janë mbledhur nga vendngjarjet për të penguar zbardhjen e krimeve, ndërsa ruajtja e tyre shihet si jo vetëm si kujtesë, por edhe mundësi për të ushtruar presion mbi persona ende të panjohur, pasi ato shërbejnë edhe si provë për veprimtarinë kriminale. Gjithçka, sipas burimeve policore mbetet në fazën e hipotezave, pasi vetëm ekspertët do të përcaktojnë konkretisht nëse armët janë përdorur në krime të mundshme dhe më pas hetimet do të mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjeve, autorëve të dyshuar dhe motiveve të tyre. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore lidhur me sekuestrimin e arsenalit të armëve dhe municioneve, policia nën udhëheqjen dhe të prokurorisë po vijon punën hetimore në drejtim të dokumentimit të përfshirjes së shtetasve Taullai dhe Mancaku, të cilët janë edhe pronarë të kompleksit, në veprimtari kriminale. Aktualisht, ndaj tyre janë ngritur akuzat për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve sportive apo të gjahut në bashkëpunim”. V. Qyrfyçi
Armët e sekuestruara:
-2 armë zjarri automatik model 56
-1 armë zjarri PMSH
-1 armë zjarri, Skorpions
-1 silenciator me gjatësi 20 cm
-1 armë gjahu, teke e markës Snelli
-4 krehër fishekësh, nga të cilët, njëri me 30 fishekë dhe një me 1 fishek
-1 krehër arme zjarri PMSH me 8 fishekë
-1 krehër Skorpions
-1 kasë mbajtëse municioni me 31 pako (20 copë fishekë model 56 secila)
-një çante letre brenda së cilës 62 fishekë luftarakë model 54
-17 gëzhoja model 56
-3 gëzhoja arme model 54
-1 gëzhojë arme zjarri me model të papërcaktuar