Vendimi


“Nuk ka vullnet për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri”


Ndërkombëtarët – Faktori ndërkombëtar ka apeluar për të mos realizuar ndryshimin në KQZ, duke ofruar një formulë kompromisi, e cila nuk u pranua nga PD


Nënkryetari – Pas shkarkimit të Muhës, Denar Biba, në orën 20:45, në një letër publike deklaroi dorëheqjen nga posti drejtues dhe si anëtar i KQZ-së


Shtylla – Përflitet edhe largimi i anëtares tjetër të këtij institucioni, Albana Shtylla, e cila është propozuar nga PS-ja dhe është votuar nga Kuvendi


BLEDAR HOTI


Denar BibaShkarkimi i Ilirjan Muhos sjell tronditje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, jep dorëheqjen si anëtar dhe drejtues i këtij institucioni. Lajmi bombë që shkakton tronditje në institucionin zgjedhor dy muaj para zgjedhjeve pritet të sjellë si pasojë një situatë të re jo vetëm në KQZ, por dhe në skenën politike shqiptare. Ky zhvillim i papritur mund të pasohet dhe me një largim të mundshëm të anëtares tjetër të KQZ-së, Albana Shtylla. Sipas burimeve, kjo lëvizje e largimit të Shtyllës mund të bëhet sot. Kjo gjë duket se është vendosur pas seancës maratonë të Kuvendit, ku anëtarët e KQZ-së janë bërë pre e sulmeve politike. Gjithsesi kjo situatë pritet të shkaktojë reagime të ashpra mes palëve, ku opozita më e madhe në vend mund të mbetet e papërfaqësuar në institucionin kryesor që administron zgjedhjet. Pas ikjes së LSI-së nga koalicioni qeveritar, PD-ja mori vendimin për shkarkimin e propozuar nga kjo forcë në KQZ, me argumentimin se nuk kishte balancën në këtë institucion. Të hënën pas një seance maratone Kuvendi shkarkoi Ilirjan Muhon nga posti i anëtarit, duke shkaktuar tensionim të situatës politike dy muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. PD-ja, pavarësisht thirrjeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve si SHBA dhe BE nuk u tërhoq nga shkarkimi i Muhos. Kjo u arrit falë votave të tre deputetëve të majtë, Kadeli, Islami dhe Dogjani.


Dorëheqja e Bibës


Nënkryetari i KQZ-së, në letrën e tij publike, jep arsyen për largimin e tij. “Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura!”, shkruan Biba në letrën e tij. Më tej, ai shprehet i indinjuar nga sulmet e bëra nga Kuvendi dy ditë më parë gjatë shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e kolegut të tij Muho. “Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, shkruan Biba. Sipas tij, KQZ-ja nuk mund të jetë një institucion ku politika mund të bëjë çfarë të dojë. “Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve. Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!”, mbyll letrën e tij, ish-nënkryetari i KQZ-së.


 


Skenarët


Kuvendi, brenda 30 ditëve duhet të zgjedhë zëvendësuesin


Nëse PS nuk pranon, atëherë propozimin duhet ta bëjë LSI-ja


KQZjaKodi Zgjedhor ka parashikuar një procedurë të posaçme për rastet kur anëtari i KQZ-së jep dorëheqjen nga posti që mban. Dhënia e dorëheqjes shihet dhe si një nga çështjet e mbarimit të mandatit. Sipas nenit 19, pika 2, në rast të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ-së, Kuvendi emëron një anëtar zëvendësues brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vakancës nga KQZ-ja, sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 18 të këtij Kodi ose nga çasti i shkarkimit. “Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Në të kundërt, kandidaturat propozohen nga partia politike, e cila i plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë. Në rastin e zëvendësimit të kryetarit, zhvillohet e njëjta procedurë votimi, sipas nenit 15 të këtij kodi”, thuhet më tej në nenin 19, pika 2. Të drejtën e ripropozimit të emrit zëvendësues e ka Partia Socialiste. Në rast se PS-ja nuk do të pranojë të zëvendësojë anëtarin që i takon sipas ligjit, nenit 15 të kodit, si partia më e madhe e opozitës, atëherë Kuvendit i lind e drejta të caktojë partinë tjetër të opozitës. Mbi bazën e llogaritjes së re i takon që LSI-ja të marrë anëtarin e KQZ-së, kjo në rast të refuzimit nga PS-ja. Gjithsesi nëse dhe LSI-ja nuk pranon atëherë po mbi bazën e kësaj llogaritjeje duhet ta përfitojë PBDNJ e Vangjel Dules, si partia e tretë në opozitë.


 


 


Tabela


Kodi Zgjedhor


Neni 18


Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së


1. Mandati i anëtarit dhe kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur:


a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së


b) mbush moshën për pension


c) vdes


ç) jep dorëheqjen nga detyra


d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi


dh) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre


e) mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë


2. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a”, “d”, “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se pesë ditë nga marrja dijeni për shkakun. Në rastet e tjera të pikës 1 të këtij neni, anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit pas njoftimit nga ana e KQZ-së.


 


Neni 19/2


2. Në rast të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ-së, Kuvendi emëron një anëtar zëvendësues brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vakancës nga KQZ-ja, sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1, të nenit 18 të këtij kodi, ose nga çasti i shkarkimit. Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1, të nenit 14 të këtij kodi. Në të kundërt, kandidaturat propozohen nga partia politike, e cila i plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë. Në rastin e zëvendësimit të kryetarit, zhvillohet e njëjta procedurë votimi, sipas nenit 15 të këtij kodi