Durrës, nëna e dy fëmijëve qëllon me çifte burrin dhe më pas telefonon policinë


Vali Qyrfyçi


plagos burrinNjë tjetër ngjarje kriminale ka tronditur familjen në Durrës ku një grua e re ka plagosur bashkëshortin dhunues. Vite të tëra nën dhunë nga bashkëshorti dhe rrahja e fundit me kërcënimin për ta vrarë kanë marrë reagimin e 31-vjeçares Leonora Zacellari, nënë e dy fëmijëve. Krimi ndodhi pasditen e së mërkurës në zonën e ish-kënetës, në lagjen 17 të qytetit bregdetar, ku banon dhe familja Zacellari. Gjatë një konflikti të ashpër mes bashkëshortëve, Leonora Zacellari 31 vjeçe ka qëlluar me pistoletë mbi të shoqin, Përparimin 35-vjeçar duke e lënë të plagosur. Gruaja menjëherë ka njoftuar për ngjarjen policinë dhe është dorëzuar së bashku me armën e krimit, duke pranuar autorësinë e ngjarjes, ndërsa i plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit. Nga hetimet e para rezulton se mbi gruan po ushtrohej dhunë dhe ngjarja ka ndodhur në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Nga  dëshmitë e marra rezulton se autorja e dyshuar është viktimë e dhunës familjare. E gjetur pa rrugëdalje, ajo ka qëlluar mbi të shoqin, duke e plagosur në këmbë dhe në ije. Burimet spitalore bëjnë të ditur se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar 31-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve, ndërsa vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjendja e gruas është e keqe. Me flokë të shkatërruara, hematoma dhe shenja të dukshme të dhunës së ushtruar mbi të ngado nëpër trup, Leonora pret vendimin e autoriteteve, ndërsa rënkon për fatin e dy fëmijëve të saj. Nëse provohet se 31-vjeçarja ka qenë në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme, siç deklaron, Leonora Zacellari nuk do të ketë përgjegjësi penale për veprën. Sulmi ndaj saj nga bashkëshorti duhet të provohet se ka qenë real dhe i çastit dhe karakteri i mbrojtjes në baraspeshë me rrezikshmërinë e sulmit, në të kundërt ajo duhet të përballet me veprën penale të plagosjes. Ajo ka pranuar se ka qëlluar mbi burrin, por vetëm për t’i shpëtuar dhunës dhe e bindur se ai do ta vriste pas kërcënimeve me jetë që i bënte. Të shtënat mbi burrin kanë ndodhur rreth 30 minuta pasi ai e ka rrahur keqazi dhe kërcënuar se do e vrasë. Shenjat e dhunës mbi 31-vjeçaren janë të dukshme. “Nuk munda më. U vetëmbrojta. Ka vite që rrihem dhe tani jeta ime ishte e kërcënuar seriozisht. Bashkë me të dhe e fëmijëve të mi”, ka deklaruar gruaja e dhunuar në polici.


Krimi brenda familjes ndodhi rreth orës 16:35, në lagjen nr.17 të Durrësit. Bashkëshortja Leonora Zaçellari, 31 vjeçe, ka plagosur me armë zjarri të tipit pistoletë bashkëshortin e saj, Përparim Zaçellari, 35 vjeç. Menjëherë pas ngjarjes, ajo ka kontaktuar shërbimet policore të Sallës Operative duke deklaruar të dhënat për ngjarjen dhe u është vetëdorëzuar së bashku me armën e krimit efektivëve të mbërritur në mënyrë të menjëhershme në vendin e ngjarjes. Shërbimet policore kanë kryer menaxhimin e vendit të ngjarjes, ndërsa të dëmtuarit i kanë siguruar transportin drejt spitalit me qëllim dhënien e ndihmës mjekësore. Autorja e dyshuar, ndërkohë është shoqëruar në polici me qëllim kryerjen e veprimeve procedurale, si dhe të veprimeve në drejtim të ruajtjes së vendit të ngjarjes, marrjes e sekuestrimit të provave materiale në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe dokumentimit të ngjarjes.