Kryesoret John Withers: Kush mendon se Rama dhe Berisha janë njësoj, e ka...

John Withers: Kush mendon se Rama dhe Berisha janë njësoj, e ka gabim

132
SHPËRNDAJE

Pjesa e dytë e intervistës së ish-ambasadorit amerikan, John L. Withers II, dhënë për gazetën “Shqip”. Si e sheh ai aleancën Rama-Meta dhe lobuesit e qeverisë në Uashington

“Rama dhe Berisha nuk janë njësoj”

Shqipëria ka shumë njerëz të kualifikuar për të zëvendësuar Berishën si kryeministër. Surrogatët mediatikë të Berishës janë qesharakë

Intervistoi: Gjergj Erebara

John WithersNë pjesën e dytë të intervistës së tij për gazetën “Shqip”, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers, jep opinionin e tij për Edi Ramën dhe udhëheqësit e tjerë politikë që garojnë në zgjedhjet e ardhshme. Mendimet e tij i përkasin një qytetari amerikan dhe jo një zyrtari të Shteteve të Bashkuara. Ai u kërkon shqiptarëve të votojnë ndryshimin, të ngrihen përballë padrejtësisë dhe na kujton numrin e madh të patriotëve që luftuan shumë. Demokracia është e arritshme, thotë Withers. Koha është që Shqipëria të shpëtohet nga një sundim që bazohet te korrupsioni, nepotizmi dhe favoritizmi, që ruan privilegje për një grup oligarkësh dhe përbuz të drejtat e shqiptarit të mesëm, thotë ai.

Duke dëshmuar edhe një herë njohuritë e tij të thella për Shqipërinë, ambasadori Withers citon Musine Kokalarin dhe Adelina Mamaqin dhe ka një mesazh special për gratë shqiptare. “Ju jeni thelbi i shoqërisë”, thotë ai, “udhëhiqeni Shqipërinë drejt së ardhmes”.

Kushdo që propagandon idenë se Rama dhe Berisha janë njësoj, sipas Withers nënkupton, apo duket sikur thotë se në fakt, në Shqipëri nuk ka asnjë që të jetë i kualifikuar aq sa Berisha për të qenë kryeministër. Dhe kjo është gabim, thotë ai. Për marrëveshjen Rama-Meta, ai bën të ditur se nuk e pëlqen, por shpreson se në fund ajo mund të rezultojë pozitive për vendin.

 

A është e mundur që shqiptarët të presin një përmirësim gradual të sundimit të ligjit apo është më mirë të shpresojmë për një revolucion?

Ka një hap të thjeshtë të parë në rivendosjen e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe kjo është në duart e votuesve. Unë i them çdo shqiptari: Nëse besoni te sundimi i ligjit, 23 qershori është koha për të vepruar. Nëse kërkoni të themeloni gjykata të besueshme dhe të respektuara, kjo është koha për të folur.

Nëse dëshironi të shpëtoni vendin nga një regjim që e bazon sundimin e vet te korrupsioni, nepotizmi dhe favoritizmi, që ruan privilegje speciale për një grup oligarkësh që i shikon të drejtat e shqiptarëve të mesëm me neveri dhe që është në një rrugë të shpejtë drejt diktaturës, atëherë kjo është koha për t’u ngritur. Apatia është armiku juaj më i keq.

Shqiptarët patriotë kanë luftuar për liri përgjatë shekujve. Shumë pak jetuan për t’i parë ato ëndrra të realizuara. Ju, gjithsesi, keni mundësinë ta bëni realitet. Bëni zgjedhje të lira, të ndershme dhe paqësore dhe ky do të jetë revolucioni juaj.

Votoni për ndryshim për të rigjallëruar sundimin e ligjit në vendin tuaj të dashur.

 

Z.Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, duket shumë i bindur se vëzhguesit e huaj nuk do të tolerojnë parregullsi në votime këtë herë dhe është shprehur i gatshëm të marrë postin e kryeministrit. Megjithatë, z.Rama është akuzuar se nuk është shumë i ndryshëm nga z.Berisha. Shumë mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë në luftën kundër korrupsionit nëse ai vjen në pushtet. Cili është opinioni juaj për z.Rama? A është ai i përgatitur për t’u bërë kryeministër?

Nuk më përket mua të mbështes ndonjë parti apo kandidat. Por, nëse ata që mendojnë se nuk ka dallim të madh mes z.Rama dhe z.Berisha, me këtë duan të nënkuptojnë se z.Berisha është i vetmi person në Shqipëri i kualifikuar për të qenë kryeministër, atëherë unë nuk jam dakord. Ka shumë alternativa të kualifikuara ndaj z.Berisha në Shqipëri.

Më lejoni t’ju them diçka hapur, jo si mbështetje për kandidaturën e ndokujt, por si një fakt i drejtpërdrejtë: ata që mendojnë se z.Rama dhe z.Berisha janë njësoj, e kanë gabim. Unë i njoh këta burra si dhe kandidatë të tjerë. Dhe duke folur hapur si zakonisht, vetëm mund të them se z.Berisha duket i shteruar nga idetë se si mund të qeveriset vendi, për shkak të eksesit në kontrollin brenda qeverisë së tij dhe për lëvizjen e Shqipërisë bindshëm në drejtime të reja.

Mentaliteti i tij vjen nga kohët dhe praktikat e së shkuarës. Z.Rama dhe unë nuk jemi parë gjithmonë sy më sy për probleme të ndryshme. Ditët e fundit, m’u desh të mendoj thellë dhe fort mbi vendimin e tij për të krijuar një koalicion me një njeri me reputacionin e pisët të Ilir Metës. Por z.Rama është një politikan i aftë dhe unë nuk jam. Ai e di llogaritjen politike në mënyrë që unë nuk mundem. Për rrjedhojë, kam dëshirë të besoj se vendimi i tij do të rezultojë i mençur në fund. Konkluzioni im është se Edi Rama gjithmonë ka demonstruar në diskutimet tona se ai është shumë më tepër mendjehapur në këndvështrim dhe shumë më tepër modern në mendimet e tij për botën se sa Sali Berisha.

Ai reflekton energjinë, imagjinatën dhe drejtimin progresiv të gjeneratës më të re të shqiptarëve. Je apo nuk je dakord, ai ka ide të reja dhe të shumta. Dhe më lejoni të shtoj se po kështu janë edhe kandidatët e tjerë në këtë fushatë.

Po mendoj specifikisht për z.Topi dhe z.Oketa, që të dy janë njerëz me largpamësi. Dhe edhe z.Spahiu, megjithëse jam i shqetësuar për disa tendenca ideologjike të partisë së tij. Këta njerëz kanë diçka për të dhënë për Shqipërinë. Shpresa ime është se ata do të lënë mënjanë dallimet politike dhe do të qëndrojnë së bashku për demokracinë në këtë kohë krize. Unë e përsëris: Shqiptarët kanë shumë kandidatë të kualifikuar nga mund të zgjedhin. Zgjidhni me mençuri! Zgjidhni ndryshimin!

 

Këtë herë ne kemi parë një rritje të retorikës nacionaliste, më së shumti nga Partia Demokratike. Disa analistë besojnë se z.Berisha po e përdor nacionalizmin për të shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare, d.m.th. që ai të arrijë një marrëveshje me ta më vonë dhe rrjedhimisht të ndikojë opinionin e tyre mbi procesin zgjedhor. Të tjerë mendojnë se rritja e nacionalizmit është vetëm një taktikë elektorale. Si e shikoni ju këtë retorikë?

Retorika nacionaliste e Kryeministrit është e rrezikshme. Asnjë komb në botë nuk ka punuar më shumë apo nuk ka rrezikuar më shumë për pavarësinë e Kosovës sesa Shtetet e Bashkuara.

Asnjë vend nuk po përpiqet më shumë dhe më me zell për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkan, stabilitet që Kosova dhe vende të tjera të rajonit e kanë të nevojshëm për të rritur mirëqenien dhe prosperitetin. Nga ana e Kryeministrit, simpatizimi me pasionet e ndjenjave nacionaliste dhe thirrjet për Shqipërinë e Madhe janë të papërgjegjshme. Kjo tradhton kauzën për të cilën amerikanët dhe europianët kanë punuar kaq shumë. Nuk mund të spekuloj në motivet e Kryeministrit, por pasojat e fjalëve të tij shkojnë kundër asaj që populli amerikan po përpiqet të bëjë për rajonin dhe për Shqipërinë.

Por më lejoni të thellohem në fenomenin e nacionalizmit në vetvete. Historia ka treguar një dallim të qartë mes krenarisë nacionale dhe nacionalizmit radikal. Krenaria kombëtare është e mirë; është e shëndetshme; mund të jetë frymëzuese. I juaji është një vend i madh me traditë të madhe dhe kulturë të pasur. Ju duhet të jeni krenarë për të. Unë jam. Më prek mua thellë kur shqiptarët këtu në Shtetet e Bashkuara e prezantojnë veten me një frazë të thjeshtë dhe të mrekullueshme, “unë jam shqiptar”. E kush nuk do të trazohej nga fotografitë e Fation Plakut, një punonjës i ambasadës amerikane dhe një mik, duke vendosur flamurin shqiptar në majë të malit Everest? E kush nuk ndien kënaqësi kur Inva Mula gëzon të pasionuarit me operën nga San Françisko në Paris me zërin e saj engjëllor? E kush nuk mund të frymëzohet nga astronauti me rrënjë shqiptare William Gregory, i cili vendosi rekordin për misionin më të gjatë në hapësirë në bordin e anijes hapësinore “Endeavor” më 1995-n?

Po figurat tuaja historike si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Nënë Tereza? Jo, krenaria e bazuar tek arritjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve – dhe unë personalisht besoj se shqiptarët mund të arrijnë çdo gjë – është e drejtë dhe e duhur.

Por nacionalizmi radikal është shkatërruar. Është thjesht një hap larg nga urrejtja racore. Është vetëm një distancë e shkurtër larg nga ekstremizmi që “Agimi i Artë” ka sjellë në Greqi. Ajo është një rrugë e drejtpërdrejtë për te “pastrimi etnik” i luftës së Kosovës. Kjo duhet shmangur.

Ju shpesh keni folur kundër korrupsionit. Si e shihni situatën sot?

Ky është një nga zhgënjimet e mia më të mëdha me qeverinë aktuale. Edhe gjatë kohës sime në Tiranë, Kryeministri bëri premtim pas premtimi për luftimin e korrupsionit dhe për “tolerancën zero” të administratës së tij ndaj praktikave korruptive. Megjithatë, situata bëhet gjithnjë e më e keqe. Në një intervistë me Sokol Ballën, unë njëherë shtrova pyetjen: Çfarë ndodh me të ardhurat që vendi krijon? Është e qartë se një pjesë tepër e madhe e tyre shkon ilegalisht në duart e të fuqishmëve dhe të privilegjuarve. Asgjë nuk më ka mërzitur më shumë mua vitin e kaluar sesa raporti i integritetit financiar botëror, grupimi kundër korrupsionit, ku thuhej se “para të barazvlefshme me një të tretën e buxhetit kombëtar të Shqipërisë rrodhën në mënyrë të paligjshme jashtë vendit përgjatë pesë viteve në një kombinim të korrupsionit, evazionit fiskal dhe aktiviteteve të tjera ilegale.”

Sipas raportit, mbi 400 milionë dollarë u transferuan ilegalisht nga Shqipëria vetëm në vitin 2008. E si mundet që qeveria të mos ketë informacion për humbjen e të ardhurave në një shkallë të tillë?

Çfarë ka bërë ajo për të ndaluar këto largime monetare ilegale në të ardhmen? A ka nisur ajo ndonjë hetim agresiv? A ka fuqizuar ajo ligjin apo a ka fuqizuar ligjzbatuesit për të ndaluar këto praktika? A i ka identifikuar ajo ata që janë duke kryer këto transferta? Nëse jo, pse?

Në rrethana të tilla, çdo shqiptar duhet të pyesë veten: sa mirë do të ishte kombi im, familja ime dhe vetë unë nëse këto para do të qenë investuar në shtëpi? Sa ndryshe për mirë do të ishte jeta ime në rast se të ardhurat fiskale të gjeneruara nga këto para do të shpenzoheshin për shëndet publik, arsim, transport dhe pastrim? Sa mirë do të ndihesha nëse një pjesë e të gjithë këtyre milionave do të përdoreshin për programe për krijimin e vendeve të punës? Kryeministri ka bërë premtime të mëdha për të luftuar korrupsionin më herët, por nuk i mbajti kurrë këto premtime. E pse duhet të mendojë ndokush se ai do t’i mbajë këto premtime tani?

Qeveria shqiptare ka punësuar disa nga grupimet lobuese të klasit të lartë në Uashington. A mendoni se është mënyrë e mençur shpenzimi i parave për të lobuar pranë një shteti mik si Shtetet e Bashkuara? Në opinionin tuaj, a mundet që këto grupe lobuese të ndryshojnë perceptimin e SHBA-së për vende apo udhëheqës të huaj?

Lobuesit janë një realitet në Amerikë sot. Ata kanë para, kanë staf, kanë energji, dhe, më e rëndësishmja, ata kanë akses te një numër i madh politikëbërësish amerikanë. Është një fakt i thjeshtë se ata kanë një zë në dhomën ku merren disa lloje vendimesh politike.

Pasi të themi këtë, duhet të shtojmë se është gjithashtu fakt që lobuesit nuk janë zëri i vetëm në dhomë dhe se ka limite në atë çfarë mund të arrijnë. Asnjë lobues, sado i aftë, nuk mund të kryejë veprime jodemokratike. Ata nuk mundet gjithashtu ta transformojnë një diktator të ardhshëm në një demokrat mendjendritur në perceptimin publik. Më e rëndësishmja, ata nuk mund të përmbysin vullnetin e popullit.

Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, për shembull, kishte lobues, por qeveria amerikane qëndroi me votuesit egjiptianë që e nxorën atë nga zyra. Në fund, qeveria e SHBA-së është qeveria e SHBA-së dhe ajo do t’i qëndrojë vullnetit të popullit – siç ka bërë së fundmi në Egjipt, Burma dhe në një numër të madh vendesh nëpër të gjithë botën. Pra, nëse jeni të shqetësuar për lobuesit, shkoni dhe votoni. Nga të gjithë zërat në dhomë, zëri i popullit shqiptar, i shprehur në zgjedhje demokratike, është ai që qeveria e SHBA-së do të dëgjojë.

Por pse Kryeministri ka nevojë për lobues në fund të fundit? Nëse qeveria e tij ka bërë të gjithë progresin që pretendon se ka bërë, pse nuk i lë rezultatet të flasin vetë? Pse të paguhen firma private me gjithë ato para për të folur në emër të qeverisë?

E pse të mos flasin ambasadat e keqfinancuara shqiptare dhe të mos u mundësojë diplomatëve shqiptarë të japin mesazhin e vendit përtej detit? A nuk do të ishte më mirë, dhe më bindëse, të kesh shqiptarë që përfaqësojnë Shqipërinë jashtë sesa të kesh konsulentë amerikanë me paga të larta?

Pas gjyqit të 21 janarit, disa gazeta proqeveritare kritikuan deklaratat e ambasadorit Arvizu mbi vendimin. Disa e sulmuan atë për arsye politike. Kush është opinioni juaj mbi këtë situatë?

E kam vënë re kritikën e medias proqeveritare ndaj mbrojtjes së parimeve demokratike nga ana e ambasadorit. Jam i neveritur. Pyetja ime e parë është nëse është e besueshme se këto gazeta e kanë bërë këtë pa dijeninë e Kryeministrit? Çfarë po përpiqen të arrijnë ata gazetarë? A mos mendojnë se mund të frikësojnë një ambasador amerikan dhe ta detyrojnë të heshtë?

Aleksandër Arvizu është përfaqësuesi personal i Presidentit Obama. Ai është përfaqësuesi i vullnetit të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbështetësi më i madh i të drejtave demokratike që kanë ekzistuar ndonjëherë. Kur këta gazetarë kritikojnë qëndrimin e ambasadorit në demokraci, ata kritikojnë qëndrimin e Presidentit amerikan dhe popullit amerikan mbi demokracinë. Unë e konsideroj qesharake që surrogatët mediatikë të Kryeministrit Sali Berisha – njerëz që përmes veprimeve të tilla të përditshme shprehin një neveri të tillë për demokracinë – mund të guxojnë të bëjnë sulme të tilla. Ata nuk kanë pozicion moral për të vepruar në këtë mënyrë.

Z.ambasador, faleminderit që ndatë opinionet tuaja me lexuesit tanë. A keni ndonjë mendim final për këtë intervistë?

Faleminderit z. Erebara për kohën dhe mendimet tuaja. Unë dua vetëm t’u them disa fjalë drejtpërsëdrejti grave të Shqipërisë.

Musine Kokolari dikur tha: “Oh grua shqiptare, nënë e kombit, shpresë e atdheut.”

Fjalët e saj janë shumë të përshtatshme sot. Ju, gratë e Shqipërisë, jeni thelbi i shoqërisë, siç janë gratë thelbi i çdo shoqërie. Pavarësisht diskriminimit dhe seksizmit me të cilën përballeni çdo ditë, ju jeni shpresa e kombit. E di që ju përballeni me vështirësi në jetët tuaja në mënyrë që unë vështirë se mund ta imagjinoj.

Por pikërisht tani, vendi juaj ka nevojë për ju: ka nevojë që ju ta udhëhiqni. Ka nevojë për fuqinë, të kuptuarit dhe mençurinë që vetëm ju gratë mund të sillni. Atë mençuri që shikon përpara tek e ardhmja dhe vendi juaj duhet t’ju ndjekë. Më 23 qershor, ju kërkoj ju të merrni pjesë në zgjedhje siç nuk keni marrë pjesë kurrë. Udhëhiqni popullin tuaj në rrugën e së mirës dhe së vërtetës.

Më lejoni të jap edhe një mendim të fundit. Shkrimtarja e njohur, Adelina Mamaqi, ka shkruar: “Të fuqishmit jetojnë aq gjatë sa janë në pushtet, ndërsa ne jetojmë edhe pasi ata nuk janë më gjallë.” Këshilla e saj është e thellë. Ndërsa ajo u referohet specifikisht atyre individëve krijues mes nesh, fjalët e saj janë po kaq të vërteta për popullin shqiptar në tërësi: Të fuqishmit në fund rrëzohen, por popujt liridashës qëndrojnë përgjithmonë. Qofshit ju mes fitimtarëve!