Sport Laçi-Bylis shkruajnë historinë e Kupës, shkojnë në finale

Laçi-Bylis shkruajnë historinë e Kupës, shkojnë në finale

239
SHPËRNDAJE

Kupa e Shqipërisë

Pas kualifikimit të Laçit e Bylisit, nga Superiorja në Europa League, shkojnë vetëm dy skuadrat e renditura në vendet dy dhe tre

Kupa e Shqipërisë Gjysmëfinalet

DJE

Bylis-Skënderbeu          1-0 (1-1)

Gërxho 53′

 

Laçi-Kukësi     2-1 (0-0)

Nimani 33′, Çela 79′ / Peqini 65′

 

Finalja

15 MAJ 2013

Laçi-Bylis

 

Në gjysmëfinale eliminuan përkatësisht pasanikët e Kukësit dhe Skënderbeut

Altin Manallari

Gjyqtari Pashaj duke ndare lojtare ne Laci Kukesi 2-1 ne kupeLaçi dhe Bylisi eliminojnë përkatësisht Kukësin dhe Skënderbeun dhe shkruajnë historinë: dueli mes këtyre dy skuadrave do të jetë edhe finalja e edicionit të 61 të Kupës së Shqipërisë, të dyja për herë të parë në këtë nivel që nga krijimi i tyre.

Historike

Por për ta ëndrra vazhdon, pasi njëra prej tyre do ta fitojë për herë të parë këtë trofe, duke i garantuar gjithashtu vetes edhe pjesëmarrjen në Europa League. Pra trofeu i dytë për nga prestigji i kampionatit shqiptar të futbollit do të diskutohet mes Laçit dhe Bylisit, që janë dy ekipe të vogla për sa i përket emrit, simpatike për sa i përket lojës dhe që në këto vitet e fundit kanë luajtur një futboll efikas. Falë këtij futbolli, ata kanë eliminuar as më pak e as më shumë se të pasurit e kampionatit, Skënderbeun dhe Kukësin, ekipe që në radhët e tyre kanë lojtarët më me emër dhe më të paguar. Tifozeritë respektive kanë nisur festën e madhe për triumfin e arritur me meritë dhe tashmë i kanë kthyer sytë nga finalja e madhe, e cila do të luhet më 15 maj në një takim të vetëm, që do të zhvillohet në një fushë asnjanëse.

Laçi-Kukësi 2-1 (0-0)

Laçi mposhti Kukësin me rezultatin 2-1 në gjysmëfinalen e kthimit (ndeshja e parë mes tyre ishte mbyllur 0-0) dhe është në delir së bashku me tifozët. Këta të fundit kishin mbushur shkallët e stadiumit “Ymer Zeqiri”. Nimani dhe Çela u shndërruan në heronjtë e këtij kualifikimi historik me golat e tyre. Për miqtë nga Kukësi nuk mjaftoi goli i vetëm i Roland Peqinit. Takimi u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, ku nuk munguan ndërhyrjet e ashpra në kufijtë e normalitetit, por edhe nga momente tensioni. Gjithsesi gjyqtari Pashaj u mundua të ruante ekuilibrat. Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe gjetën golin të parët me Nimanin në minutën e 33. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Laçin, që në fraksionin e dytë u duk më i tërhequr në mbrojtje të avantazhit, duke i lënë terren Kukësit, që në të 65-n gjeti edhe golin e barazimit 1-1, i cili krijoi iluzionin e kualifikimit të verilindorëve. Por kurbinasit nuk mund të pajtoheshin me këtë rezultat. Humbën një rast të pastër për shënim, por më në fund në minutën e 79 u rikthyen në avantazh me një gol të mrekullueshëm të Emiliano Çelës. Minutat e mbetura nuk i mjaftuan Kukësit për të barazuar dhe me rezultatin 2-1 Laçi vulosi kualifikimin historik për në finale, ndërsa Kukësit i mbetet ta sigurojë Europën përmes kampionatit, aty ku mban për momentin vendin e dytë. Vend të cilin nuk duhet ta lëshojnë deri në fund për të arritur Kupat e Europës.

Bylis-Skënderbeu 1-0 (1-1)

Bylisi ka gjunjëzuar kampionët e vendit në fuqi me një eurogol të Julian Gërxhos (ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1 në Korçë). Pas barazimit 1-1 në sfidën e vajtjes, mallakastriotët e drejtuar nga Naxhi Shensoi konfirmuan veten si një “tabu” për korçarët që u dorëzuan në humbjen 1-0 në ndeshjen e kthimit. Ka vendosur gjithçka një eurogol i Julian Gërxhos në pjesën e dytë për të vulosur triumfin e Bylisit. Një fitore e merituar për formacionin vendas, që kërkoi suksesin që në pjesën e parë, duke rrezikuar jo pak portën e Shehit. Me rikthimin në fushë, Gërxho do të dërgonte topin në rrjetë me një goditje nga 40 metra për të kaluar Bylisin në avantazh. Të kota përpjekjet e Skënderbeut, që i ka dhënë fund ëndrrës për të fituar edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, pasi ka siguruar titullin Kampion në Kategorinë Superiore.