Kriza financiare
Kryeekonomisti Gill: Shqipëria nuk e meriton situatën ku ndodhet. Rreziqet e Ballkanit
“Shqipëria i ka të gjitha kushtet për të performuar më pozitivisht se të tjerat”
Pasiguria për të ardhmen mban të shtrënguar rritjen ekonomike të vendit. Në jo pak raste, guvernatori i Bankës së Shqipërisë është shprehur i shqetësuar se konsumi i ulët dhe investimet e pakta lidhen me pesimizmin që karakterizon gjithnjë e më tepër sjelljen e aktorëve. Kredia për ekonominë u rrit me 2.4 për qind në vitin 2012, si rrjedhojë e panikut dhe paqartësisë se çfarë na pret në të ardhmen, në kushtet kur as institucionet financiare të huaja nuk janë në gjendje të thonë se deri sa do të zgjasë kriza.
Përpos këtyre faktorëve, menaxhimi i krizave kërkon kujdes, pasi në të undërtën mund ta thellojë akoma e më tepër. Pikërisht, për këtë shkak, Banka Botërore në raportet e saj e vë theksin te politikat dhe reformat.
Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Indermit Gill, ka deklaruar nga Uashingtoni se perspektiva për rritjen ekonomike në Ballkan është e errët dhe e paqartë.
Gjatë një takimi me kryeekonomistët dhe ekspertët rajonalë të Bankës Botërore, Gill është shprehur: “Shikoni se çfarë po ndodh në Shqipëri, Serbi dhe Bullgari. Këto vende kishin lidhje të ngushta me Greqinë dhe Italinë, lidhje në tregti, sistemin bankar dhe në tregun e punës. Për shkak të kësaj këto ekonomi tashmë kanë perspektivat më të këqija për rritjen ekonomike”.
Kryeekonomisti i Bankës mendon se kriza europiane ka sjellë një realitet të ri. “Në të shkuarën thuhej se sa më larg Brukselit të ndodheshe aq më keq ishte. Tani kjo ka ndryshuar. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është”, ka deklaruar Gill.
Kryekonomisti i BB ka shprehur disa herë keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. “Shikoni renditjen në raportin e ‘Doing Business’. Pse Shqipëria ndodhet në vend të 85-s dhe Maqedonia ndër 30 vendet e para? Nuk ka arsye, nëse analizojmë pozicionin gjeografik, strukturën e tregtisë me jashtë etj. Nuk ka arsyeje pse biznesit t’i nevojiten muaj të tërë për t’u lidhur me energjinë elektrike, të marrë një leje ndërtimi, etj”., tha Gill në një leksion të mbajtur para disa kohësh në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, në Tiranë.
Në 5 vitet e krizës, Shqipëria ka mundur të shmangë recesionin. Rënia e kërkesës së brendshme dhe tkurrja e investimeve private është kompensuar falë ecurisë së mirë në sektorin e jashtëm, kryesisht eksporteve dhe investimeve të huaja. Sipas Komisionit Europian, në 2012-n, Shqipëria së bashku me Turqinë dhe Kosovën ishin tre vendet e vetme në rajon që mbajtën rritje ekonomike pozitive, teksa të gjitha vendet e tjera u rikthyen në recesion.
Por e ndrydhur mes Greqisë dhe Italisë, dy ekonomive që janë shndërruar në epiqendrën e krizës europiane, ekonomia shqiptare po humbet rezistencën. Vitin e kaluar, rritja ekonomike, edhe pse pozitive, ra në nivelin më të ulët që nga viti 1997, vetëm 1.6 për qind. Një shifër katër herë më e ulët se mesatarja historike dhe dy herë më pak edhe sesa mesatarja e viteve të krizës 2009-2011.
Ndërsa 2012-a e mbylli vitin me rënie 0.2 për qind, në raport me 2011-n, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit, tremujori është duke konfirmuar tatëpjetën e buxhetit të shtetit. Kemi rënie të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ku taksa e TVSH paraqitet më keq, me minus 10 për qind, të arkëtimeve, në raport me vitin që lamë pas, ose 2.5 miliardë lekë më pak. Në raport me planin, diferencat rezultojnë më negative, duke e bërë të detyrueshëm, madje emergjent operacionin e rishikimit të buxhetit të shtetit. Edmond Spaho, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, thotë se një vendim i tillë pritet të miratohet në fillim të muajit korrik, ndërsa priten korrigjime për pjesën e dytë të vitit.
Bashkë me të ardhurat në rënie, qeveria ka shtrënguar dorën e investimeve publike, e kushtëzuar në kriza. Investimet kapitale janë 10 për qind më të ulëta se një vit më parë, ndërsa nevoja e stimulimit të sektorit të ndërtimit me financim bëhet më e madhe, qeveria është duke u përballur me presionin e likuidimit të faturave të prapambetura, në vlerë rreth 20 miliardë lekë.
Sikur të mos mjaftojnë këto lajme pesimiste mbi financat e vendit, vendimet e fundit për qëllime elektorale të uljes së taksave, pritet ta dërrmojnë akoma e më tepër buxhetin, pasi arkës do t’i mungojnë të paktën 25 miliardë lekë, si rrjedhojë e heqjes së TVSH-së në disa sektorë, apo e tatimit 10 për qind te pagat etj.
A.K.
Shifrat
Viti 2012 u mbyll me rezultatin më të keq
Të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore arritën në 329.8 miliardë lekë, 0.9 për qind më pak se parashikimi për 12-mujorin e vitit 2012 dhe 0.2 për qind më pak se një vit më parë. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, në fund të muajit dhjetor 2012 arritën në rreth 375.2 miliardë lekë nga rreth 382.3 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në rreth 98 për qind të parashikimit të periudhës ose me një mosrealizim prej rreth 7 miliardë lekësh. Deficiti fiskal, i llogaritur si diferenca e të ardhurave me shpenzimet gjithsej të buxhetit të konsoliduar, arriti në këtë 12-mujor në 45.4 miliardë lekë, 4.2 miliardë lekë më shumë se planifikimi dhe 0.457 miliardë më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Deficiti është financuar në pjesën më të madhe me burime të brendshme (kryesisht huamarrje): 1.2 miliardë lekë janë të ardhurat nga privatizimi të destinuara për financimin e deficitit; 24.8 miliardë lekë të ardhurat nga huamarrja e brendshme neto. Financimi i huaj neto i deficitit ka qenë në nivelin rreth 18.9 miliardë lekë ose 3.5 miliardë lekë më pak se planifikimi.