Giorgio Napolitano është rizgjedhur President i Italisë. Ai ka marrë 738 vota duke kaluar kuorumin prej 504 dhe është përshëndetur me ovacione në sallën e Parlamentit. Kundër Napolitanos kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, lideri i të cilëve, Beppe Grillo e ka cilësuar votimin si grusht shteti.
Napolitano, që ishte shprehur disa herë se nuk do të pranonte një kandidaturë të dytë për President, u detyrua sot të ndërrojë mendim e të ofrojë gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë detyrë, gjë që iu kërkua me forcë nga PdL, Lega dhe PD.
Kjo e fundit ka kaluar ditët e fundit më të vështira të jetës së saj: jo vetëm nuk arriti zgjedhjen e dy kandidatëve të saj të parë Franco Marini e Romano Prodi, por humbi rrugës Sekretarin dhe Presidentin e saj, përkatësisht Pierluigi Bersani dhe Rosy Bindi, që dhanë dorëheqjen pas rezultatit të djeshëm në Parlament. Napolitano, 87 vjeç, është i pari president i Italisë që zgjidhet për të dytën herë rresht.
20 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)