KQZ merr vendime për zgjedhjet e 23 qershorit pa anëtarët opozitës

Vendimet - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të marrë vendime të thjeshta me vetëm me 4 anëtarë, por jo akte normative që kërkojnë 5 vota

Vakumi - Kundërshton përfaqësuesi i PS-së. Lleshi: Mund të vazhdojmë punën me 4 anëtarë

KQZ-ja e reNjë ditë pas deklaratës së zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit se KQZ nuk mund të funksionojë pa anëtarët e opozitës, ka ndodhur e kundërta. Katër anëtarët e propozuar nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane, dje kanë zhvilluar normalisht mbledhjen, por dhe kanë marrë vendime. Lefteri Lleshi, kryetarja e KQZ-së ka deklaruar në mbledhjen e djeshme se ky institucion mund të funksionojë normalisht edhe me 4 anëtarë. Ligjërisht, ky komision mund të mblidhet me 50+1 të anëtarëve dhe mund të marrë vendime të thjeshta, por ai sipas Kodit Zgjedhor nuk mund të vendosë për rezultate zgjedhjesh apo edhe për akte normative, të cilat kërkojnë 5 votat e anëtarëve. Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, deklaroi dje për “Shqip” se është ligjore mbledhja e KQZ-së me 4 anëtarë, por nuk është normale, pasi kjo KQZ nuk mund të vendosë për çështje kardinale, ku futet edhe rezultati i zgjedhjeve. Mbledhja e djeshme është shoqëruar me debate të shumta. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, ka thënë se shkarkimi i Ilirian Muhos ishte si një proces publik i gjyqeve të bëra në kohën e diktaturës. “Në anën e majtë tuajën zonja kryetare është ulur zoti Zguri, që do kisha dëshirë ta uroja për detyrën e re, pasi mendoj që çdokush që ulet aty përgëzohet për misionin, por më lejoni të them që e kam të pamundur, pasi pak ditë më parë një koleg u shkarkua pa të drejtë nëpërmjet procedurave dhe vendimmarrjes që më ngjasonte me gjyqet publike të kohës së diktaturës. Ajo vendimmarrje nuk cenoi vetë anëtarin, por preku legjitimitetin e KQZ-së dhe të këtij procesi. Tashmë, një gjë të tillë e thonë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kujdesen që Shqipëria të largohet nga mentalitetet e komunizmit dhe të marrë rrugën drejt demokracisë europiane. Tri karrige bosh, flasin shumë, tregojnë që institucionet janë të kapura nga politika. Sot KQZ është kthyer në një organ politik. Veprimi i fundit i Kuvendit më ngjan me zgjedhjet e vitit 2011 ku në përfundim të zgjedhjeve, KQZ-ja e asaj kohe ndryshoi rregullat e lojës kur gara kishte përfunduar, ndërsa sot u ndryshua arbitri i kësaj loje, kjo ndodh sa herë ndieni frikën e mazhorancës”, tha Gjonçaj. Ndërkaq, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka thënë se nuk KQZ nuk duhet bërë deklarata politike, ndërsa ka premtuar zgjedhje të lira, pavarësisht se për momentin KQZ është e cunguar. “Nuk është hera e parë që mungojnë 3 anëtarë. Edhe në 2011 nuk erdhën për tre muaj, donin të sabotonin procesin zgjedhor. Po tentohet t’i bëhet presion KQZ, por procesi do vazhdojë, do bëjmë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të bëhen sa më të mira më 23 qershor”, tha Kosovrasti. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, propozuar nga PD, ka thënë se ndihet komod, pavarësisht mungesës së tre kolegëve të tij, dy prej të cilëve kanë dhënë dorëheqjen. “Ne jemi legjitimë në këtë tavolinë, ne jemi betuar për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ne vërtet na propozon politika, por ne nuk kemi vepruar ndonjëherë si njerëz politikë, kemi zbatuar detyrën dhe kodin. Unë jam shumë komod në këtë tavolinë”, tha Osmanaj. Ndërkaq, në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende Ilirian Muho ekziston anëtar i këtij institucioni, gjithashtu edhe Denar Bina e Albana Shtylla, figurojnë si pjesëtarë të KQZ-së. Klement Zguri, edhe pse dje ka marrë pjesë në mbledhjen e institucionit nuk është përfshirë në rubrikën anëtarët në faqen e KQZ-së.

 

Regjistrimi - KQZ shqyrtoi projektvendimin “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të 72 partive politike, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013.”, sipas listës së paraqitur në KQZ”.

Nga 72 parti politike që kanë paraqitur kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e 23 qershorit, KQZ miratoi kërkesën e 67 prej tyre. KQZ vendosi rrëzimin e kërkesës për 5 parti politike për shkak të dorëzimit në KQZ të dokumentacionit jo të saktë apo jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Autor te 20 Prill 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry