Provimi i shtetit, rriten tarifat me 2500-5000 lekë

Vendimi vjen pas rezultateve të dobëta, si formë nxitjeje për të mos çuar lekët dëm

Shpresa Mezini

Tarifat e provimit të shtetit për këtë vit nuk janë të njëjtat me ato të një viti më parë. Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë për gazetën “Shqip”, se pagesa për të diplomuarit në 1 prej 11 profesioneve të rregulluara me ligj do të jetë më e lartë, krahasuar me vitet e mëparshme. Duke qenë në prag të sezonit të radhës, që është parashikuar të jetë gjatë muajit maj, është parashikuar sa do të jetë shtesa për secilën prej profesioneve. Kandidatët që do t’i nënshtrohen këtij testimi për herë të parë në maj, do të duhet të paguajnë 12500 lekë, 2500 lekë më shumë nga kostoja e derdhur gjatë sezonit të zhvilluar vjet në muajin nëntor. Mirëpo, rezulton se shtesa prej 12500 lekësh vlen vetëm për mësuesit, ndërsa për stomatologët, mjekët apo infermierët pagesa do të rritet më shumë se kaq. Përveç tarifës fikse të parashikuar në ligj, ata do të duhet të paguajnë shtesë deri në 5 mijë lekë të vjetra, rritje që i bëhet pagesës për çdo herë që aplikanti testohet.

Specialistët e arsimit bëjnë me dije se rritja e çmimit që duhet paguar për të marrë licencën e profesionit, bëhet për të vënë në pozitë studentët që të mësojnë më shumë gjatë viteve të studimit dhe për të mos i çuar lekët dëm. E megjithatë këto shuma vlejnë vetëm për kandidatët që testohen për herë të parë, ndërsa për çdo mundësi tjetër, brenda 5 herëve që parashikon ligji, ka kosto shtesë. Kështu, kandidatët që kanë dështuar në marrjen e rezultateve kaluese gjatë zhvillimit të këtyre provimeve në dy sezonet e shkuara, për t’i ridhënë ato duhet të paguajnë edhe më shumë, përkatësisht 15 mijë lekë të vjetra.

Aktualisht, drejtuesit e urdhrave profesionalë të shëndetësisë, si dhe ata të mësuesisë, u kërkojnë të diplomuarve që duan t’i japin sërish provimet e shtetit gjatë sezonit të muajit maj, të paraqiten për të bërë regjistrimet përkatëse, në mënyrë që të mos mbeten jashtë listës zyrtare që i dërgohen Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ku edhe zhvillohen provimet.

Testet e shtetit, të zhvilluara në dy sezonet e para, kanë rezultuar të pasuksesshme, duke qenë se rezultatet e arritura në radhët e farmacistëve, dentistëve, mjekëve dhe infermierëve kanë qenë të dobëta. Pa përjashtuar faktin që shumë prej pjesëmarrësve të diplomuar në këto fusha nuk e kanë kaluar testin. Për rrjedhojë, janë të detyruar të presin një tjetër mundësi, që do t’u japë të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Edhe pse panorama e notave dëshmoi se studentët e diplomuar në universitetet private janë më të dobët, nuk përjashtohen mbetësit edhe në universitetet publike.

Sipas vendimit të qeverisë, tarifat për zhvillimin e provimit të shtetit do të nisin nga 10 mijë lekë të reja.

“Për kandidatin që jep provimin për herë të parë, pagesa është 10 mijë lekë të reja. Për kandidatin që e jep provimin për herë të dytë, 12500 lekë. Për kandidatin që e jep provimin për herë të tretë, 15 mijë lekë. Për kandidatin që e jep provimin për herë të katërt, 17500 lekë. Për kandidatin që e jep provimin për herë të pestë, 20 mijë lekë të reja”, thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Autor te 21 Prill 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry