PS: Aksidentet në rritje, asnjë metër rrugë me standarde BE

felajPartia Socialiste ka vijuar sot denoncimin e dështimeve të kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij. Në një dalje publike, deputetja Ermonela Felaj, ka deklaruar se një ndër dështimet më të rënda të qeverisë Berisha, ka qenë siguria rrugore. “Rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të pasigurta e më të përgjakura se sa gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Ditë për ditë shohim sesi shteti është dorëzuar turpësisht para bilanceve tragjike me aksidentet rrugore. Qeveria e ka humbur betejën për të ulur numrin skandaloz të aksidenteve dhe shkaqet e tyre”, deklaroi Felaj. Sipas saj Berisha premtoi investime në sinjalistikën rrugore dhe të menaxhimit të transporteve, por mashtroi dhe sot jetojmë situatën më të rëndë që ka pasur ndonjëherë vendi lidhur me sigurinë rrugore.

“Sot Shqipëria ka katër herë më pak automjete për 100 mijë banorë sesa të gjitha vendet e Bashkimit Europian edhe të rajonit dhe katër herë më shumë aksidente për 100 mijë banorë.Qeveria ka ngritur një komitet. E quajnë Komiteti Ndërministror për Sigurinë Rrugore, që e kryeson Kryeministri. Në tetë vjet ky komitet është mbledhur vetëm një herë, në vitin 2006, dhe ndërkohë, sipas statistikave, çdo ditë një shqiptar vdes në rrugë dhe tre të tjerë plagosen. Nga viti 2005, aksidentet janë rritur me 220%; po ashtu, numri i të dëmtuarve (të vdekur e plagosur) është rritur me 217%. Në programin e tij, Berisha premtoi se krahas investimeve do të shtoheshin fondet dhe do të përmirësohen metodat për mirëmbajtjen e rrugëve.

Mashtroi! Jo vetëm që nuk ka shtuar fondet por në vitin 2012 mbylli dhe Ndërmarrjen e vetme kombëtare të mirëmbajtjes së rrugëve”, u shpreh ajo.

Felaj premtoi se Partia Socialiste do të investojë fuqimisht në sigurinë rrugore. “Ajo që ne do bëjmë është ngritja e një Qendre Kombëtare të Kontrollit të Trafikut Rrugor, siç e ka gjithë bota. Në sistemi arsimor shqiptar, publik apo jo publik, do të ketë një program siç e ka gjithë Europa, të përshkallëzuar nga klasa e parë deri në shkollën e mesme, për edukimin rrugor. Ndërkohë që rrjetin kombëtar bazë do ta ripërtërijmë krejtësisht në të gjithë Shqipërinë. Me masat që do marrim në dy vitet e para do ta zvogëlojmë me 20% dhe në mandatin e parë ta përgjysmojmë numrin e vdekjeve për shkak të rrugës në Shqipëri”, përfundoi Felaj.

 

22 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 22 Prill 2013. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry