Nadem Ilahi, FMN: Skema e shpëtimit – Në raportet e fundit, shefi i FMN, Ilahi, deklaron se dalja nga kriza vjen përmes rritjes së disa taksave, si i vetmi “shpëtim”, në rast qeveria refuzon të ulë pagat dhe investimet


Lvovsky, shefe e BB: Taksat elektorale – Drejtoresha e BB, në Tiranë, Lvovsky, foli hapur kur tha se “qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve ka pak shanse t’i ulë më tej taksat, nisur nga gjendja e deritanishme”


Gill, kryeekonomisti i BB: Arkëtime zhgënjyese  – Kryeekonomisti i kësaj banke, Intermed Gill deklaroi se “se disa taksa po rezultojnë zhgënjyese për nga niveli i arkëtimeve”, duke patur në fokus Tatimin mbi të Ardhurat Personale


Raporti 2012


Financat: Zero rritje. Shtohet informaliteti. Panik te biznesi


ARD KOLA


Analiza fiskale mujoreNuk është raport i FMN-së, BB-së, i ndonjë institucioni tjetër financiar apo organizate, por janë përfundime të nxjerra nga vetë ministri i Financave, i cili një vit më parë “betohej” në Parlament se reformat do të ishin të suksesshme.


Është pak të thuash se në vitin 2012, rritja e arkëtimeve nga taksat ishte zero për qind, për të mos thënë minus, në raport me 2011-n. Në këtë periudhë të vitit, sektori privat vinte pas amnistisë fiskale, reformës me rishikimin “lehtësues” të disa taksave, informatizimit të disa shërbimeve etj., por se në realitet nuk kanë prodhuar asgjë më tepër vetëm dështim në të gjitha drejtimet, pavarësisht se plani u rishikua dy herë.


“Deklaratat e krizës”


Analiza fiskale mujore


Duke analizuar taksat nga ku “prodhohen” të ardhurat për buxhetin e shtetit, kemi humbje të konsiderueshme në të gjitha drejtimet. Doganat i falen rentës minerare, pasi te taksat e tjera ka rënie, kurse tatimet te taksat e makinave (dhe karburantit bashkë me to), si dhe gjobave, me rritje 1000 për qind.


Në këto kushte, ekonomistët shikojnë me shqetësim se ku do të jetë ekonomia pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në rast se do të zhvillohen në këtë datë. E keqja është se kriza politike mund të zgjasë edhe pas zgjedhjeve, madje ekspertët i shqetëson fakti i rrezikut të kaosit me kontestimin e rezultatit.


Në ambientet e sipërmarrësve të huaj dhe vendas qarkullojnë zëra për “ngrirje” të planit të investimeve, në pritje të rezultatit të zgjedhjeve. Sakaq, premtimet për uljen e taksave kanë hyrë në muajin e tretë, kurse efektet minus në buxhet llogariten në të paktën 25 miliardë lekë.


Ku po shkojmë? Drejtoresha e Bankës Botërore, në Tiranë, Kseniya Lvovsky, foli hapur kur tha se “qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve pak shanse ka t’i ulë më tej taksat, nisur nga raportimi i deritanishëm”, kurse kryeekonomisti i kësaj banke, Intermed Gill deklaroi se “se disa taksa po rezultojnë zhgënjyese për nga niveli i arkëtimeve”, duke pasur në fokus TAP-n. Sa i takon FMN-së, në dy-tre raportet e fundit, përmes shefit të saj për Tiranën, Nadem Ilahi, ka deklaruar se dalja nga kriza vjen përmes rishikimit me rritje të disa taksave, si i vetmi “shpëtim”, në rast se qeveria refuzon të ulë pagat dhe investimet. Deklarata më interesante, nëse mund të quhet e tillë vjen nga biznesi. Alban Zusi, njohës i tregjeve të rajonit, përfaqësues i eksportuesve në vend, thotë se “situata përkeqësohet, atëherë më mirë të mos kemi ulje të taksave”. Sipas tij, gjendja e kaosit me rënien e të ardhurave, do të jetë një barrë e rëndë në të ardhmen.


Tatimet dhe doganat


Të dhënat e përpunuara nga Ministria e Financave, për vitin 2012, së bashku me komentet përkatëse japin tjetër realitet nga fjalimet elektorale të Kryeministrit. Natyrisht, raporti i ministrisë është hartuar nga ekspertët, që edhe pse kanë pasur ndikimin (presionin) politik, e kanë pasur të vështirë të fshehin faktet negative të ekonomisë.


Administrata doganore ka mbledhur 128.4 miliardë lekë, 1.8 për qind më pak se parashikimi për 2012 dhe vetëm 328 milionë lekë më shumë se një vit, me rritje pothuajse zero, thotë ministria. Sipas zërave të të ardhurave që mbledhin doganat, i vetmi zë me rritje është renta minerare në eksport, që është rritur mbi baza vjetore me rreth 60.2 për qind. Sipas Financave, rritja e të ardhurave nga renta ka ardhur “kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve të burimeve natyrore”, por në fakt, ministria nuk thotë se rreth dy vite më parë shkalla tatimore e rentës pësoi rritje, sikurse sistemi i taksimit ndryshoi. Sa i takon “reformës” tjetër, asaj të akcizës, që kaloi nga tatimet për te dogana, me synim “menaxhimin më efektiv të të ardhurave”, vërehet krejt e kundërta. Të ardhurat nga akciza në doganë rezultojnë me rënie 0.3 për qind kundrejt planit të rishikuar, kurse të ardhurat nga TVSH në import janë 1.2 për qind ose 1.2 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë dhe 2.5 për qind më pak se parashikimi për periudhën 12-mujore.


Sa u takon Tatimeve, edhe pse drejtori i saj, përpiqet të ndjekë këshillat e FMN-së, sërish vijojnë të performojnë negativisht, madje më keq se çdo parashikim. Kjo administratë ka mbledhur (përfshirë kontributet) 157.1 miliardë lekë, që do të thotë 1.1 për qind më pak të ardhura se 12-mujori i 2011-s ose 1,7 miliardë lekë më pak. Totali i të ardhurave tatimore (pa përfshirë kontributet) ishte për periudhën rreth 104.2 miliardë lekë, duke pasur një rënie prej 2.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë.


Sektorët dhe taksat


Nga të dhënat lidhur me kontributin e sektorëve të ekonomisë në totalin e të ardhurave tatimore (i referohemi këtu totalit të mbledhur nga DPT) rezulton një reduktim i ndjeshëm i arkëtimeve të mbledhura nga ndërtimi dhe prodhimi, përkatësisht me 17 dhe 26 për qind me pak se një vit më parë. Me rritje të lehtë të të ardhurave janë sektorët transport, tregti dhe shërbime, përkatësisht 2.7, 1.5 dhe 5.5 për qind.


Nga TVSH-ja janë mbledhur gjithsej 116.5 miliardë lekë ose 2.2 për qind më pak se një vit më parë dhe 2.1 për qind më pak se parashikimi. Të ardhurat e mbledhura nga importet ishin nën nivelin e pritshëm, 91.7 miliardë lekë TVSH nga 93 miliardë të planifikuara, ndërsa krahasuar me 2011-n rezultojnë të jenë 1.2 miliardë lekë më pak ose 1.2 për qind. Të ardhurat e mbledhura mbi furnizimet e brendshme janë 24.8 miliardë lekë TVSH, me rënie vjetore të ndjeshme në nivelin 6 për qind. Në strukturën e të ardhurave tatimore që mbledhin tatimet, vihet re rënie e peshës specifike të TVSH-së ndaj totalit, nga 24.5 për qind në 2011-n në 23.8 për qind për 12-mujorin 2012. Vihet re zvogëlimi i rëndësisë së sektorit të ndërtimit dhe prodhimit si kontribuues i TVSH dhe rritja e ndjeshme e peshës së shërbimeve në totalin e TVSH-së, në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik në vend, thotë ministria.


Sa i takon taksës së tatim-fitimit, kemi rreth 16.8 miliardë lekë të ardhura nga 19.7 miliardë të mbledhura në 2011-n, pra me rënie të ndjeshme prej 14.5 dhe 1.8 për qind më shume se plani i periudhës janar-dhjetor 2012.


 


 


Amnistia te transporti


Biznesi i sektorit të industrisë mbështet qeverinë për uljen me 50% të taksës vjetore të mjeteve të transportit, si dhe amnistinë për faljen e penaliteteve të tre viteve të fundit, por kërkon hyrjen në fuqi sa më shpejt të akteve ligjore.


Nga TVSH-ja janë mbledhur 116.5 miliardë lekë ose 2.2% më pak se 2012-a dhe 2.1% më pak se parashikimi


Te tatim-fitimi, kemi 16.8 miliardë lekë të ardhura nga 19.7 miliardë të 2011-s, pra 14.5% më pak