Një karrierë e suksesshme në sytë e publikut të gjerë, si në aktrim, muzikë apo sport, shoqërohet me jetë më të shkurtër sesa një karrierë në shkencë apo në biznes, thotë studimi
Hollivud
Kërkuesit zbuluan se mes aktorëve dhe sportistëve ka shumë që vdesin fare të rinj
Të kesh një karrierë të shkëlqyer në sytë e publikut të gjerë mund të vijë me koston e një jete më të shkurtër, bëhet e ditur nga një analizë e nekrologjive të publikuara në një gazetë amerikane. Studimi tregoi se artistët dhe yjet e sportit kishin tendencë të vdisnin disa vjet më të rinj sesa njerëzit e suksesshëm në disiplina të tjera.
Studiuesit pranojnë se studimi i tyre nuk mbart konkluzione finale, por thanë se ngrihen shumë pyetje mbi koston që shoqëron famën dhe pasurinë. Të dhënat u publikuan në një revistë shkencore mjekësore.
Studiuesit në Australi analizuan mbi 1 mijë jetëshkrime mbi të famshmit e ndarë nga jeta, të publikuara në gazetën “New York Times” mes viteve 2009 dhe 2011.
Ata panë se performuesit, si aktorët, këngëtarët, muzikantët, si dhe ata që bënë karrierë në sport, vdisnin më të rinj – mesatarisht në moshën 77-vjeçare.
Shkrimtarët, kompozitorët dhe artistët e tjerë vdisnin në moshën 79-vjeçare. Ata që klasifikoheshin si akademikë, duke përfshirë historianët dhe ekonomistët, mbijetonin mesatarisht deri në moshën 82-vjeçare, ndërsa ata që merreshin me biznes dhe politikë jetonin deri në 83 vjeç.
Kërkuesit në Universitetin e Kuinslandit dhe në Universitetin e Uellsit Jugor të Ri, thanë se kanceri, veçanërisht tumoret e mushkërive, qenë shkaqet më të zakonshme të vdekjeve për performuesit.
E kushtueshme
Profesor Richard Epstein tha: “Një analizë retrospektive e kryer një herë si kjo e jona nuk mund të provojë asgjë, por ajo ngre disa pyetje shumë interesante.
E para, nëse është e vërtetë që performuesit e suksesshëm dhe sportistët kanë tendencën të shijojnë jetë më të shkurtër, a do të thotë kjo që fama në moshë të re sjell predispozicion për sjellje shëndetësore të keqe më vonë në jetë, pasi suksesi ka marrë fund?
A mos vallë presioni psikologjik dhe familjar që shoqëron shpesh arritjet e pazakonta publike, sjell tendenca vetëshkatërruese përgjatë të gjithë jetës?
Apo nëse personat me prirje për të ndërmarrë rreziqe tentojnë të rrisin shanset për sukses përmes përdorimit të cigareve, alkoolit dhe drogave ilegale duke përmirësuar performancën në terma afatshkurtra?”
Ai shtoi se, cilado qoftë arsyeja, gjetjet e studimit duhet të konsiderohen si një “paralajmërim për shëndetin e të rinjve që kanë aspiratën të bëhen yje”.
Honey Langcaster-James, një psikologe e specializuar mbi sjelljen e të famshmëve, tha se kaq pak njerëz arrijnë statusin e yllit sa është bërë e vështirë të studiosh me mjete shkencore efektin e famës mbi jetën e njerëzve.
Ajo tha: “Rezultatet janë interesante në vetvete, sepse sugjerojnë se ka rreziqe shoqëruese në karrierën publike dhe se fama jo domosdoshmërish është e artë. Ata ndoshta po paguajnë një çmim shumë të lartë për karrierat e tyre.”
Gjithsesi ajo tha se nuk ishte e lehtë të dalësh me shpjegime shkencore. Në njërën anë tha se një karrierë e tillë “ka faktorë stresantë unikë”, të tillë si “presioni për të jetuar në përputhje me pritshmëritë e një njeriu me imazh publik, e cila mund të sjellë sjellje të rrezikshme”.
Megjithatë ajo dyshon se “ka disa karakteristika të veçanta personale që predispozojnë njerëzit në të dëshiruarit të një karriere në arenën publike”, gjë që mund të sjellë zgjedhje në stil jetese që prekin shëndetin.