MASH, verifikim për 150 mësuesit e papaguar

Skandali në Fier 

Do të verifikohet dokumentacioni përkatës në shkolla dhe në drejtorinë arsimore

Edmond Hoxhaj

mesuesit-provimMinistria e Arsimit dhe Shkencës pritet të nisë së shpejti një verifikim të hollësishëm për skandalin e publikuar në “Shqip” për mospagimin për muaj me radhë të qindra mësuesve në Rrethin e Fierit. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime zyrtare të MASH, të cilat kanë pohuar se pas marrjes dijeni të këtij fakti nëpërmjet medias, do të krijojnë një grup të posaçëm auditimi në ditët e ardhshme që do të verifikojë në terren rastet e mospagesës së mësuesve nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut të Fierit (DARQF). Ndërkaq, mësohet se dje, një grup auditimi rutinë i MASH ka mbërritur në zyrat e DARQF. Pritet që verifikimi të shtrihet në dokumentacionin e zyrës së financës dhe sekretarisë së DARQF, ku do të konstatohet nëse të gjithë mësuesit që kanë përfituar një kontratë pune nga ky institucion, janë paguar ose jo rregullisht. Gjithashtu mësohet se verifikimi do të përfshijë edhe dokumentacionin e drejtorive të shkollave, prej nga janë nisur listë-prezencat e mësuesve, që kanë shërbyer gjatë dy viteve të kaluara. Kjo, me qëllim ballafaqimin e dokumentacioneve që kanë të bëjnë me këto raste, të protokolluar si në shkollat e Rrethit të Fierit, ashtu edhe në sekretarinë dhe zyrat e financës së DARQF. Njëkohësisht do të kërkohet edhe dokumentacioni i thesarit, ku lëvrohet fondi i përcaktuar dhe i bankave, ku derdhen paratë e mësuesve. Ndonëse pritej që të kishte reagime ndaj publikimit të këtij fenomeni abuziv, dje nuk ka pasur asnjë qëndrim nga DARQF lidhur me faktet e publikuara në gazetën “Shqip”, ku denoncohej fakti i mospagesës së rreth 150 mësuesve për disa muaj secili, fenomen i cili mësohet të ketë lindur në dy vitet e fundit.

Mësuesit e papaguar

Janë rreth 100 mësues me emërim provizor, të cilët nuk janë paguar vitin e kaluar e që vazhdojnë të mos e përfitojnë rrogën e tyre edhe sot, edhe pse shërbejnë si mësues në shkolla të ndryshme të Rrethit të Fierit. Gazeta “Shqip” ka siguruar të dhëna e fakte për një pjesë të këtyre rasteve. Sipas informacioneve të marra nga burime konfidenciale është mësuar se një pjesë e mësuesve provizorë janë paguar vetëm për disa nga muajt kur kanë punuar, ndërsa për disa muaj nuk e kanë marrë rrogën e tyre. Madje nuk janë paguar edhe ata mësues provizorë që kanë zëvendësuar mësuese të cilat janë larguar për efekt të lejeve të lindjeve. Ndonëse këto mësuese që janë larguar me leje lindje përfitojnë pagesë të reduktuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Fier, fondi i akorduar për pagesën e vendit të tyre të punës nuk ka shkuar në mjaft raste në favor të mësuesit provizor që shërben aty. Mësohet se nuk janë paguar prej shtatorit edhe dhjetëra mësues me emërim definitiv dhe roje e punonjëse sanitare. Nga burime të gazetës është mësuar se mospagesa e qindra mësuesve ka ardhur si pasojë e punësimit të rreth 200 mësuesve më shumë nga numri i personelit të përcaktuar nga MASH.

Dublimet në shkollë

Gjatë dy-tre viteve të fundit mësohet se ka pasur mbivendosje të emërimeve definitive në të njëjtat vende pune në shkolla të ndryshme në varësi të DARQF, në Rrethin e Fierit dhe të Mallakastrës. Gazeta ka siguruar informacione se në rastet kur një mësuese është larguar për efekt të lejes së lindjes, në vendin e saj të punës nuk është emëruar provizorisht një mësues tjetër, por i është dhënë emërim definitiv. Kjo ka sjellë si pasojë mbivendosjen e emërimeve definitive në të njëjtin vend pune, ku është përcaktuar një numër orësh mësimdhënie, që në bazë të normës së rekomanduar nga MASH duhet t’i kryejë një mësues. Por, kur mësuesja e larguar për efekt të lejes së lindjes është rikthyer në detyrë, në disa raste ka pasur ndarje të orëve, ku dy mësues janë paguar edhe pse kryenin vetëm një normë pune të përcaktuar nga MASH. Ndërkaq, mësohet se ka pasur edhe raste kur mësuesit e “dubluar” nuk kanë punuar për periudha kohore të caktuara dhe kanë përfituar pagën, pasi gëzonin emërimin definitiv. Duke kaluar muaj dhe vitet, mësohet se numri i mësuesve të “dubluar” është rritur deri në rreth 200, duke sjellë mangësi në pagesat e dhjetëra mësuesve të tjerë. Kjo, pasi fondi financiar i akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për DARQF ka qenë për rreth 2500 mësues dhe jo për 2700. Në këto kushte mësohet se janë penalizuar kryesisht mësuesit provizorë dhe ata të cilët kanë përfituar emërime definitive gjatë vitit të fundit. Janë rreth 50 mësues të cilët e kanë përfituar emërimin definitiv pasi krijuar vende vakante për shkak të daljes në pension apo largimit të mësuesve të tjerë. Edhe këta mësues, ndonëse të emëruar definitivisht janë përballur për muaj të tërë me mungesën e pagës për punën që kanë kryer.

 

Rastet

Denoncimet në prokurori për shpërdorim detyre nga zyrtarët e DARQF

Kallëzimi - Janë emëruar definitivisht individë, të cilët nuk e kanë kryer ciklin e plotë të studimeve të larta për mësuesi, ndërkohë që 1500 të diplomuar presin në radhë

Policia: Drejtoria arsimore punësoi njerëz të paprofilizuar

Ndonëse pranë Drejtorisë Arsimore të Fierit janë depozituar gjatë viteve të fundit rreth 1500 kërkesa pune nga studentë të diplomuar në profile të ndryshme të mësuesisë, duket se ato nuk janë marrë parasysh dhe në punë janë marrë persona të paprofilizuar. Për këto raste, sektori i antikrimit ekonomik në Policinë e Fierit ka ngritur dyshimet për shpërdorim të detyrës nga drejtuesit e DARQF. Madje, rreth një muaj më parë, policia ka referuar në Prokurorinë e Fierit një rast të dyshuar të shpërdorimit të detyrës. Kjo, pasi oficerët e policisë kanë siguruar informacione për emërimin si mësues të një studenti të paprofilizuar, në kundërshtim me udhëzimet e MASH-it për emërimin e personelit në sistemin arsimor parauniversitar.

Denoncimet

Nga burime të gazetës është bërë me dije se nga zyrtarët e DARQF është emëruar si mësues një student i cili i ka përfunduar pjesërisht studimet e larta. Edhe pa pasur licencën e mësimdhënies, ky person e ka përfituar këtë emërim, duke lënë pas rreth 1500 kërkesa të tjera pune edhe pse ata që i kanë kryer, kanë përfunduar gjithë ciklin arsimor të përcaktuar në ligj për mësimdhënien. Ky fakt i është referuar Prokurorisë së Fierit rreth një muaj më parë. Ndërkaq, një tjetër kallëzim penal është depozituar javën e kaluar në organin e akuzës, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, që ka si subjekt mospagesën e mësuesve dhe emërimet e mësuesve të tjerë të kryera në kundërshtim me udhëzimin e ministrit të MASH dhe ligjin për sistemin e arsimit parauniversitar. Pritet që prokuroria të nisë shqyrtimin e këtyre kallëzimeve me qëllim konkludimin ose jo në elementë të veprës penale. Edhe më parë kanë mbërritur kallëzime penale në Prokurorinë e Fierit ndaj zyrtarëve të DARQF, por deri tanimë nuk është ngritur asnjë akuzë prej tyre dhe është vendosur mosfillimi i procedimeve penale për këto referime për shpërdorim detyre.

Kërkesat

Nga informacione të marra në rrugë konfidenciale është mësuar se pranë DARQF janë depozituar gjatë viteve të fundit rreth 1500 kërkesa pune. Bëhet fjalë për qytetarë të diplomuar në profile të ndryshme të mësuesisë. Mes këtyre kërkesave janë edhe qindra aplikime të atyre personave që kanë kryer studimet e larta për mësuesi pranë fakulteteve të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera të vendit me kohë të plotë. Por ndonëse prej vitesh ata qëndrojnë në pritje të punësimit të tyre, me qindra të tjerë që kanë kryer studimet e larta për mësuesi me sistemin e korrespodencës apo me kohë të pjesshme kanë përfituar emërime definitive të lëshuara nga DARQF. E. Hoxhaj

 

Investigimi

Paratë e mësuesve “vullnetarë” në xhepat e dublantëve

Paratë e mësuesve “vullnetarë” mësohet të kenë shkuar në xhepat e atyre që kishin përfituar më parë emërimet definitive, duke u dubluar me mësues të tjerë. Nga burime të gazetës është mësuar se prej më shumë se një viti, gati çdo muaj rreth 150 mësues me varësi financiare nga DARQF nuk paguhen. Sipas burimeve të sipërcituara në më të shumtën e rasteve, ata që janë detyruar të punojnë vullnetarisht, kanë qenë mësuesit provizorë. Një pjesë e tyre kanë përfituar pagesë për disa nga muajt që kanë punuar, ndërsa nuk iu ka kaluar rroga në llogarinë e tyre bankare për disa muaj të tjerë. Por, ka pasur edhe raste kur nuk janë paguar për asnjë prej muajve kur kanë shërbyer si mësues në shkolla të ndryshme të DARQF. Nga ky “penalizim” nuk janë përjashtuar edhe mësuesit që disponojnë emërime definitive në kundërshtim me udhëzimet e MASH, më konkretisht ata punëmarrës që disponojnë vetëm dëftesën e shkollës së mesme dhe nuk kanë kryer studimet e larta në mësuesi. Gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, janë përballur me mungesën e pagës edhe rreth 50 mësues apo punonjës të tjerë të administratës së DARQF, të cilët kanë përfituar emërime definitive. Mospagesa e tyre mësohet të ketë ardhur pasi janë emëruar të shërbejnë definitivisht në vende pune vakante të cilat janë mbyllur, edhe pse ka munguar mësuesi i një profili të caktuar. Bëhet fjalë për vende pune të cilat kanë mbetur vakante pas daljes në pension të mësuesve të tjerë apo largimit të tyre. Por, për shkak se numri i mësuesve me emërim definitiv mësohet të jetë më i madh nga ai i përcaktuar nga MASH, fondi financiar i akorduar për personelin e DARQF nuk i mbulon dot të gjithë. Ndërkaq, ankesat e herëpashershme verbale të mësuesve “vullnetarë” kanë sjellë ndryshime të emrave të listës së mësuesve që u është mohuar pagesa. Kjo, me qëllim moskrijimin e pakënaqësive të vazhdueshme tek i njëjti mësues. Për shkak se fondi financiar i akorduar nga MASH për DARQF mbulon vetëm 2500 mësuesit e përcaktuar në bazë të ligjit për punësimin e personelit për arsimin paraunivesitar dhe dublimit të rreth 200 punëmarrësve gjatë dy-tre viteve të fundit ka sjellë si pasojë që një pjesë e tyre të mbeten pa para. Kjo, pasi paratë e akorduara për vendet që mbeten vakante pas largimit të mësuesve apo daljes në pension dhe të atyre që lirohen për efekt leje lindje, kalojnë në favor të mësuesve të “dubluar”, të cilët zyrtarisht zotërojnë një kontratë pune të pakufishme, e cila është lëshuar në kundërshtim me ligjin. E. H.

Autor te 23 Prill 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry